Aldo Bare, katër akuza për vrasje
Armand Bajrami
Prokuroria për Krimet e Rënda "rreshtoi" dje para gjykatës akuzat që rëndojnë mbi Aldo Baren, të cilësuarin "prijës" të organizatës kriminale të njohur me emrin "banda e Lushnjës". Pas leximit të kërkesës për gjykim të Prokurorisë, Gjykata deklaroi të hapur shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të Alfred Shkurtit, i njohur me emrin Aldo Bare. Përreth 60 minuta prokurorët e çështjes parashtruan para togave të zeza episodet kriminale për të cilat akuzohet Aldo Bare. Referuar kërkesës për gjykim, Aldo Bare, nuk akuzohet direkt si pjesëmarrës në ekzekutimin e kundërshtarit të tij kryesor Artur Daja në vitin 1998. Për këtë ngjarje, ku koka e prerë e kufomës së Artur Dajës u shëtit nëpër qytetin e Lushnjës, Prokuroria akuzon anëtarët e bandës. Po sipas prokurorisë "në gjithë veprimtarinë e saj kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare". Sipas akuzës, Bare duhet të gjykohet tek Krimet e Rënda për "vrasje me paramendim" në dëm të Genci Kasharit, Masar Aliut, Xhevat Demirit dhe Nimet Zenelit; "vrasjes me paramendim", mbetur në tentativë, në dëm të Artur Dajës, Gramoz Selmanit dhe Masar Aliut; "mbajtjes së armëve luftarake", "shkatërrimit të pronës me zjarr", "krijimit të organizatës kriminale" dhe "kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale". Prokuroria i paraqiti gjykatës edhe një listë me 60 emra të cilët do të thirren si dëshmitarë në proces. I pandehuri Bare mungonte dje në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij.
HISTORIA
Sipas akuzës, ngjarja që shërbeu si "katalizator" për krijimin e "bandës së Lushnjës" ishte vrasja e vëllait të Aldo Bares, Ramadan Shkurti në korrik 1997 nga ana e Artur Dajës. "Pas vrasjes së vëllait të tij i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën Bandë e Lushnjës. Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Borici, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë", thuhej në kërkesën për gjykim. Në këtë periudhë në Lushnjë regjistrohet vrasja me armë zjarri e Xhevat Demirit, ngjarje për të cilën Prokuroria akuzon anëtarë të "bandës", mes të cilëve edhe Baren. Sipas organit të akuzës, në vijim "organizatës" i ngarkohet autorësia e ngjarjeve të tjera të rënda, përfshi "vrasjen me paramendim" ndaj Artur Dajës e Nimet Zenelit, apo vrasje të mbetura në tentativë. Sipas kërkesës për gjykim, Bare kishte rol dhe autoritet absolut në organizatë. "Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre Aldo Bares me nofkat të tilla si: 'I madhi', 'Profesori', "Kryetari" e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje", thuhej në kërkesën për gjykim të prokurorisë.
Akuzat per aldo baren
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Genci Kashari
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Masar Aliu
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Nimet Zenelit
"Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja
"Vrasjes me paramendim", të mbetur në tentative ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu
"Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"
"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu
"Krijimit të Organizatës kriminale"
"Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale"
"Ushtari" i Bares, i dënuar në Itali
Enver Dondollaku, një nga personat më të afërt të Aldo Bares në aktivitetin e bandës së Lushnjës, u arrestua në Itali ku është dënuar për trafik droge dhe krim të organizuar me më shumë se 16 vjet burg. Në kërkesën për gjykim të lexuar dje në gjykatë, prokuroria nuk përfshiu krimet e Enver Dondollakut, pasi ai ndodhet në burg në Itali ndërsa gjykimi i tij në Tiranë për krimet e kryera në Shqipëri, zhvillohet në një tjetër proces. Pak kohë pas arrestimit të Aldo Bares në Turqi, Interpoli arrestoi në Padova Enver Dondollakun. Në Shqipëri ai është akuzuar se ka urdhëruar Petrit Liçin dhe Maksim çelën për të goditur me eksploziv ish-shefin e Komisariatit të Lushnjës Sinan Meta, më 25 mars 2000, ka marrë pjesë në vrasjen e ish-inspektorit të Krimeve të Komisariatit të Lushnjës, Kleti Bano, ka urdhëruar Dritan Vilën për të vrarë Nosh Gjolajn, Bernard Lintopin dhe Alfred Pirrën. Dondollaku është akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Beteja e Bares me drejtësinë
TIRANE - Pasi shfrytëzoi të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar ekstradimin në Shqipëri, Aldo Bare mbajti qëndrim kundërshtues ndaj procesit edhe pas transferimit me masa të forta sigurie në Tiranë më 25 nëntor 2009. Që në seancat e para të procesit, Aldo Bare kundërshtoi akuzat dhe më pas me anë të avokatit të tij për disa javë kërkoi përjashtimin e Fatmira Hajdarit nga trupi gjykues. Pasi gjykata ia rrëzoi këtë kërkesë, avokati i Bares kërkoi pavlefshmëri të dosjes me pretendime për shkelje procedurale. Në përfundim, pasi edhe kjo kërkesë u rrëzua, Aldo Bare përmes avokatit kërkoi gjykim të shkurtuar por gjykata e rrëzoi edhe këtë pretendim duke kërkuar shqyrtim gjyqësor pasi i pandehuri ishte hetuar në mungesë.