Albumi i ri i Spirs del në dhjetor
Këngëtarja Britnei Spirs, ka konfirmuar se albumi i saj i ri, “Circus”, është ka përfunduar dhe do të dalë në treg në muajin dhjetor. Albumi, i cili vjen pas atij të vitit 2007, “Blackout”, ishte paraparë të dilte në shitje më vonë gjatë vitit të ardhshëm. Por, menaxherët e shtëpisë muzikore, Jive Records, me të cilën ka kontratë Spirs, dëshironin që data e lëshimit të albumit të ishte më e hershme, për të shfrytëzuar popullaritetin e saj aktual. Këngëtarja e hitit “Toxic”, së fundi ka rifituar pëlqimin e publikut, veçanërisht pas tre shpërblimeve të fituara javën e kaluar në MTV Video Music Awards. Albumi pritet të dalë në treg më 1 dhjetor, datë që përshtatet edhe me ditëlindjen e 27-të të këngëtares, e cila është një ditë më pas, më 2 dhjetor. Singëlli i parë që pritet të shkëputet nga albumi titullohet “Womanizer”.
Lohan sulmon një fotograf
Aktorja hollivudiane, Lindsi Lohan, është përleshur me një fotograf jashtë një hoteli në Nju Jork, duke e akuzuar atë se e ka ndjekur. Aktorja e filmit “Mean Girls”, e ka goditur fotografin në hundë, pasi ishte rrëzuar duke u munduar t’i shmangej atij. Lohan citohet të ketë thënë se: “Kam goditur një fotograf!”. Ndërkohë, mësohet se edhe policia është thirrur në vendngjarje, mirëpo nuk është ngritur asnjë aktakuzë kundër saj.
Knajtli merr pushime nga Hollivudi
Aktorja britanike Keira Knajtli, do të marrë disa kohë pushim nga Hollivudi, me qëllim që të mund t’i përkushtohet leximit dhe gatimit. Ylli i filmit “Pirates of the Caribbean”, ka një orar të zbrazët dhe planifikon që këtë kohë të lirë ta kalojë në shtëpinë e saj në Londër. “Kanë qenë vite të tmerrshme për filmat. Me grevën e skenaristëve në Hollivud, shumë financime kanë dështuar. Gjatë kohës së lirë, unë do të jem në shtëpinë time, duke lexuar libra dhe duke gatuar”,- ka thënë Knajtli.
16 Shtator 2008