“Alçani”, 13-vjeçari në kërkim për vjedhjen e 100
LEZHE / ROLAND NIKOLLI
Pa maska e doreza i mituri lezhian grabit në banesën e inxhinierit 2 milionë lekë. Policia e ka etiketuar si fenomeni “Alçani”, 13–vjeçarin, i cili me ngjarjen e djeshme rrumbullakosi plot 100 raste vjedhjeje të dokumentuara deri më tani.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në lagjen “Kodër Marlekaj” të Lezhës. I mituri ka pritur derisa i zoti i shtëpisë, K.Vata, inxhinier ndërtimi, të largohej për në punë. Më pas, ai arriti të depërtojë në oborr nëpërmjet avllisë e duke hapur derën me forcë është gjendur brenda në shtëpi. Pasi ka kontrolluar të gjitha dhomat, 13-vjeçari është larguar vetëm kur në njërin prej sirtarëve ka gjetur shumën prej 2 milionë lekësh. Më pas ai është larguar në drejtim të paditur. Policia u sinjalizua nga familja Vata kur kjo e fundit konstatoi rrëmujën në shtëpi. Ata shkuan menjëherë tek vendi ku mbanin paratë, por ato ishin grabitur. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe pasi morën në pyetje pjesëtarët e familjes nisën hetimet. Ata administruan edhe gjurmët e lëna në vendin e ngjarjes. Pas krahasimeve rezultoi se grabitësi i parave ishte sërish ai, fenomeni “Alçani”. Shenjat e tij të gishtave ishin administruar më parë në polici për shkak se i mituri ishte arrestuar të paktën 16 herë më parë. Ai është kthyer në tmerrin e Lezhës për shkak të vjedhjeve të përsëritura. Por për shkak të moshës së mitur, gjykata e kishte lënë 16 herë të lirë. Burimet nuk bënë të ditur nëse 13-vjeçari kishte marrë dënime të tjera alternative, gjë që do të mund të ndikonin në evitimin e precedentëve të mëtejshëm të tij. Mësohet se “Alçani” banon në periferi të Lezhës. Ai largohej disa herë nga shtëpia e tij duke planifikuar në të gjitha rastet e largimeve vjedhjet e radhës. Sipas policisë, edhe për ngjarjen e ndodhur dje rreth orës 08:00, ai ka ndjekur më parë lëvizjet e banorëve të shtëpisë ku do të kryente grabitjen. Pasi kishte pritur largimin e tyre për në punë, hyri në banesën e Vatës. Policia që në momentin e mbërritjes në banesën ku kishte ndodhur ngjarja, kishte të dyshuar 13–vjeçarin pa pritur që të bëhej krahasimi i gjurmëve të lëna. Kjo për shkak se mekanizmi i vjedhjes ishte i njëjtë me ato të dokumentuara më parë. Por pas krahasimit të shenjave, rezultoi se dyshimi i tyre ishte i saktë. Burime nga policia e Lezhës bënë të ditur se kanë shpallur në kërkim minorenin, por ende nuk është lokalizuar vendndodhja e tij. I mituri mban me vete 2 milionë lekë. Ai është i vetëdijshëm se për shkak të moshës nuk mund të penalizohet. Madje, këtë fakt ai e ka pohuar në polici sa herë që është arrestuar.