E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, 650 milionë euro investime në Shqipëri

 

Bashkëpunim dhe mbështetje në sektorët më të rëndësishëm. Për të thelluar më tej mbështetjen që Italia i ka dhënë vendit tonë dje nisi seminari dy ditor me temë “Instrumenti i Para-aderimit në Bashkimin Evropian dhe Koperacioni për Zhvillim mes Shqipërisë dhe Italisë”. Ky seminar organizohet nga Ambasada e Italisë në Tiranë. Në ditën e parë të zhvillimit të tij u përcollën një sërë  informacionesh të rëndësishme për mundësitë që ofron Programi i Bashkimit Evropian Instrument of Pre-Acession (IPA) si dhe për mundësitë e bashkëpunimit mes subjekteve italiane dhe shqiptare, në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin mes institucioneve lokale.  Në këtë mënyrë vendosen forma të reja bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim mbështetjen e procesit të integrimit evropian dhe rritjen e aftësisë së shqiptarëve në programimin e ndërhyrjeve për zhvillim koherent me Programin IPA. “Koperacioni italian ka investuar në vendin tonë në sektorët më të rëndësishëm, si në arsim shëndetësi apo energjetikë që prej vitit 1991 një vlerë totale prej rreth 650 milionë eurosh. Kjo është një ndihmë e madhe për vendin tonë e padyshim duam që ky bashkëpunim të vazhdojë”, u shpreh zv/kryeministri Genc Pollo, i pranishëm në seminarin e djeshëm. Ndërsa, ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia theksoi se shteti që ai përfaqëson mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të pranishëm në seminar ishte dhe zëvendës-ministri i Integrimit Evropian, Albert Gajo. Më tej referuan përfaqësuesit e delegacionit të Komisionit Evropian, të Rajonit të Abrucos dhe Rajonit të Pulias (në cilësinë e eksponentëve të Komiteteve të administrimit të Programeve përkatëse të Kooperimit Ndër-kufitar IPA Adriatico e Interreg Italia-Albania). Duke iu përmbajtur ditës së parë të seminarit u diskutuan tema të rëndësishme të integrimit evropian si dhe për strategjitë e zhvillimit që lidhen me to. Ndërsa, sot do të diskutohet për thellimin teknik dhe operativ të gjendjes aktuale të procedurave të Programit IPA. Gjithashtu, në fokus do të jenë mundësitë që rrjedhin nga shembuj të partneritetit tashmë ekzistuese, nëpërmjet fokusimit të tematikave në sektorë strategjikë si Transportet, Ambienti, Edukimi dhe zhvillimi i Sektorit Privat. Gjatë kësaj dite do të ketë dhe ndërhyrje të delegacionit të Komisionit Evropian si dhe të ministrive shqiptare, direkt të interesuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›