E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasnik: “Për Kosovën nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare”



Ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, Ursula Plasnik ka bërë të ditur mendimin e saj në lidhje me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Sipas Plasnik, në këtë rast nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare, duke lënë të nënkuptohet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë vendim të drejtë për Kosovën. “Vendet e Bashkimit Europian po presin me qetësi vendimin eventual të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë rreth çështjes së Kosovës të cilin po e kërkon Serbia”,- është shprehur ajo duke vijuar “me njohjen e Kosovës nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare”- ka thënë kryediplomatja austriake Ursula Plasnik në një intervistë për gazetën “Dnevnik”. Deklaratat u bënë para takimit të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, të cilët diskutuan për nismën që të zhbllokohet marrëveshja e tregtisë me Serbinë. Plasnik vlerësoi se, “ky zhbllokim do të varet nga vlerësimi që do të bëjë prokurori i përgjithshëm i Tribunalit të Hagës, Serge Bramertz, rreth bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin e Hagës”.
Plasnik po ashtu theksoi se Serbia duhet të tregojë më shumë bashkëpunim për vendosjen e misionit të EULEX-it, ndërsa vlerësoi se zgjidhjet që janë ofruar për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, janë unike në botë. “Sa i përket EULEX-it, do të ishte shumë e rëndësishme, para se gjithash për vetë Serbinë, që të tregojë një qasje me konstruktive dhe më kooperative, pasi prioriteti kryesor i këtij misioni është mbrojtja e pakicave, pra e serbëve në Kosovë, që t’iu mundësojë atyre të jetojnë një jetë normale në një shoqëri ku sundon ligji,- tha Plasnik.

Shkup, promovohet Partia Demokracia e Re e Selmanit

Është promovuar dje në Shkup partia e re shqiptare e cila do të udhëhiqet nga Imer Selmani. Partia e re quhet Demokracia e Re. Përkrahësit e Selmanit janë shprehur se radhëve të partisë së re do t’i bashkangjiten edhe deputetë dhe funksionarë të tjerë partiakë të PDSH-së, por edhe depuetetë dhe simpatizantë të BDI-së. Këto pohime u mohuan nga zyrtarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet. Partia Demokratike Shqiptare në opozitë në Maqedoni bëri të ditur se do të ngrejë padi penale kundër një deputeteje të Bashkimit Demokratik për Integrim. PDSH-ja hodhi poshtë deklaratën e bërë disa ditë më parë nga deputetja e BDI-së, Zymrete Jakupi se, gjatë kohës kur PDSH-ja ishte në pushtet, i kishte ofruar gjysmë milion euro për të kaluar në radhët e saj.
“Është me të vërtetë qesharake që një deputete aktuale e një partie politike shqiptare bën akuza të këtilla, duke manipuluar se gjoja PDSH-ja i ka ofruar njëherë 100 mijë, më vonë 200 mijë e më vonë 500 mijë euro për të kaluar në radhët e PDSH-së. Ne nuk kemi patur nevojë për asnjë prej deputetëve të BDI-së dhe kemi përgatitur një aktakuzë dhe do të ballafaqohemi në gjyq me këtë akuzë të rëndë kundër PDSH-së”,- është shprehur Iljaz Halimi, nënkryetar i posazgjedhur në Partinë Demokratike Shqiptare.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›