E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaxhiu: Ana e panjohur e politikës shqiptare në korridoret e Strasburgut

Intervistë me gazetarin Rezear Xhaxhiu, që ndjek punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg
Eneida Jaçaj

Thotë se ka parë dhe ka dëgjuar shumë brenda sallave dhe korridoreve të pallatit të Këshillit të Europës në Strasburg. Rrezear Xhaxhiu është ndjerë shpeshherë keq me ato çfarë ka përcjellë në Tiranë, sepse, sipas tij, gjithnjë ka pasur një rast shqiptar në Strasburg. Prej 15 vitesh korrespondenti që mbulon Këshillin e Europës rrëfen ato që ai nuk i përcjell në formën e lajmit. Kulisat dhe bisedat e korridoreve, delegacionet shqiptare dhe atë çfarë ka ndodhur në debatin e 1996-s.

Përtej lajmeve që u transmetuan mbi debatin për Shqipërinë, çfarë ishte “java shqiptare” në Këshillin e Europës?

Ishte një skemë tip që do të thotë me pak fjalë një delegacion që nuk pranohet apo pranohet përgjysmë. Që një herë ia ngrijnë kredencialet e më pas ia shkrijnë. Ka ndodhur edhe një vit më parë kjo skemë me rastin Biberaj. Dhe të mendosh se një anomali e tillë e turpshme na ndodh vetëm ne dhe Armenisë. Pra, thënë më thjeshtë, cicmicet tona provinciale i eksportojmë në formën më të shëmtuar në godinën qendrore të ruajtjes së demokracive europiane. Ka gjithnjë një rast shqiptar në korridoret dhe sallat e Këshillit të Europës. Ndaj jemi atje ku jemi nisur 15 vite më parë, kohë kur aderuam në Këshillin e Europës. Pra thjesht je Shqipëri që lë nam.

Çfarë doni të thoni me këtë të fundit?

Duhet të jesh brenda korridoreve të pallatit të Strasburgut për të kuptuar këtë që sapo thashë. Pra të shikosh se si delegacioni shqiptar nuk komunikon me delegacionin shqiptar. Njëra pjesë e tij i vidhet pjesës tjetër, të shikosh më pas se si njëra pjesë e delegacionit bredh korridoreve e kafeneve, pasi nuk mund të marrë pjesë në debatin për Shqipërinë, pasi nuk ka mandate, të shikosh se si njëra pjesë tjetër e delegacionit të vrapojë te telefoni më i parë për të dhënë një lajm të bujshëm që mbështet maxhorancën. E pak më pas të dëgjosh pjesën tjetër që po këtë lajm e jep në favor të mbështetjes së opozitës. Është një teatër i madh. Kjo e fundit, pra opozita, u përfaqësua me një treshe deputetësh. Si u prit qëndrimi i saj? Ishte një dërgatë e drejtuar nga Arta Dade. Dade është një njohëse e mirë e pallatit të Strasburgut, pasi ka qenë dikur pjesë e një delegacioni permanent. Unë mora pjesë në një mbledhje të grupit socialist, aty ku tanët do të rrëfeheshin e do të kërkonin mbështetje. Zonja Dade arriti ta kontrollojë sallën. Ndoshta edhe falë një anglishteje perfekte. Megjithatë, nuk arriti të amortizojë goditjet brenda familjes së majtë. Pati shumë rezerva për bojkotin e PS-së. Europianët nuk arrijnë t’i kuptojnë skemat e politikës shqiptare. Atje u tha që edhe njihni zgjedhjet edhe nuk hyni në Parlament dhe se më mirë është që PS-ja të gjendet brenda se sa të rrijë jashtë. Mekshajer, një deputet anglez në mos gaboj, tha se nuk duhet ta lëmë Shqipërinë të rrëshqasë drejt rastit armen, ku pati 8 të vrarë nga ana e opozitës si rezultat i mitingjeve. Trishtoheshe sa herë që Shqipëria krahasohej me Armeninë. Dhe kjo bëhej shpesh.

