E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi, nis ndërtimi i “by-pass” të Vorës dhe Shkozetit

 

Kreu i Ministrisë së Transporteve ka nënshkruar dje dy kontrata të reja për ndërtimit e rrugëve. Ministri Sokol Olldashi, si dhe përfaqësuesi i Fondit Kuvajtian, Waleed Hussien Abdul Fattah Khatouf, nënshkruan dje marrëveshjen për ndërtimin e Nyjes Rrugore të Vorës, një financim me vlerë 5.3 milionë euro. “Ndërtim i Nyjes Rrugore të Vorës përfshin ndërtimin e rreth 3 km rrugë paralele me autostradën Tiranë-Durrës, rakordimin e hyrje-daljeve në autostradë, mbingritjen e autostradës në dalje të Vorës, ndërtimin e nënkalimit në këtë zonë, dy rrethrrotullime, por edhe ndriçimin e saj”, tha Olldashi. Punimet për ndërtimin e Nyjes Rrugore të Vorës, një financim ky i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare, do të kryhen nga kompania J/V Corpi Contrackting & Co dhe pritet të përfundojnë brenda 22 muajsh. Po dje Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, si dhe përfaqësuesi i Fondit Kuvaitian, Paul Tomazon, nënshkruan marrëveshjen e kredisë për ndërtimin e By-passit të Durrësit. Kreu i MPPTT-së, duke e konsideruar si një ditë të nisur shumë mirë u shpreh se “ky është një projekt shumë i rëndësishëm në të gjitha pikëpamjet, qoftë për rregullimin e trafikut që tranziton nga Tirana e Durrësi në drejtim të Jugut, por edhe për të shmangur trafikun e rëndë në zonën e Plazhit të Durrësit”. Duke u ndalur në përshkrimin e projektit, Olldashi tha se përveç By-passit, ndërtimi i të cilit nis në rrethrrotulimin e Shkozetit dhe përfundon në mbikalimin e Plepave, në kontratë parashikohet edhe rikonstruksioni total i rrugës nga Dajlani deri te Kodra e Rashbullit, si dhe rrugën e Zonës Industriale të Durrësit. “Do të jenë dy vektorë me katër kalime, me brez ndarës të gjelbër dhe do të përbëjnë në vetvete një zgjidhje përfundimtare të problemit të trafikut në këtë rajon”, theksoi Olldashi. Sipas tij, kjo është një ndihmë e madhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të rrjetit kombëtar rrugor të Shqipërisë veçanërisht në këtë rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›