E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet dokumenti,si e ndiqte Sigurimi i Shtetit Eqerem Çabejn me urdhër të Enverit

 

Afrim imaj

“Enver Hoxha dhe Eqerem Çabeji janë dy personalitete të shquara të realitetit politik dhe kulturor të Shqipërisë, për të cilët duhet të krenohemi të gjithë”
E shfaqur ditët e fundit në publik me rrëfimet për të shoqin, Nexhmije Hoxha, rreket të zbulojë vlerat e tij, duke hulumtuar në retrospektivën e miqësisë së diktatorit me profesorin e shquar Eqerem Çabej, si dy vërsnikë nga Gjirokastra, me bashkëshorte dibrane(!) Me qasjen për të baras vlerësuar kontributet e dy bashkëmoshatarëve nga qyteti i ngurtë, gruaja më e fortë e regjimit komunist, orvatet të gjejë fabulën e rastit për t’u ofruar shqiptarëve të pavërtetat e radhës. Qysh në krye të shënimeve të saj, e veja e diktatorit, bën me dije lidhjet e hershme të Enverit me profesorin e nderuar, duke artikuluar takimet spontane dhe përkujdesjen e të shoqit për Çabejin e shquar. Sakaq, nuk harron të rrëfejë për respektin që ushqente Enveri ndaj vërsnikut të tij, të cilit siç pohon Nexhmija, i ka kërkuar disa herë ndihmën e vyer për të bërë shqipërime të  ndryshme në librat me kujtime. Po kështu, Hoxha nuk mund të harrojë interesimin e veçantë të së shoqit për shëndetin e Çabejit dhe ndihmën e tij për familjarët e tjerë në raste sëmundjesh e fatkeqësish. Pak a shumë e gjithë “miqësia” midis dy vërsnikëve fokusohet në kuadrin e këtyre detajeve që gjithsesi mbeten të dyshimta dhe rrëfenja vazhdon me kontributet historike të Enverit për zhvillimin e vendit drejt progresit dhe lirisë, çka është dhe qëllimi i saj. Mashtrimi këtë radhë është dyfish djallëzor. Pa u zgjatur me “kontributet” e diktatorit për Shqipërinë dhe shqiptarët, të ditura tashmë për gjithkënd me sy në ballë është me vend leximi i kujdesshëm i fabulës, që bën fjalë për “miqësinë” e Enverit me profesorin e shquar. Për të provuar sa e vërtetë ka qenë kjo lidhje vërsnikësh, mjafton të lexosh vetëm pak radhë nga dosja e sigurimit për Eqrem Çabeji e hapur me urdhër të Enver Hoxhës, ku zbulohet se gjatë tërë jetës studiuesi i shquar është gjurmuar nga Policia Sekrete dhe ka qenë nën vëzhgimin e agjentëve të fshehtë.  “Dosja Çabej” është nga më të hershmet në historinë e sigurimit të shtetit komunist. Fill pas çlirimit, me përkujdesjen e lidershipit politik për të pastruar radhët e intelektualëve nga kundërshtarët e regjimit dhe pjesa e dyshuar e korpusit të së shkolluarve në Perëndim, Policia Sekrete ka nisur gjurmimin dhe ndjekjen e studiuesit Eqerem Çabejit. Të parat dokumente që janë arkivuar në të janë raportet biografike të siguruara në rrugë agjenturore, ku artikulohet me saktësi profili antiparti i Eqerem Çabejit, si njeri me prirje antimarksiste dhe kundërshtar i regjimit. Në të gjitha rastet, sipas platformës përkatëse, këto raporte përfundonin në zyrën e Sekretarit të Parë dhe prej aty ideohej vijimësia e operacioneve të fshehta për kryqëzimin e protagonistit të tyre. Po çfarë dokumentohej në to?
Raporti i parë: Çabeji ka miqësi të dyshimta
Dokumenti parë i Sigurimit të Shtetit për profesor Eqrem Çabeji mban datën 29 shtator 1947 dhe është ndërtuar në formën e raportit biografik me të dhëna të hollësishme për jetëshkrimin e  tij. Në të bëhet e ditur se Profesor Çabeji kishte mbaruar studimet në Austri dhe dinte shumë mirë gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe latinisht. Me ardhjen në Shqipëri ushtroi profesionin e mësuesit, në fillim në gjimnazin e Shkodrës (1934-1935) dhe më vonë në Normalen e Elbasanit (1935-1936). Gjatë periudhës 1936 – 1937 punoi në Ministrinë e Arsimit dhe pas shërbimit ushtarak ku u gradua aspirant, u kthye profesor në Gjirokastër. Në vitin 1939 u emërua drejtor i Liceut në Tiranë, detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 1940. Prej aty, nënvizohet në raport, Eqrem Çabeji me interesimin e Ernest Koliqit shkoi në Itali me mision nga fashizmi, i fshehur pas një burse studimi. Teksa ndodhej në Romë, në maj të vitit 1943, emërohet ministër i Arsimit dhe merr tre rroga të majme, por “nga frika e luftimeve në Shqipëri” nuk u kthye për të marrë detyrën. Nga Italia mbërriti në Tiranë në korrik të vitit 1944 dhe në vitin 1945 u emërua nëpunës teknik në Institutin e Shkencave. “I gjithë rrethi familjar dhe shoqëror i Çabejit, saktëson raporti, është i përbërë nga elementë kundërshtarë të pushtetit, të prekur nga reformat e ndryshme, që urrejnë partinë dhe regjimin politik”. Në vijim, dokumenti i policisë së fshehtë, vë në dukje se burri i motrës së Eqerem Çabejit (Selim