E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, të gjithë individët deklarojnë paratë në pikat kufitare



Ervin KOÇI

Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që lënë apo hyjnë në vendin tonë duhet të deklarojnë sasinë e parave që ata kanë me vete. Sipas rregullores për qarkullimin e parave, rezidentët dhe jorezidentët janë të detyruar të deklarojnë përpara autoriteteve doganore çdo shumë që e kalon vlerën monetare mbi 1 milion lekë ose kundërvleftën e saj në valutë, burimin dhe qëllimin e mbajtjes së tyre. Rregullorja e re e cila ka hyrë në fuqi që prej datës 7 dhjetor 2009 ka shfuqizuar atë të marsit 2003. Ajo është miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë më 30 shtator të këtij viti dhe ka për qëllim parandalimin e qarkullimit të parave kash në sasi të mëdha jashtë sistemit bankar. Në këtë mënyrë kjo rregullore presupozohet të bëjë dhe parandalimin e pastrimit të parave ose e atyre fondeve që mund të përdoren për aktivitete të jashtëligjshme. Në rregullore janë të parashikuara qartë dhe format e deklarimit dhe të kalimit jashtë kufirit për të gjitha llojet e valutave dhe metalet me vlerë si ari, argjendi, platini, etj., si dhe mënyra se si duhet të bëhet transportimi i tyre.

Ndryshimet

Rregullorja përcakton se jorezidentët që vizitojnë përkohësisht vendin tonë mund të nxjerrin jashtë saj valutë në kesh dhe/ose në çeqe udhëtarësh deri në shumën e deklaruar përpara autoriteteve doganore, kur kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo shumë duhet të justifikohet me paraqitjen e deklaratës së plotësuar në momentin e hyrjes dhe dokumentet që shoqërojnë ndryshimet, nëse ka të tilla. Sa u përket lëvizjeve fizike të arit dhe të metaleve të çmuara në pikat doganore, rezidentët dhe jorezidentët kanë të drejtë të transferojnë nga brenda-jashtë territorit të Shqipërisë, arin dhe metalet e çmuara të standardizuara, vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara nga BSH-ja. Ata mund ta transferojnë arin dhe metalet e tjera të çmuara të pastandardizuara nga pikat doganore, vetëm pas deklarimit në lidhje me burimin (origjinën) e tij, qëllimin e transferimit, sasinë që kërkohet të transferohet, kthimin ose jo të metaleve të çmuara dhe formën e kthimit. Dokumentacioni nuk kërkohet vetëm për bizhuteritë e përdorimit personal. Lidhur me transferime të kapitalit jashtë vendit, rregullorja përcakton se ai mund të kryhet nga persona fizikë, nëpërmjet subjekteve të licencuara nga BSH-ja, pas deklarimit të qëllimit të transferimit të kapitalit, deklarimit të burimit të krijimit të kapitalit që transferohet, shumës së kapitalit dhe adresës ku do të transferohet.

Pastrimi i parave

Rregullorja e re e BSH-së lidhur me luftën kundër pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit, subjektet (banka, noterë, etj) njoftohen se ka një serë treguesish anomalish në sjelljen e klientëve, të cilat ata janë të detyruar ti evidentojnë zyrtarisht e të njoftojnë menjëherë Bankën Qendrore. Pasi sjellje të tilla mund të fshehin tentativa për transaksione të dyshimta. Këtu përfshihen klientë ose përfaqësues të tyre që paraqesin dokumente identifikimi me origjinë të dyshimtë, klientë që japin si adresë të tyre një adresë të një personi të tretë, klientë që hapin disa llogari dhe kryejnë transferta të shpeshta të fondeve midis tyre, klientë që kryejnë transaksione me partnerë jo të zakonshëm, mosjustifikimi me dokumentacion përkatës i veprimeve të kryera nga jorezidentët me llogaritë e hapura pranë subjekteve. Po kështu, ka raste kur klientë në vështirësi ekonomike, papritur kërkojnë të shlyejnë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e veta me anë të derdhjeve të papritura me një vleftë të madhe, pa një justifikim të dukshëm dhe pa saktësuar origjinën e fondeve.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›