Tahiri: “Ngritja e komisionit hetimor është tërësisht ligjore”
Partia Socialiste ka deklaruar dje se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar është tërësisht ligjore dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas deputetit Saimir Tahiri, asnjë institucion tjetër nuk ka në veprimtarinë e tij kushtetuese hetimin e zgjedhjeve, hetimin e zbatimit të ligjit zgjedhor apo hartimin e rekomandimeve dhe nismave ligjore për të përmirësuar këtë situatë duke parandaluar përsëritjen e manipulimeve në të ardhmen. “Të hetosh manipulimin e zgjedhjeve, të hetosh nëpërmjet provave të padiskutueshme nëse manipulimi zgjedhor vjen si pasojë e një sipërmarrjeje të organizuar apo fenomen spontan, të hetosh se si mund të përmirësohet kjo gjendje, është një tagër absolut dhe prerogativë e padiskutueshme e Kuvendit nëpërmjet një komisioni parlamentar”, - u shpreh Tahiri. Për socialistët, çdo skemë tjetër e maxhorancës për të anashkaluar hetimin e plotë e të vërtetë të zgjedhjeve të 28 qershorit nga ana e opozitës do të minojë përfundimisht tryezën e dialogut mes palëve, moment ky që sipas deputetit Tahiri do të përcaktonte largimin përfundimtar të kryeministrit Berisha. "Duhet theksuar se çdo iniciativë e njëanshme e maxhorancës për t’i hetuar vetë ajo zgjedhjet do të jetë antikushtetuese dhe do ta minojë njëherë e mirë e tryezën e dialogut mes palëve", - theksoi Tahiri. Ai theksoi se PS-ja nuk do ta ndërpresë bojkotin deri në momentin kur maxhoranca do të lejojë hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe në këtë situatë, deputeti Tahiri tha se asnjë deputet nuk do të humbë mandatin e tij dhe nuk do të tërhiqet as përballë presionit të shumicës dhe as deklaratave të grupit të 3 deputetëve të kryesuar nga Blushi.
4 Shkurt 2010