Aldo Bare “çlirohet” nga vrasja e Dajës, por jo nga burgu përjetë
Tiranë- Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me burgim të përjetshëm për Aldo Baren, i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda të kryera si kreu i një prej bandave më famëkeqe në vend. Dy përfaqësuesit e akuzës lexuan para gjykatës pretencën prej rreth 50 faqesh, ku janë renditur të paktën katër vrasje, disa tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, vepra këto të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Sipas pretencës, që u referohet ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit 1998 e në vazhdim, thuhet se banda e Lushnjës, e kryesuar nga Aldo Bare, e ka zanafillën e saj në verën e vitit 1997, kur vritet vëllai i tij Ramadan Shkurti. Pas kësaj vrasjeje, Bare merr përsipër të zhdukë gjithë personat e përfshirë në të, me në krye Artur Dajën, personin që do të konsiderohej si armiku i tij i përbetuar. Madje, kjo akuzë ka qenë e para të top- listën e Prokurorisë, por dje çuditërisht dy përfaqësuesit e akuzës kanë vendosur ta lirojnë Aldo Baren nga vrasja e Artur Dajës. Sipas përfaqësuesve të akuzës, gjatë këtij procesi gjyqësor u arritën të provohen të gjitha akuzat, përveç vrasjes dhe dekapitimin (prerjen e kokës) e Artur Dajës, duke lënë në fuqi akuzën e tentativës së vrasjes ndaj tij. Sipas prokurorëve, nuk ka prova për këtë akuzë, prandaj është vendosur tërheqja e saj. Prokurorët thanë se Aldo Bare duhet të shpallet fajtor për të paktën 16 akuza, katër prej të cilave janë vrasje, ndërsa të tjerat vepra të rënda penale, të kryera në kuadër të organizatës kriminale që ai drejtonte. Për çdo akuzë për vrasje, njësoj si pjesa tjetër e “Bandës së Lushnjës”, që tashmë është dënuar, përfaqësuesit e akuzës kërkuan dënimin me burgim të përjetshëm të Aldo Bares. I cilësuari i kreu i “Bandës së Lushnjës”, ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, teksa prokurorët kërkonin dënimin e tij me burg të përjetshëm, por ka qëndruar i qetë. Ndryshe nga seancat gjyqësore ku ai nuk ka ngurruar të kërcënojë jo vetëm dëshmitarë e prokurorë, por edhe Kryeministrin e vendit, gjatë seancës së djeshme Bare ka pritur me qetësi kërkesën e prokurorëve. Sipas akuzës, Alfred Shkurti alias Aldo Bare, është përgjegjës për vrasjen e Genci Kasharit, Masar Aliut, Xhevat Demiri dhe Nimet Zenelit. Po sipas Prokurorisë, Bare duhet të shpallet fajtor edhe për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selmanit, një prej dëshmitarëve kryesor të këtij procesi, edhe pse statusi i tij në raport me drejtësinë mbetet i paqartë, si dhe ndaj Masar Aliut e Artur Dajës. Prokurorët thanë se akuzat e tjera që rëndojnë ndaj Bares janë ato të shkatërrimit të pronës me zjarr, në dëm të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu, i thirrur si dëshmitar në proces, por që rezulton të jetë jashtë vendit; si dhe krijim të organizatës kriminale dhe kryerjes së krimeve nga organizata kriminale. Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, është cilësuar nga Prokuroria si kreu i një prej bandave më të rrezikshme në vend, asaj të Lushnjës. Një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare mundi të përballet me gjykatën vetëm në vitin 2009, pas ekstradimit të tij nga Turqia, ku qëndronte i arrestuar që prej vitit 2005.