Vazhdon rënia në tregjet botërore pas tronditjeve të Uoll Stritit
Çmimet
e aksioneve në mbarë botën ranë ndjeshëm ndërkohë që falimentimi i një prej
bankave kryesore amerikane të investimeve dhe probleme të tjera në sektorin
financiar amerikan po trondisin tregjet për të dytën ditë.
Bursat
kryesore evropiane pësuan ulje të ndjeshme në mesditë, ndërsa indeksi kryesor
S&P 500 në Shtetet e Bashkuara ra 11 pikë.
Në
tregjet aziatike, indeksi Nikkei i Tokios ra gati 5 përqind, ndërsa tregjet në
Hong Kong u mbyllën me më shumë se 5 përqind humbje.
Presidenti
Bush tha dje se zyrtarët po punojnë për të "zbutur tronditjet" në funksionimin
e ekonomisë. Ai tha se tregjet financiare amerikane janë të fuqishme dhe
elastike për t'u rezistuar problemeve në periudhën afatgjatë.
BANKA QËNDRORE AMERIKANE PRITET TË SHKURTOJË INTERESAT
Ekonomia amerikane në vështirësi mund të bëjë që Banka Qëndrore të shkurtojë interesat në takimin e sotëm në Uashington.
Deri tani, ekonomistët e pyetur nga agjenci lajmesh thoshin se Banka Qëndrore do t'i mbante interesat të pandryshuara ose do t'i rriste ato për të mbajtur nën kontroll inflacionin si pasojë e çmimeve në rritje të energjisë.
Por Uoll Striti u trondit dje nga lajmet se banka Lehman Bradhërs e investimeve kishte depozituar kërkesën për falimentimin më të madh në historinë amerikane, pasi Departamenti i Thesarit refuzoi të përdorte paratë e taksapaguesve për të shpëtuar ekonominë.
Tregjet janë tronditur edhe nga kushtet e vështira financiare në të cilat ndodhet gjigandi i siguracioneve, korporata Amerikën Intërneshënëll Grup.