E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit i ankohen Vocajt për sjelljen e policëve

 

TIRANE - Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, vizitoi dje shkollën “Vasil Shanto”, në kuadër të javës së vizitorëve të policisë. Gjatë takimit që kryepolici Vocaj zhvilloi me nxënësit e shkollës 9-vjeçare, nuk kanë munguar edhe vërejtjet që fëmijët kishin ndaj policëve rrugorë. Ata i janë ankuar drejtorit të Policisë së kryeqytetit, duke u shprehur se punonjësit e Policisë Rrugore duhet të jenë më të kulturuar gjatë shërbimit të tyre dhe gjithashtu kërkuan një sjellje më etike nga punonjësit e policisë në terren. Sipas nxënësve, shërbimi i kulturuar dhe etik do të ndikojë shumë që ata të kryejnë edhe një rol edukativ, sidomos ndaj fëmijëve. Pas bashkëbisedimit, përfaqësuesit e Policisë së Tiranës dhe ata të shkollës “Vasil Shanto” ranë dakord në vendosjen e një ure bashkëpunimi dhe dhënie informacioni për shkollat, me qëllim evidentimin e problematikave që i shqetësojnë nxënësit. Ndërsa kryepolici Ahmet Prençi ka hapur dyert e policisë për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi” në Tiranë.  Gjatë vizitës së tyre nxënësit u pritën në një takim të posaçëm nga Prençi, i cili shprehu kënaqësinë e tij për prezencën e fëmijëve në këtë ditë të veçantë, kur policia hap dyert për publikun. Po ashtu Prençi inkurajoi nxënësit e pranishëm që për çdo shqetësim t’i drejtohen punonjësve të policisë, qoftë në rrugë, në komisariate apo dhe përmes telefonit pa pagesë 129 dhe policia menjëherë do t’u gjendet pranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›