E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga uragani ”Ajk” vdesin 21 persona



Pasi uragani “Ajk” goditi gjirin bregdetar të Teksasit, ekipet e shpëtimi me helikopterë, anije dhe kamionë shpëtuan rreth 3700 njerëz nga shtëpitë e tyre në zonat e përmbytura. Rreth 100 mijë njerëz janë të prekur në bregdetin 800 km të gjatë nga uragani. Qyteti Galveston është pothuajse i shkatërruar më shumë. Mijëra banorë kanë mbetur të bllokuar nga përmbytjet e shkaktuara nga uragani. Të paktën 21 persona humbën jetën. Sipas të dhënave të autoriteteve vendore, pasojat nga kjo katastrofë natyrore do të zgjasin me javë, veçanërisht furnizimi me rrymë elektrike.

GJEORGJI
NATO takohet për shqyrtimin e situatës
Përfaqësuesit e 26 vendeve, anëtare të NAT0-s u takuan dje në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, për të diskutuar situatën në këtë vend si dhe çështjen e anëtarësimit të Gjeorgjisë në këtë aleancë ushtarake. Zëdhënësi i Natos, Xheims Apaturai, tha se Nato nuk dëshironte të provokonte Rusinë, por ajo do të vazhdonte të mbështeste Gjeorgjinë. Ndërkohë, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, cili vizitoi Ankhazinë dhe Osetinë Jugore, tha se nuk do të ketë diskutime rreth çështjeve të sigurisë në Kaukaz pa pjesëmarrjen e këtyre dy rajoneve.

TURQI
Mbytet trageti, 1 i vdekur 26 të zhdukur
Një traget me 100 pasagjerë është mbytur në Turqi në portin veriperëndimor te Bandirmas. Një person rezulton i vdekur dhe 26 të tjerë janë të zhdukur. Trageti u mbyt në detin Marmara pak pasi u nis nga porti bandirma i Stambollit. Shkak për mbytjen mendohet të ketë qenë mbingarkesa e tragetit, jo vetëm me pasagjerë por edhe me 73 kamionë dhe makina te vogla. 68 persona kanë mundur të shpëtohen, 31 prej të cilëve janë të plagosur dhe janë dërguar në spital. Pasagjerët kanë fajësuar autoritetet e tragetit për këtë tragjedi.

ZIMBABVE
Nënshkruhet Marrëveshja për ndarjen e pushtetit
Pas një krize të gjatë në politikën e brendshme në Zimbabve, Robert Mugabe dhe udhëheqësi i opozitës, Morgan Tsvangirai, nënshkruan në një ceremoni festive një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Teksti i marrëveshjes që u arrit me ndërmjetësimin e presidentit afrikanojugor nuk është bërë publik ende. Sipas njoftimeve nga Harare, Tsvangirai do të udhëheqë qeverinë. Mugabe 84 vjeçar qëndron si shef i shtetit, por do të ketë kufizime në ushtrimin e postit.

TAILANDË
Vongsavat emërohet kryeministr i vendit
Në Tailandë, partia qeveritare, ka nominuar nënkryetarin e kësaj partie, Somçai Vongsavat, si kandidat për postin e kryeministrit. Zgjedhja në parlament, në të cilën dominon me shumicë të madhe kjo parti që udhëheq edhe koalicionin qeveritar, është planifikuar ditën e mërkurë. Kryeministri i deritanishëm, Samak Sundaravej, ishte larguar nga posti, për shkak se kishte bërë shkelje të kushtetutës. Somçai është kunat me ish kryeministrin, Thaksin Shinavatra, që u rrëzua nga puçi ushtarak.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›