Damani) kishte qenë eksponent i Ballit Kombëtar dhe ishte arratisur jashtë shtetit menjëherë pas çlirimit, ndërsa i vëllai Selahudin Çabej ish-prefekt i Gjakovës ishte vrarë nga forcat partizane në janar të vitit 1944. Sa biografia familjare, sipas raportit përmbledhës të sigurimit, Eqrem Çabejin e komprometonte rrethi shoqëror dhe lidhjet e intime. Marrëdhëniet me Selaudin Toton e Gjergj Ashtën dhe miqësia me Sokrat Dodbibën, Vedat Kokonën, Abaz Xhomon, Mark Ndojën etj., risillej në vëmendje të funksionarëve vigjilentë të shtetit komunist si një rrethanë dyshuese në profilin e profesorit të shquar. E gjithë kjo lëndë përligjte sipas platformës së sigurimit regjistrimin e dosjes së Çabejit në kategorinë 2B, kategori kjo që i përkiste personave që kishin zhvilluar veprimtari armiqësore, por aktualisht shfaqeshin jo aktivë, ku bënin pjesë kryesisht pjesëtarë të shtresave të përmbysura nga regjimi komunist, ish-bashkëpunëtorë të okupatorëve, ish-kulakë, ish-pronarë, zyrtarë politikë të regjimeve të kaluara etj. Po dosja “Çabej”, siç konstatohet nga dokumentet, vetëm pak vite e ka mbajtur siglën sekrete 2B dhe ka kaluar tek 2A-ja, që nënkuptonte kategorinë e “elementëve armiq” që veprojnë aktivisht kundër pushtetit popullor. Autoriteti i vetëm që zyrtarizonte kapërcimin nga njëra kategori tek tjetra, ishte sekretariati i KQ, ku sekretar i Parë ishte Enver Hoxha...
Dokumenti: Çabej element armik
Dosja “2A” me numër 8870, ka një dokument të nënshkruar më 13 tetor 1953, në të cilin bashkë me raportin biografik të Profesor Çabejit të pasuruar me të dhëna të reja rreth profilit si element kundërshtar i regjimit, ndodhet dhe plani i masave operativo-agjenturore për gjurmim të tij. Pjesa më e madhe e çështjeve që parashikohen për tu verifikuar, ka të bëjë me një informacion të depozituar në strukturat e sigurimit nga njëri prej bashkëpunëtorëve me pseudonimin “Tisi” (J.B). Ai ka konstatuar se Profesor Çabeji në vitin 1943 kishte marrë tre rroga të larta nga qeveria dhe kishte ndërhyrë gjatë luftës për të liruar Stefo Grabocën dhe Mina Uçin. Sakaq, në planin e masave parashikohej sqarimi i të dhënave të tjera për lidhjet e fshehta të Çabejit me Edith Ndroqin e Dom Zef Bicin dhe rolin e tij në një organizatë reaksionare që inkurajon arratisjet jashtë shtetit. Po si precizoheshin masat agjenturore. Ja çfarë përmbante plani i hartuar nga ekspertët e policisë së fshehtë...
1. Në të gjitha degët operative në qendër dhe në degën e Tiranës të gjendet ndonjë bashkëpunëtor i kualifikuar, që lidhet me profesor Eqerem Çabejin. Të kontrollohen fletë-lidhjet e këtyre bashkëpunëtorëve.
2. Në qendrën e punës ku punon të përdoret agjentura e objektit për të kontrolluar qoftë në punë, në kontakte të ndryshme etj. Të përdoret sidomos për këtë bashkëpunëtorja “Edija”
3. Në shtëpinë ku banon profesor Eqrem Çabej të vendoset një bashkëpunëtor, me qëllim që të kontrollojë të gjitha hyrjet dhe daljet që bëhen në shtëpinë e tij. 
4. Duke qenë se në Bibliotekën e cila frekuentohet nga profesor Eqrem Çabej si dhe nga të huajt që ndodhen këtu (të legatave të huaja) nuk kemi bashkëpunëtorë, duhet të vendosim një informator. 
5. Bashkëpunëtores “Drojtja” nëpërmjet Rrok Zojzit me të cilin lidhet t’i jepet detyrë që t’i afrohet profesor Çabejit. 
6. Të nxirret nga procesverbali i Sabiha Kasimatit implikimi për profesor Çabejin.
7. Dëshmitari R. Hila të pyetet hollësisht rreth asaj që i ka thënë i burgosuri Vangjel Zoto për Eqrem Çabejin. Të përpilohet procesverbali me dëshmitarë të rregullt. 
8. Të studiohet dosja e ish bashkëpunëtorit “Tisi”, i cili ka dhënë dhe më parë të dhëna për Eqrem Çabejn dhe të shikohet nëse mund të pyetet si dëshmitarë.  
9. Të informohemi për lidhjet e tij aktuale me të quajturën Shyrete Turkeshi dhe të hetojmë për karakterin e tyre.
10. Të merren të dhëna të hollësishme mbi mënyrën e jetesës që bën (anët pozitive dhe negative).
11. T’i kërkohet seksionit të Skraparit informacion i hollësishëm rreth objektit të tyre me tendencë arratisje dhe që lidhet me Eqrem Çabejin.   
12. Me qëllim që të provojmë më mirë lidhjet e tij, të vihet në survejim për pesë ditë. 
13. Të studiohet agjentura ekzistuese me qëllim të gjetjes së një bashkëpunëtori të përshtatshëm për përpunim aktiv të tij. Nëse nuk do të gjejmë bashkëpunëtor të tillë nga agjentura ekzistuese, atëherë të studiojmë gjetjen e një kandidati për rekrutim dhe ta rekrutojmë.
14. Përpunimi i Çabejit të koordinohet me përpunimet që ndjek dega e ushtrisë.
Përgjegjës për zbatimin e këtij plani kapiten Koli Shuke nën kontrollin direkt të major Rasim Dedja.

