Milan tregon projektet e 2010 në Shqipëri
Milani rikthehet në Shqipëri me prezantimin e një sezoni të ri me projekte; edicioni i tretë i "Milan Junior Camp" në Tiranë dhe debutimin e kupës "Milan School Cup", një turne ku do të marrin pjesë nxënësit e shkollave të kryeqytetit. Edicioni i tretë i "Milan Junior Camp" do mbahet nga 5 deri më 9 korrik. Ashtu si në dy edicionet e kaluara, 5 pjesëmarrësit më të talentuar që do të përzgjidhen gjatë kampit do të dërgohen në Milano së bashku me familjet e tyre për të marrë pjesë në "Milan Junior Camp Day", së bashku me djem të tjerë nga e gjithë bota. Ndërkohë një tjetër projekt i Milanit në Shqipëri gjatë këtij sezoni do të jetë edhe "Milan School Cup", që zhvillohet prej 5 vitesh në Milano dhe tashmë do të mbahet në datat 8-9 maj edhe në Tiranë. Turneu që i rezervohet nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës, është një nga aktivitetet më të rëndësishme të krijuar për të rinjtë nga klubi i Milanit.