Udhëtimet turistike, shqiptarëve u kushtojnë më shumë nga gjithë rajoni
Ervin KOÇI
Shërbimet turistike që u ofrohen konsumatorëve shqiptarë nga agjencitë turistike vendase, janë më të shtrenjtat në të gjithë Europën. Mungesa e një enti të specializuar shtetëror që të kontrollojë aktivitetin e këtyre agjencive, si dhe ujdia mes këtyre të fundit për të mbajtur çmime aspak konkurruese, ka bërë që shqiptarët të paguajnë disa herë më tepër për ato paketa dhe shërbime që gjermanët, rusët, italianët dhe të gjithë vendet fqinje të rajonit paguajnë zakonisht çdo vit. Paketat turistike, biletat e avionëve ose anijeve, taksat dhe të gjitha pagesat për shërbimet shtesë, janë disa herë më të mëdha se ato që paguajnë turistët e vendeve të tjera për të njëjtat vende ku shkojnë edhe shqiptarët. Një ndër zërat që u shton shqiptarëve shpenzimet për turizmin jashtë vendit, është pikërisht udhëtimi i cili zë dhe peshën më të madhe në llogarinë e shërbimeve. Pikërisht kostoja e udhëtimit, përbën rreth tre të katërtat e shpenzimeve në total për çdo turist shqiptar që niset jashtë vendit për disa ditë pushime. Por rritje kanë pasur edhe të ardhurat nga ky shërbim për vendin tonë. Kështu bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një suficit prej rreth 84 milionë eurosh gjatë muajve janar-shtator 2009.
Studimi
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 543 milionë euro në tremujorin III, ose 40 për qind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Ky vit është karakterizuar nga një rritje e konsiderueshme e numrit të udhëtarëve jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe e shpenzimeve mesatare ditore të tyre, ndërkohë që, koeficienti i ditëqëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë. Në të njëjtën mënyrë, rezidentët shqiptarë kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 453 milionë euro gjatë periudhës korrik-shtator 2009, ose 54 për qind më shumë se një vit më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht rritja numrit të udhëtarëve shqiptarë jashtë vendit, si dhe rritja e shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që ka ruajtur të njëjtin nivel koeficienti i vlerësuar i ditëqëndrimit mesatar.
Kriza në turizëm
Sezoni turistik në vend nuk mund ta fsheh krizën që e ka mbërthyer ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë. Edhe pse u premtua nga Ministria e Turizmit se, viti 2009 do të regjistronte dyfishin e sasisë së turistëve që kishin ardhur një vit më parë, deri tani sipas statistikave zyrtare numri është shumë herë më i ulët, në një kohë që turistët më të shpeshtë janë vetëm ata transit ose me qëndrim njëditorë. Numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2009 (6-mujori) është rreth 951.495 persona. Këtu përfshihen vizitorët e huaj më rreth 522.197 nga të cilët 13.384 janë vizitorë ditorë (vijnë dhe ikin brenda një dite, ose eskursionistë), ndërsa 508.813 janë vizitorë me net-qëndrimi ose turistë, edhe pse rijnë jo më shumë se një natë. Vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme janë rreth 429.298 persona. Periudha janar-qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje me vetëm 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar (2008), ndërkohë që kjo rritje në krahasim me vitin 2005 është 2.4 herë më shumë. Me rrugë tokësore hynë 71 për qind e vizitorëve, 19 për qind me rrugë ajrore dhe 10 për qind me rrugë detare. Sipas qëllimit të udhëtimit për periudhën janar-prill raporti në përqindje ishte 82 për qind për pushime, 5 për qind për biznes, 3 për qind vizitorë ditorë dhe 10 për qind të tjerë. Për këtë periudhë numrin më të madh të turistëve e zunë europianët me 92 për qind, më pas amerikanë, aziatikët dhe të tjerë me respektivisht 5, 2 dhe 1 për qind.
4 Shkurt 2010