Haxhinasto: ”Mitingu shpreh vullnetin e shqiptarëve”
Zëvendëskryetar i LSI-së, Edmond Haxhinasto, e konsideroi mitingun e datës 8 dhjetor si shprehje të vullnetit të shqiptarëve. Sipas tij, mitingu ishte i përmasave të mëdha dhe shprehu vullnetin e shqiptarëve për të vazhduar rrugën e nisur të reformave që i çojnë ata më afër Bashkimit Europian. “Dita e djeshme ishte një konfirmim tjetër i rëndësishëm se axhenda e Shqipërisë dhe shqiptarëve është integrimi, lëvizja e lirë, punësimi e reformat e tjera, dhe jo axhendat personale të ndonjë lideri politik.
Uroj që gjithkush ta ketë lexuar dhe kuptuar mirë mesazhin e djeshëm, veçanërisht lidershipi i Partisë Socialiste, dhe të reflektojë duke pasur parasysh përgjegjësitë politike dhe institucionale, përgjegjësi që sigurisht nuk kanë të bëjnë as me bojkotin, as me qëndrime destruktive që dëmtojnë sadopak imazhin e vendit, por nuk cenojnë aspak stabilitetin politik e institucional të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtar të BE”, - theksoi Haxhinasto. Haxhinasto u shpreh edhe për punimet e Kongresit të 8-të të Partisë së socialistëve europianë, ku mori pjesë edhe LSI-ja me një delegacion të kryesuar nga kryetari i saj, Ilir Meta dhe PS-ja nga Edi Rama. Ai theksoi se nuk ka ndonjë rezolutë të Partitë Socialiste Europiane ku të theksohej zgjidhja e krizës dhe hapja e kutive. “Nuk ka pasur asnjë rezolutë, asnjë raport, asnjë deklaratë që të bëjë një kërkesë të tillë. Kjo u tha në mënyrë të qartë edhe nga zëdhënësja e Partisë Socialistëve Europiane, dje, në komunikatën e saj me shtypin shqiptar”, - theksoi Haxhinasto. Ai theksoi se Rassmusen theksoi që rruga e komunikimit mes palëve politike në Shqipëri është dhe duhet të jetë institucionale. Sipas Haxhinastos, anëtarët e PSE-së, deklaruan se PS-ja duhet të kthehet në Parlament. “Aq më tepër që edhe familja politike e partive socialiste europiane, që normalisht është një forum i partive socialiste dhe socialdemokratëve e kanë thënë me forcë në të gjitha takimet që kemi pasur, qoftë me parti anëtare të këtij forumi, por dhe me drejtuesit e tjerë të lartë, si me presidentin e ri të zgjedhur, Rasmussen, që theksoi se rruga e komunikimit politik në Shqipëri duhet të jetë ajo e institucioneve. Pra, PS-ja të kthehet në Parlament dhe ta zhvillojë gjithë aktivitetin e saj aty, dhe jo në rrugë”, - theksoi Haxhinasto. Për faktin se gjatë mitingut munguan flamujt e LSI-së, ai e komentoi me faktin se më i rëndësishëm është vullneti i popullit, sesa mungesa e flamujve partiakë.
10 Dhjetor 2009