E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare, dështon në Turqi letërporosia

 

TIRANE – Njoftimi me letërporosi për Aldo Baren në Turqi, të akuzuar si kreun e “bandës së Lushnjës”, ka lënë në “vendnumëro” gjykimin e tij në Gjykatën për Krimet e Rënda në Tiranë. Për shkak se letërporosia e dërguar nga Ministria e Drejtësisë në Turqi, ku Bare ndodhet aktualisht, nuk është ekzekutuar, gjykata shtyu për tre muaj të tjerë seancën. Në seancën e djeshme, kryesuesja e pesëshes gjykuese, gjyqtarja Fatmira Hajdari bëri të ditur se Aldo Bare nuk ka marrë njoftim për gjykimin e tij në Shqipëri, pasi letërporosia e dërguar muaj më parë nuk është ekzekutuar. Referuar edhe kërkesës së Prokurorisë, Gjykata vendosi dje të ripërsërisë letërporosinë drejt Turqisë dhe caktoi datën 27 janar të vitit 2010 si seancën e radhës. Në seancën e djeshme u mësua se letërporosia, ku të akuzuarit si kreu i “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, aktualisht i arrestuar në Turqi, i bëhej me dije nisja e gjykimit ndaj tij në Tiranë. “Në datë 28.07.2009 Ministria e Drejtësisë i ka kthyer përgjigje Gjykatës për Krimet e Rënda se letërporosisë i është dhënë rrugë për ekzekutim në Turqi. Sot është data 27 tetor dhe në Gjykatë nuk ka ardhur asnjë përgjigje”, tha përpara palëve kryesuesja e seancës. Ndërkohë që në rrugë jo-zyrtare gjykata kishte informacion se nuk është realizuar ekzekutimi i letërporosisë. Në përfundim togat e zeza vendosën ripërsëritjen e letërporosisë dhe për t’i dhënë kohë të mjaftueshme ekzekutimit të saj caktuan seancën e ardhshme pas tre muajsh. Që pas arrestimit të tij në vitin 2005, Bare qëndron në Turqi. Gjykimi i tij te Krimet e Rënda u veçua nga Enver Dondollaku në maj të këtij viti, pasi gjykata pranoi gjykim të shkurtuar për Dondollakun.          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›