Borxhet e Shqipërisë, deri në 2011-n, 900 USD per cdo shqiptar
Shpenzimet për borxhin do të shkojnë në 41.1 miliardë lekë në 2011-n. Çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë gati 900 dollarë për shlyerjen e tij
Ervin Koçi
Taksapaguesit shqiptarë do të jenë më të “kredhur” në borxhe në pesë vitet e ardhshme dhe kjo jo për faj të tyre por të shtetit. Ky i fundit, për të realizuar qëllimet politike që janë të lidhura me investimet e ndryshme, nuk ka marrë parasysh se këto të fundit kanë kosto në para duke thelluar borxhin publik. Interesat që qeveria do të paguajë për borxhin publik pritet të kenë një rritje të fortë gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas parashikimeve të bëra nga vetë Ministria e Financave, kostoja e shërbimit të borxhit qeveritar gati do të dyfishohet deri në vitin 2011-n. Për pasojë, qeverisë do t’i duhet të paguajë mbas katër vitesh 41.1 miliardë lekë në vit ose mbi 500 milionë dollarë vetëm interesa për borxhin nga 25 miliardë lekë që paguan aktualisht. Interesat për borxhin e jashtëm pritet të kenë një rritje më të fortë. Kjo edhe si pasojë e politikës së qeverisë për ta orientuar huamarrjen e vendit drejt tregut të jashtëm. Më konkretisht, interesat e borxhit të jashtëm do të rriten me gati 3.5 herë, duke shkuar në 7.2 miliardë lekë në vit nga 2.02 miliardë që janë aktualisht. Në bazë të parashikimeve të Ministrisë së Financave, në vitin 2011 me kursin aktual të këmbimit çdo shqiptar do të paguajë nga taksat e tij rreth 160 dollarë amerikanë në vit vetëm për të shlyer interesat e borxhit kur sot paguan gati 100 dollarë.
Kreditë tregtare
Shqipëria do të marrë mesatarisht 200 deri në 400 milionë euro kredi tregtare në tregun ndërkombëtar duke filluar që nga ky vit deri në vitin 2010. Sipas Ministrisë së Financave, borxhi në valutë mbetet alternativa më pak e kushtueshme për qeverinë. Shqipëria nuk mund të përfitojë më borxh me interesa të buta nga donatorët, për shkak se vendi ynë klasifikohet tashmë si një ekonomi në zhvillim dhe jo më si një vend i varfër. Për këtë, e vetmja rrugë e financimit të investimeve publike, përveç burimeve të brendshme, kanë mbetur kreditë e huaja në tregun ndërkombëtar me interesa tregtare. Në maj të këtij viti, qeveria ka parashikuar të emetojë rreth 200 milionë euro obligacione në valutë me afat dhjetëvjeçar.
Borxhi
Deri në vitin 2006, borxhi i jashtëm në Shqipëri arriti në 1.8 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2008 ai pritet të arrijë në gati 2.7 miliardë dollarë, ose e thënë ndryshe çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë gati 900 dollarë për shlyerjen e tij. Nëse e krahasojmë me eksportin e mallrave, borxhi i jashtëm afatgjatë i vendit është sa për tre vjet eksporte. Rritja e borxhit vjen për shkak se qeveria ka vendosur që të investojë më shumë nga sa janë mundësitë e vendit për të kursyer. Borxhi publik ka rikthyer sërish debatin mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shkak këtë radhë kanë qenë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të tregtuar borxhin e brendshëm në valutë. Kjo duket se nuk i ka pëlqyer Fondit Monetar, i cili ka vendosur kusht që nëse qeveria do të përpiqet të emetojë borxhin e brendshëm në valutë, atëherë ky borxh do të klasifikohet si i jashtëm.
27 Shkurt 2008