Sejdiu në SHBA lobim për bllokimin e iniciativës serbe
Kosova vazhdon fushatën e lobimit në botë për njohje sa më të shpejtë shtetit të ri. Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu do të udhëtojë drejt Nju Jorkut për të vazhduar fushatën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti do të shoqërohet edhe nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe do të qëndrojë në Nju Jork nga data 20 deri më 28 shtator. Gjatë vizitës Sejdiu pritet zhvillojë takimeve të shumta dhe angazhime për bllokimin e iniciativës së Serbisë që OKB-ja të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mendimin rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Tashmë janë planifikuar takime të rëndësishme me përfaqësues të shteteve të ndryshme, ndërkohë që do të zhvillojë punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Komiteti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pritet të vendosë këtë të mërkurë nëse do të futet projektrezoluta serbe në axhendën e sesionit të Asamblesë. Ndërkohë edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka shprehur bindjen e tij se nisma serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk do të ketë sukses. Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se veprimet e ditëve të fundit të Serbisë janë përpjekje për t’u justifikuar para opinionin të vet, pasi Beogradi e ka të qartë se pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe s’ka kthim prapa.
“Serbia është duke bërë lëvizjet e fundit për t’u arsyetuar para opinionit të vet. Serbia e di se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga 46 shtete të botës. Procesi i pavarësisë do të ketë vetëm njohje, avancim dhe integrim, dhe asnjëhërë rikthim, ashtu siç pretendon Serbia”,- është shprehur Thaçi.
Ndërkaq sipas kryeparlamentarit Krasniqi, nëse çështja e Kosovës kalon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, atëherë gjykata do të japë vendim në favor të Kosovës. "Kemi besim se Gjykata Ndërkombëtare nuk do të marrë vendim kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës, pasi i gjithë aktiviteti politik që është zhvilluar në Kosovë, nga shpallja e pavarësisë, është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe, nëse dikush ka vepruar kundër kësaj të drejte ndërkombëtare, atëherë ky është regjimi i Beogradit”,- theksoi Krasniqi.
16 Shtator 2008