E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-agjenti Kumbaro: S’dua ekstradimin, do të më vrasin

 

Fatos Mahmutaj

Ekstradimi i Ilir Kumbaros, ish-funksionarit të SHIK-ut, i akuzuar në dosjen “Remzi Hoxha”, ka mbetur peng i disa dokumenteve të një eksperti nga Tirana për sigurinë e të pandehurit dhe situatën politike dhe atë të rendit e sigurisë në vend. Për këtë shkak, Apeli i Ekstradimeve në Londër ka shtyrë seancën e djeshme të procesit që ka nisur në këtë institucion pas ankimit të Kumbaros. Tashmë do të duhet të paktën edhe dy javë të tjera për të mësuar nëse ish-SHIK-asi, Kumbaro, njeriu kyç në rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, do të ekstradohet nga Britania e Madhe për t’u përballur me drejtësinë shqiptare. Gjatë ditës së djeshme pritej zhvillimi i seancës së Apelit kërkuar nga Kumbaro, pasi Gjykata e Ekstradimeve disa muaj më parë e cilësoi të drejtë kërkesën për ta ekstraduar, formuluar nga shteti shqiptar. Sipas korrespondentit të Top-Channel në Londër, Muhamed Veliu, avokatët kanë kërkuar më shumë kohë për të përgatitur apelin, çka detyroi gjykatën që të vendoste datën 11 nëntor 2009 për zhvillimin e seancës së Apelit në këtë proces ekstradimi, ndër më të rëndësishmit për drejtësinë shqiptare. Mësohet se shkak i shtyrjes së seancës në Gjykatën e Apelit, ishte një kërkesë e avokatëve të Kumbaros, të cilët janë në pritje të një sërë dokumentesh që do të vinë nga Shqipëria. Ata presin përfundimin e një raporti të detajuar, nga ekspertë për situatën politike dhe në veçanti të drejtësisë shqiptare, me të cilin tentohet bllokimi i ekstradimit. Burime nga Apeli i Ekstradimeve në Londër pohojnë se i kërkuari nga drejtësia shqiptare, Ilir Kumbaro, në seancën e zhvilluara në këtë gjykatë pritet që të paraqesë zyrtarisht, përmes avokatëve të vet pretendimin, se nëse ekstradohet në Shqipëri mund ta vrasin urdhëruesit e rrëmbimit të Remzi Hoxhës. Ndërkohë, më parë avokatët kanë pretenduar se ekstradimi i Kumbaros në Tiranë përbën shkelje të Konventës për të Drejtat e Njeriut. Tashmë pala mbrojtëse ka hequr dorë nga pretendimi se personi i arrestuar nuk është Ilir Kumbaro, por qytetari nga Kosova, Shaqa Shatri, siç pretenduan që në momentin kur Kumbaro u prangos në shtëpinë e tij në Londër. Ndërkohë në Tiranë, procesi “Remzi Hoxha” ka mbërritur në fundin e fazës së pyetjes së dëshmitarëve të Prokurorisë. Për rreth dy vjet me radhë janë pyetur dhjetëra dëshmitarë, ish-punonjës dhe funksionarë të SHIK-ut si dhe persona të ndryshëm që kishin dijeni për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Nga tre të akuzuarit e këtij procesi, aktualisht në qeli ndodhet vetëm Kumbaro, i arrestuar në Londër në bazë të urdhër-arrestit shqiptar, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi po gjykohen në gjendje të lirë, pasi kanë skaduar afatet e paraburgimit për ta. Në fillim të procesit, Kumbaro u përfaqësua me avokat kryesisht të caktuar nga gjykata, derisa pak muaj më parë familjarët e tij zgjodhën avokatët Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo për ta mbrojtur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›