E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani për vrasjen e Ramës, lirohet i dyshuari i parë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 17-02-2011 10:39

Tiranë- Gjykata e Apelit ka liruar një prej “atentatorëve” të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërsa fati i dy kushërinjve Rami do të vendoset paraditen e sotme. Gjatë seancës së masës së sigurisë, Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin nga burgu të Afrim Kicës, i cili deri më tani qëndronte në qeli, si dhe caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për të. Ky vendim erdhi pas mungesës së provave për përfshirjen e tij në atë që u quajt plan për vrasjen e Edi Ramës. Nga ana tjetër, prokurori i çështjes ka kërkuar shtyrjen e dhënies së vendimit për Luan e Fatos Ramin për ditën e sotme, duke e argumentuar këtë kërkesë me faktin se pritet që fashikullit hetimor t’i bashkëngjitet dhe vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, për lejimin e përgjimeve të tre personave në fjalë. Gjyqtari Hysni Demiri, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës për shtyrjen e seancës për ditën e sotme. Nga ana e tij avokati i Luan e Fatos Ramit, Alfred Duka, ka pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë dhe për rrjedhojë klientët e tij duhet të lirohen.

Kjo histori nisi në datën 21 Janar, ku gjatë demonstratës së dhunshme protestuesit kishin dëmtuar makinën në pronësi të Luan Ramit. I revoltuar, Rami, ish-drejtor i KESH-it në Burrel dhe simpatizant i Partisë Demokratike, i ka dërguar një SMS kreut të PS-së, Edi Rama, ku i kërkonte dëmshpërblim për makinën. “Protestuesit tuaj më kanë dëmtuar makinën, prandaj kërkoj zhdëmtimin e saj. Luan Rami, Burrel” – mësohet të ketë qenë teksti i SMS së dërguar kreut të PS-së. Më pas, ky episod është bërë objekt i disa bisedave të Ramit me miq të tij, disa prej të cilëve pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, në rrethin e Matit, duke e kthyer në çështje serioze, aq sa në lojë të hynte edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Nëpërmjet disa përgjimeve parandaluese të SHISH-it, të cilat më pas janë referuar në Prokurori, është mundur të zbulohet se tre të arrestuarit komunikonin mes tyre, duke sharë kreun e opozitës apo paralajmëruar hakmarrje për djegien e makinës, gjatë demonstratës së opozitës. Në përgjime ka edhe biseda mes tyre, për të siguruar një “kitarë” apo një “stilolaps”, për çështje që lidheshin me Edi Ramën. Këto fjalë kyçe, të vendosura në kontekstin e situatës, janë interpretuar si armë që mund të përdoreshin kundër kreut të opozitës, por pas kontrolleve të kryera nuk është arritur të gjendet asnjë gjë komprometuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›