E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat kundër Klodit të “Big Brother”, Zogaj e Marku: Arsyet pse lezhjanët dolën në rrugë



Alma Mile

Një çështje personale, njerëzore, që duhet respektuar si e tillë, por pa qenë nevoja t’i bësh publicitet. Dy intelektualë që kanë lidhje me Lezhën, njëri si i lindur atje, e tjetri si deputet shprehen mbi zhurmën që ka ngjallur deklarata e Klodit të “Big Brother”. Për shkrimtarin dhe politikanin Preç Zogaj nuk ka asnjë arsye për të protestuar ndaj një individi, i cili ka një drejtim të ndryshëm seksual nga të tjerët, por ndaj atyre që i bëjnë një publicitet të fryrë. Sipas Mark Markut, pedagog i gazetarisë dhe deputet i Lezhës, edhe pse protesta mund të justifikohet deri diku me traditën, ajo është e tepërt dhe po kështu edhe gjithë reagimet që erdhën ndaj protestës.
Një deklaratë e një të riu në një show televiziv, mbi orientimin e tij seksual ka ngjallur jo pak debate ditëve të fundit, ku janë përfshirë edhe diplomatë. Ju, si gazetar por edhe si njeri i politikës, mendoni se shoqëria shqiptare është gati të përballet me këtë realitet?
Preç Zogaj: Pavarësisht nga qëndrimi që mbajnë individë, apo grupe të ndryshme ndaj këtij fenomeni, kjo është një temë humane dhe duhet trajtuar si e tillë. Fenomeni i homoseksualizmit është i vjetër sa dhe vetë shoqëria njerëzore, madje qëndrimi ndaj homoseksualizmit ndryshon nga koha në kohë, nga vendi në vend. Në antikiteti ishte diçka thuajse legale. Fenomeni pësoi mbyllje në vetvete, për shkak të trajtimit që i ka bërë kisha nëpër shekuj, por prapë është një fenomen njerëzor, fiziologjik, nuk është as zgjedhje, as mallkim kundrejt tyre. Ne e dimë shumë mirë që figura të mëdha të kulturës dhe artit, kanë qenë homoseksualë, si Safoja, që e ka lartësuar në artin e vet, marrëdhënien e bukurisë me bukurinë, apo Oskar Wajldi. Kjo është një çështje vetjake e njeriut, që dikush e tregon, një tjetër jo, vjen një moment që ajo bëhet çështje e të drejtave të komunitetit, si edhe në botë. Duke iu referuar rastit në fjalë, them se ka pasur instrumentalizim nga të gjitha palët që merren me rastin e Klodit. Në Shqipëri, nuk është hera e parë që kemi përballje të shoqërisë me këtë fenomen, madje dhe me forma të organizuara të homoseksualëve. Unë kam njohur përfaqësues të tyre, që kanë shtruar kërkesa në emër të shoqatës. Ata kanë të drejtë të gëzojnë liritë e tyre. Shoqëria nuk mund t’i përjashtojë ata. Qëndrimi që mbahet është çështje e kulturës së individit, por shoqëria, Qeveria, institucionet, në mënyrë kategorike nuk mund të mbajnë një qëndrim përjashtues ndaj kësaj kategorie.
Mark Marku: Shoqëria shqiptare po përballet me vonesë me një problem të hershëm të shoqërisë njerëzore. Por nuk duhet harruar se një problem i tillë ka ekzistuar edhe më parë në shoqërinë shqiptare. Dukuria e dylberizmit ka qenë mjaft e përhapur gjatë gjithë periudhës së pushtimit osman, sidomos në qendrat urbane, jeta shoqërore e të cilave është përcaktuar së tepërmi nga garnizonet turke dhe nga administrata perandorake. Edhe më vonë, natyrisht homoseksualizmi ka ekzistuar, por për shkak të ndikimit të madh të traditës mbi shoqërinë shqiptare, ajo i ka mbajtur të fshehura probleme të tilla. Natyrisht edhe në modernistet, tradita ka ushtruar presion dhe ka bërë që problemet që kanë të bëjnë me homoseksualizmin të mbahen të fshehura. Tani po dalin në sipërfaqe në formën e debateve publike. Mendoj se debati me të gjitha format që shprehet ai, është më i mirë se sa fshehja e problemeve dhe hipokrizia.
Duke lënë mënjanë dhe gazetarinë dhe politikën, ju personalisht, ç’mendoni mbi këtë çështje?
Preç Zogaj: Mua publiciteti më duket paksa i kërkuar. Kam lexuar shumë për personazhe që kanë qëlluar të jenë homoseksualë dhe kjo nuk i ka penguar të shkëlqejnë në fushat e tyre. Dhe vepra e tyre është ajo që kanë lënë, jo ajo që u ka “qëlluar”. Nuk besoj se është me të zgjedhur. çdo mashkull, apo femër dëshiron të jetë ai që ka bërë natyra, këto janë deviacione, që nuk janë zgjedhje, por në fund të fundit njeriu vlerësohet nga ajo që lë.
Mark Marku: Personalisht e shoh homoseksualizmin si një anormalitet dhe mendoj se çiftëzimet normale dhe më të zakonshme janë ato mes sekseve të kundërta. Tashmë e dimë të gjithë se jeta lind vetëm prej marrëdhënies mashkull - femër dhe kjo është arsye e mjaftueshme për ta sjellë si argument në favor të formës tradicionale të marrëdhënieve seksuale. Megjithatë e kuptoj edhe palën tjetër, pra atë të homoseksualëve dhe jam kundër çdo forme të diskriminimit të tyre. Një shoqëri e emancipuar duhet t’i trajtojë ato në mënyrë normale.
Deklarata e Klodit ka nxitur reagime të ashpra në Lezhë, deri në protestë, është kjo e justifikueshme?
Preç Zogaj: Në Shqipëri dhe në Lezhë ka një konceptim të caktuar mbi këtë fenomen. Nuk shihet në tërësinë e vet, lidhur me të drejtat. Shihet ana e rëndomtë, banalizohet çështja dhe ka njerëz që ndihen të fyer. Kam ndjekur lajmet dhe nuk e kuptoj përse protestohet. Nëse ka ndonjë prirje për t’i bërë publicitet, atëherë duhet protestuar kundër atyre që i bëjnë jehonë pa qenë nevoja. Nuk ka arsye për të protestuar ndaj personit. Kjo është çështje që nuk ka të bëjë me thelbin njerëzor.
Mark Marku: Pa e justifikuar agresivitetin e shprehur ndaj deklaratës së djalit të “Big Brother”, jam përpjekur ta kuptoj arsyen e protestës së tyre. Mendoj se tradita ndikon dhe shpeshherë është ajo që përcakton sjelljet e njerëzve. Reagimet e tyre i shpjegoj pikërisht për këtë shkak të kësaj të fundit.
Mos ndoshta ka ndikuar edhe fakti që Lezha është një qytet, ku katolicizmi është më i shprehur?
Preç Zogaj: Nuk mendoj se këtë çështje e inkurajon kisha. Më rezulton që ajo është tërësisht jashtë kësaj çështje. Pavarësisht qëndrimit që ajo mban, kudo kjo çështje trajtohet sipas legjislacionit, apo konform qasjeve bashkëkohore. Kisha është edhe kundër abortit, por ai është legal në shumë vende të botës, ashtu si edhe te ne. Nuk konstatoj se protesta ka një vokacion katolik, është më tepër protestë e sedrës, që edhe mund të inskenohet për të bërë lajm. është interesante kjo. Fakti që ne të gjithë po e diskutojmë, do të thotë se “Big Brother” ka prodhuar një ngjarje suplementare për t’u bërë interesant. Janë ftuar edhe ambasadorë, pasi e gjitha ndodh edhe në kontekstin e ligjit për legalizimin e homoseksualizmit.
Mark Marku: Jo vetëm në veri, por në gjithë Shqipërinë tradita është ende e fortë. Sigurisht nuk duhet harruar edhe fakti se protestuesit vijnë nga një zonë katolike, dhe homoseksualizmi është i papajtueshëm si me katolicizmin, ashtu edhe me pjesën dërmuese të të gjitha besimeve. Megjithatë mendoj se reagimi i tyre ka qenë i ekzagjeruar, ashtu sikurse ka qenë i ekzagjeruar edhe reagimi ndaj reaguesve.