“Miqtë” e Çabejit: Është antimarksist

Pjesa më misterioze e dosjes “Çabeji”, janë raportet e bashkëpunëtorëve të fshehtë, pjesa më e madhe e të cilëve janë kolegë, shkrimtarë, kritikë e zyrtarë të administratës së Institutit të Shkencave.
Një taborrë me spiunë e gjurmoi për vite me radhë duke mbushur faqe të tëra me raporte për sjelljet e dyshimta dhe prirjet antiparti. Në të gjitha rastet vigjilentët e përzgjedhur nga strukturat e sigurimit të shtetit, nuk u shfaqën me inteditetet e tyre, por  me emërtimet “Dhelpra”,”Gjevreku”, “Prursja”,”Edija”, “Plepi” etj. Çfarë raportonin ata? 

“Dhelpëria” AV
Denoncimi i poetit AV i njohur ndryshe nga Policia Sekrete “Dhelpra” mban datën 24 janar 1948. Ja çfarë shkruhet në të: “Kur i kam folur me entuziazëm për themelonjësin e linguistikës sipas koncepteve marksiste, për profesorin e famshëm sovjetik Mar, ai më është përgjigjur ftohtë dhe gati me buzëqeshje ironike se ata nuk kanë rëndësi”  
“Gjevreku” 
“Eqrem Çabeji është indiferent dhe me tendenca konservatore” Raporti i tij mban datën 10 prill 1950  
“Prurësja”
Në një raport tjetër agjenturor të vitit 1950 vihet në dukje profili antimarksist i Profesor Çabejit. I vëmendshëm një miku i gjuhëtarit të shquar, nuk mund të rrijë pa ia raportuar partisë atë që konstaton në sjelljet e tij. Ja çfarë raporton “Prurësja” “Eqrem Çabeji thotë se kultura marksiste konsiderohet si hiçgjë, veprat e Leninit jo si kryevepra, por si ngjarje të rastit... Është shumë i pakënaqur për mënyrën e jetesës së tanishme, por është shumë i rezervuar. Pakënaqësitë i shfaq tek njerëzit e rrethit të vet dhe aty me shumë rezerva. Miqësi mjaft të ngushtë ka me Shyrete Turkeshin. Miqësia ndryshon nga ajo e para. Sot për sot nuk ka qëllime martese, por më vonë në qoftë se situata ndryshon, si e mendojnë ata, mund të përfundohet”. Sakaq “Prurësja” është indinjuar, siç thotë kur Çabeji i ka konfirmuar: “Në Shqipëri ose shtetet e tjera me demokraci popullore, kulturë për masat e popullit ose njerëzit me arsim të mesëm dhe të lartë përqendrohet vetëm te kultura Marksiste–Leniniste.”
“Edija”, 1952
Raporti i parë i bashkëpunëtores “Edija” që mesa duket është punonjëse e Institutit të Shkencave, mban datën 29 shtator 1952. Ajo pasi përshkruan punën e tij me Buzukun, Budin dhe Bogdanin, nënvizon se shprehej indiferent për linguistikën sovjetike të Stalinit për të cilin shprehej se kishte ide të marra. “Edija” konfirmonte me qetësi se në të gjitha sjelljet Çabej shfaqej si “nacionalist borgjez”. I frekuentonte të gjitha mbledhjet sindikale, por nuk diskutonte. Përcaktohej me ego të madhe, prekej shpejt në sedër, por ishte gjithnjë i matur e serioz”.
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›