Aldo Bare braktis seancen, rrezohen pretendimet e tij
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi dje Gjykatës që të mos pranojë asnjë nga kërkesat e kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Sipas prokurorëve të çështjes, i pandehuri edhe në momentin kur ka qenë i arrestuar në Turqi është njoftuar për të gjitha veprimet hetimore nëpërmjet avokatit që mbronte interesat e tij në Turqi.
Seanca e djeshme vijoi pa praninë e të pandehurit. Ky i fundit kishte shkruar një letër ku ankohej se jo vetëm kishte probleme shëndetësore, por edhe se drejtuesit e burgut nuk e kishin lejuar që prej kohësh të zhvillonte takim me avokatin e tij, Vladimir Meçi. “Unë nuk mund të paraqitem në gjykatë për shkak të gjendjes sime jo të mirë shëndetësore. Por, dua të them se prej disa kohësh avokati që mbron interesat e mia në gjykim, Vladimir Meçi, nuk është lejuar nga autoritetet e burgut të më takojë”. Pasi ka lexuar këto dy arsye të shkruara në një copë letër nga Aldo Bare, trupi gjykues ka vijuar seancën duke shpallur mungesën e tij. Ndërkohë që akuza, nga ana e saj, i ka thënë gjykatës se nuk duhet të marrë parasysh asnjë nga kërkesat e parashtruara në deklaratën e një jave më parë nga avokati Vladimir Meçi. Sipas akuzës, arrestimi, hetimi dhe më pas zgjatja e afateve të hetimit për të gjitha veprat penale që rëndojnë mbi Aldo Baren, janë kryer në bazë të të gjitha rregullave. Sipas akuzës, Aldo Bare, së bashku me avokatin e tij janë duke bërë manovra nga më të ndryshmet për t’iu shmangur hetimit gjyqësor. Në përfundim të fjalës së tij, prokurori i çështjes, Genti Trenova, kërkoi të mos merren parasysh kërkesat e avokatit Meçe, për klientin e tij Aldo Bare dhe të vazhdojë gjykimin për të gjitha veprat penale që ai akuzohet. Gjykata do të shprehet me vendim për të gjitha kërkesat e Bares në datë 10 shkurt. Nga ana tjetër avokati ngul këmbë se dy prej akuzave të ngritura në kohë nga prokuroria kundër Aldo Bares, janë parashkruar. Sipas avokatit, shkatërrimi i pronës me zjarr dhe dhunimi i varreve, nuk mund të jenë në dosje, pasi janë akuza që kanë më shumë se pesë vjet që janë kryer dhe nga koha e kryerjes nuk është bërë asnjë veprim procedural. Pas kërkesave të shkurtra të bëra në seancë gjyqësore, gjykata vendosi ta shtyjë gjyqin për një datë tjetër.
Korrupsioni, ndiqet penalisht punonjësja e Shoqatës së Invalidëve
KORÇË - Mori 2800 lekë për një librezë invaliditeti, kur tarifa ishte vetëm 700 lekë, ndiqet penalisht për “korrupsion” Rajmonda Jaupi, punonjëse e Shoqatës së Invalidëve në Korçë. Arrestimi i saj ka ardhur pasi në emisioni “Fiks fare” janë shfaqur pamje filmike ku kjo punonjëse i ka marrë shtetases V. H. një shumë prej 2 800 lekësh për të nxjerr librezën e invaliditetit. Këto lekë i ka marrë Rajmonda Jaupi, e cila ka prerë një faturë prej 700 lekësh, duke përfituar për veten e saj pjesën tjetër të parave. Nga ana e policisë u kryen verimet e nevojshme procedurale në ngarkim të Jaupit, e cila do të ndiqet në gjendje të lirë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Korçë për hetime të mëtejshme.
Sherr mes dy pronareve të dyqaneve, njëra në spital
DURRËS - Sherri mes dy femrave teksa punonin pranë dyqaneve ka dërguar njërën prej tyre në spital për ndërhyrje mjekësore. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm në Lagjen Nr. 4 të qytetit bregdetar. V. Xh., 48 vjeçe, lindur e banuese në Lagjen Nr. 8 Durrës, ka goditur me sende të forta 56-vjeçaren T. J. Gjithçka ndodhi në kohën kur të dyja ishin duke pastruar para lokaleve të tyre në Lagjen Nr.4 të qytetit. Ndërsa pastronin pjesën jashtë dyqaneve, në rrethana të paqarta, ato janë përplasur me fjalë mes tyre dhe më tej ka nisur përleshja. Policia tha se 48-vjeçarja V. Xh. e plagosi me sende të forta 56-vjeçaren, prandaj me mbërritjen e uniformave blu ajo u shoqërua në komisariat dhe tani përballet me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje dhe një dosje penale i kaloi për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Thyen kompjuterët, ndiqet penalisht 31-vjeçari
POGRADEC - Thyen kompjuterët, ndiqet penalisht 31-vjeçari E. Gora. Hetimi lidhur me këtë ngjarje ka nisur pas denoncimit të bërë nga pronari i pikës së kompjuterëve, i cili në polici ka deklaruar se i janë dëmtuar dy kompjuterë elektronikë lojëra fati në ambientet e dyqanit të tij. “Në ambientet e brendshme ka qenë vetëm E. Gora, pasi unë për momentin ndodhesha në katin e dytë të banesës dhe kur jam kthyer kam parë dy kompjuterët e dëmtuar” – mësohet të ketë thënë përpara policisë pronari i kësaj pike lojërash fati, M. Doko. Uniformat blu të Pogradecit kryen të gjitha hetimet dhe dosjen ia kaluan Prokurorisë së këtij qyteti për hetime të mëtejshme lidhur me veprën penale të “shkatërrimit të pronës”.
4 Shkurt 2010