Agron Gjekmarkaj: Nuk do të doja të kisha një fëmijë homoseksual
Për studiuesin e letërsisë, Agron Gjekmarkaj, “çështja e Klodit”, po përdoret si nga ana e organizatorëve të show-t televiziv, ashtu dhe nga aktivistët e të drejtave të njeriut. Sipas tij, protestës i është adhënë më shumë rëndësi seç duhet. Askush nuk e ka marrë këtë çështje seriozisht, madje diskutohet me humor. “Mendoj që as shqiptarët në përgjithësi, as lezhjanët nuk janë të shqetësuar, janë vetëm kuriozë. Unë jam katolik dhe personalisht jam kundër martesës së homoseksualëve, apo adoptimit të fëmijëve nga ana e tyre, se bie ndesh me moralin tim kristian, por nga ana tjetër mendoj se ata mund ta jetojnë jetën e tyre si të duan dhe nuk ka asnjë arsye që të persekutohen, qoftë edhe verbalisht. Janë më të ndershëm ata që deklarohen, se ata që e fshehin një realitet kësodore. Ata duhet ta jetojnë realitetin e tyre të lirë, por kjo ide nuk më pengon të shpreh dëshirën time, që të mos kem një fëmijë homoseksual. Tubimi i adoloshentëve në Lezhë, më shumë se një shqetësim, më duket një argëtim. Në Lezhë ka një sens të fortë humori, sigurisht Klodi ka vënë në diskutim “virilitetin” e tij, po jo të lezhjanëve, të cilët e dinë se burrëria nuk mbrohet në shesh protestash, por në tjetër vend. Lezha nuk i ka marrë seriozisht ato protesta, madje as deklaratën e Klodit nuk e ka mbivlerësuar, se ata e dinë që seksualiteti nuk është element kolektiv, që të njollos apo nderon. Ndërsa disa media kanë bërë të kundërtën”.