Si punohej për të krijuar lobing mes europianëve? Pra për të gjetur një mbështetje politike?

Punohet gjithnjë mbi bazën e njohjeve personale. Zakonisht tentohet te deputetët e vendeve mike, vendeve fqinje, vendeve të vogla, vendeve të ngjashme me problemet tona e më pas drejt deputetëve që përfaqësojnë korrente të ndryshme. Rëndësi merr fakti se sa karizmatik, pra se sa të pranon tjetri. Aleksandër Biberaj, më kujtohet, ka qenë një mjeshtër i vërtetë i këtij zanati. Arrinte të imponohej dhe krijoi shumë miq. Po kështu Kastriot Islami ka qenë një kockë e fortë në Pallat.

Po flisni për delegacionin tonë një legjislature më përpara?

Ka qenë pa dyshim një ndër delegacionet më dinjitoze që kemi pasur ndonjëherë në Këshillin e Europës. Mjafton t’ju kujtoj se në përbërje të tij ka pasur dy ish-ministra të Jashtëm, Paskal Milo dhe Kastriot islami. Ishte një ekip që bënte përshtypje edhe për faktin se i shikoje bashkë opozitë dhe pozitë falë edhe kryetarit të delegacionit, zoti Biberaj. Ka shumë diferencë mes një delegacioni të mirë dhe një delegacioni të politizuar. Unë kam eksperienca nga më të çuditshmet me delegacionet shqiptare.

Ju keni rreth 15 vjet që e ndiqni Këshillin e Europës. Çfarë kujton diçka që t’ju ketë lënë mbresë, ose që nuk do të donit ta rikujtonit?

Ka qenë një seancë debatesh menjëherë pas zgjedhjeve të kontestuara të majit 1996. Në mos gaboj në atë kohë në Strasburg ishin Dokle, Shehu, Ceka, Pollo, Vasil Melo, Gjinushi. Debati u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave. Një rast i rrallë ky. Në një moment pak para fundit nga mbledhja del një deputet irlandez. E pyes se çfarë po zhvillohej brenda, më tha me shumë entuziazëm: “Atje është luftë e vërtetë, ka shumë gallatë. Më kujtojnë të parët e mi”. Dhe të mendosh se të parët e europianit irlandez ishin druvarët e pyjeve të pafundme të Irlandës së mesjetës. Kaq mjaftonte të kuptoje se çfarë realisht po ndodhte atje. Ka edhe raste të tjera. Më kujtohet Berisha në opozitë kur bridhte nëpër kafet dhe korridoret e pallatit me dosjen e manipulimit të zgjedhjeve dhe me kasetat filmike të zgjedhjeve të 2001-shit, në mos gabohem.

Si është të informosh nga Këshilli i Europës? Çfarë duhet të kesh parasysh? Ka ndodhur që palët të mos kënaqen me informacionet e dhëna?

Ka gjithnjë pakënaqësi. Çdokush nga të delegacionit kërkon që në Tiranë të përcillen informacionet që i interesojnë. Në fakt e arrijnë këtë gjë përmes kanaleve të tyre të informacionit. Por unë kam një sekretin tim. U qëndroj larg dhe përpiqem të mos kontaktoj me ta ditët e mia të qëndrimit atje. Ose të filtroj çdo lloj informacioni që ata më servirin si të vërtetë. Dhe besoj se ia kam dalë që të jem ai që jam. Ndryshe nuk do të qëndroja aq gjatë si korrespondent i një institucioni të tillë prestigjioz. Ndjehem shumë i vlerësuar kur mendoj se janë europianët ata që më kanë besuar të përcjell çfarë ka ndodhur me këtë organizatë në këto 15 vitet e fundit. Sepse të ishte për shqiptarët, besoj se nuk do ta kisha këtë fat.

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›