Topi në KLD: Të hiqet imuniteti i gjyqtarëve
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka udhëzuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë që të përgatisë në një kohë sa më të shkurtër draftin për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Qëndrimi i Presidentit, i cili është njëherësh dhe kreu i KLD-së, ka qenë i drejtpërdrejtë, duke kërkuar që ky të ishte angazhim themelor i KLD-së. “Jemi në këtë tavolinë dhe patjetër po diskutojmë për imunitetin e gjyqtarëve. Janë bërë shumë apele kohë mbas kohe. Patjetër duhet të ndajmë të gjithë disponibilitetin që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjyqtarët, por kjo nuk duhet të mbetet thjesht në shprehjen e gatishmërisë, por duhet të institucionalizohet! Kështu që unë ju bëj thirrje, zoti Spahiu, që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të shprehet haptas për këtë”, -tha Topi në mbledhjen e djeshme të KLD-së. Në fjalën e tij Presidenti tha se Këshilli dhe shoqatat e gjyqtarëve duhet të angazhohen së bashku në hartimin e një ligji, që parashikon kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe që, sipas Presidentit, do të sillte një atmosferë më të besueshme dhe më normale në radhët e gjyqësorit. “Kjo do ta çlironte gjyqësorin, do të çlironte marrëdhëniet, do të bënte që ne të vepronim më drejtpërdrejt, për të bërë dhe transparencën e punës së çdo gjyqtari që vjen dhe paraqitet këtu në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për probleme të cilat Inspektoriati i ka nxjerrë në dritë. Kjo do ta bënte punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë më të zhdërvjelltë, punën e gjykatave më të zhdërvjelltë dhe besoj do të ishte më afër problemeve dhe jetës së qytetarit”, - nënvizoi Presidenti. Një tjetër çështje, për të cilën presidenti Topi ka mbajtur qëndrim, ka qenë procesi i Gërdecit. Duke vënë në dukje ndjeshmërinë publike mbi ecurinë e kësaj çështjeje, kreu i shtetit ka theksuar se është i nevojshëm dhe i domosdoshëm një filtrim i mënyrës sesi janë zhvilluar deri më tani seancat gjyqësore të kësaj çështjeje, ku javën e kaluar katër të pandehurit që ishin në paraburgim u liruan, pasi skaduan afatet e mbajtjes së tyre. “Unë padyshim që do ta ndjek së bashku me ju, edhe sot gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe në pritje të një inspektimi të plotë, për të parë të gjitha procedurat që janë realizuar, për t’i parë ato sa kompatibël kanë qenë me ligjin, sa kompatibël kanë qenë me moralin dhe integritetin e gjyqtarëve, dhe kjo nuk është një çështje e një trajtimi personal, individual. Kjo është një çështje e një trajtimi ligjor institucional, dhe kush më shumë se sa Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili në këtë çështje, së bashku me Inspektoriatet, sikurse thashë, janë të gjithë të motivuar, të mund ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të drejtë dhe shumë të ndershme dhe profesionale”, - tha Presidenti. Në fjalën e tij, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka vënë theksin edhe në lidhje me standardin e dyfishtë që janë vërejtur në vendimet e gjykatave, ku për çështje të njëjta janë dhënë vendime të ndryshme. “Kemi vënë re dhe kam dëgjuar dhe prej jush, për çështje të ndryshme, në larminë e jashtëzakonshme të problemeve që ka gjyqësori, çështje të caktuara që mund të kenë të njëjtën filozofi, të njëjtën pamje, zgjidhen me standarde të dyfishta. Kjo nuk është e përgjithshme sigurisht, por këto janë episode të cilat duhet të jenë në vëmendjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që Këshilli, ky autoritet suprem do të thoja për gjykatat shqiptare, të jetë me një autoritet të plotë, të jetë koshient për detyrën e tij, për situatën mjaft të larmishme të ngjarjeve, kur kërkohet mbi të gjitha që të respektohet”, -ka deklaruar Presidenti.