Biznesi, ankesa për ligjin e gjobave, Kushtetuesja nis shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e ankimimit që shoqatat e ndryshme të biznesit i bënë të ashtuquajturit “Ligji i gjobave”. Lidhur me këtë ligj, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit kanë kërkuar nga kjo gjykatë që ta shfuqizojë ligjin në fjalë ose më saktë disa pika të tij dhe kryesisht Nenin 43, i cili detyron subjektet e biznesit që t’i paguajnë tatimeve deri në 15 për qind të shumës së një gjobe pa u konfirmuar më parë nëse ajo është e drejtë apo jo. Pas seancës së djeshme, ku u dëgjuan pretendimet e palëve, pritet edhe një vendim mbi ligjin e shumëdebatuar. Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe disa shoqata biznesi i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shpallë si antikushtetuese edhe pikën 2 të Nenit 43 të ligjit “Për gjobat”, nen që parashikon parapagimin në masën 15 për qind të gjobës që administrata tatimore mund të aplikojë për biznese të ndryshme në rast shkeljeje të ligjit. Përfaqësuesi juridik i biznesit, Krenar Loloçi, në mbrojtjen para anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shpreh se ligji cenon të drejtën e pronësisë dhe i heq të drejtën biznesit për t’u ankimuar, një e drejtë që njihet nga Kushtetuta.
27 Shkurt 2008