E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndëshkimi i Parlamentit Europian, shkrihet Komiteti me Shqipërinë

STRASBURG - Parlamenti Europian shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit duke mos ngritur një komitet BE-Shqipëri jashtë strukturës së vjetër të delegacionit për Ballkanin. Sipas raportimit të Top Channel, nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Parlamenti i Bashkimit Europian vendosi të mos krijojë strukturën e posaçme, siç e kërkon nenet 10 dhe 122 të MSA-së. "Konferenca e kryetarëve të delegacioneve vendosi se Komiteti i Përbashkët i Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë do të jetë brenda Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore. Kjo do të thotë se brenda këtij delegacioni do të kemi një komitet special me, nuk e di..., 13 apo 15 anëtarë, që do të merren me kolegët nga Shqipëria", - shprehet kreu i Delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan. Ndërsa Maqedonia dhe Kroacia, pas hyrjes në fuqi të MSA-ve respektive, i kanë marrëdhëniet me komitete të veçanta jashtë delegacionit për Ballkanin, për Shqipërinë është lënë në fuqi e njëjta strukturë që ekzistonte përpara ratifikimit të MSA-së, duke shtuar vetëm një pikë diskutimi në mbledhjet rutinë; zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Takimi i parë pritet të mbahet gjatë muajit prill. "Nuk ishte një çështje politike, por thjesht fakti që ne nuk kishim kapacitete të mjaftueshme për të krijuar delegacione të reja; për këtë arsye i mbetemi Delegacionit europarlamentar për Ballkanin, në të cilin Shqipëria është njëra palë", - shprehet europarlamentarja Doris Pak. Si gjatë legjislaturës paraardhëse, edhe në këtë aktualen, Parlamenti Europian mundi të gjente kapacitetet e nevojshme për të ringritur komitetet e përbashkëta parlamentare me Kroacinë dhe Maqedoninë, ndërsa ka vendosur të përdorë strukturat e vjetra vetëm për rastin e Shqipërisë.
"Shqipëria nuk duhet të frikësohet nga kjo gjë; është vërtet një problem teknik në Parlamentin Europian; nuk do të thotë se ne nuk jemi të interesuar për Shqipërinë. Më besoni. Ju mund të ndieni që kjo nuk është e ndershme, por ky ishte vendimi politik që u mor dhe kjo gjë do të përdoret dhe në të ardhmen me vendet e tjera", - shton Pak. Deklarata për vendim politik nga kreu aktual i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, bie ndesh me atë të paraardhëses së tij Doris Pak, sipas së cilës, bëhet fjalë për një problem teknik të Parlamentit. Tashmë pritet vendimi që Strasburgu do të marrë për ngritjen ose jo të komiteteve respektive për Malin e Zi dhe Serbinë, gjë që do të nxjerrë në pah edhe motivet që sollën mosngritjen e një strukture të ngjashme me Shqipërinë, ashtu siç e kanë edhe vendet e tjera kandidate për në BE.

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›