“Respekt, por s’i duam në shtëpi”

Të gjithë dëshirojnë që të respektohen të drejtat e njeriut, që kushdo të mund të gëzojë edhe lirinë seksuale, por askush nuk do të donte që të kishte në shtëpinë e vet një homoseksual.
Ndonëse një fenomen aspak i ri, homoseksualizmi vazhdon të mbetet një temë “tabu” në Shqipëri. Këtë e vërtetoi thjesht dhe vetëm një deklaratë e një të riu në reality show-n “Big Brother”. Përmes një letre të hapur dërguar së ëmës, Klodi, një i ri që prej shumë vitesh jetonte në Itali, pranoi përmes ekranit të “Top Channel” homoseksualitetin e tij. Kaq u desh që kjo deklaratë të kthehej në një “çështje”. Madje pati edhe protesta në Lezhë, qytetin, ku i riu ka jetuar vite më parë. Një grup të rinjsh protestuan kundër Klodit. U ndien të fyer, madje që të shpëtonin “nderin” e qytetit të tyre thanë se ai nuk është nga Lezha. Protesta hapi një tjetër debat. Aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues shoqatash u dyndën të mbanin anën e Klodit e të “kryqëzonin” të rinjtë lezhjanë që protestuan. Dhe debati ndjek debatin, në një zinxhir që nuk i dihet fundi. Një intelektual lezhjan thotë se debati është i mirë, por shpreson “që të mos arrijmë në atë pikë, sa të ndihemi në faj që jemi në shumicë heteroseksuale”. Sigurisht, Lezha nuk është një grup të rinjsh gjaknxehtë. Ndonëse një qytet i vogël, Lezha ka nxjerrë boll intelektualë: shkrimtarë, gazetarë, piktorë, por edhe politikanë... Disa syresh nuk pranojnë të flasin. E vështirë të marrësh një pozicion në këtë rast, por ka edhe nga ata që ndajnë mendimin e tyre mbi këtë temë, me të cilën jemi përballur edhe më parë, por ndoshta jo kaq hapur. Për shkrimtarin dhe politikanin Preç Zogaj, homoseksualizmi është një çështje vetjake, jo detyrimisht duhet bërë publike, por gjithsesi duhet respektuar nga pushtetarë e ligjbërës. Sipas tij “çështja Klodi” po instrumentalizohet nga të gjitha palët që po e trajtojnë këtë temë. Madje ai vë në dyshime edhe protestën, e cila nuk është e çuditshme që të jetë e nxitur. “është më tepër protestë e sedrës, që edhe mund të inskenohet për të bërë lajm. është interesante kjo. Fakti që ne të gjithë po e diskutojmë, do të thotë se “Big Brother” ka prodhuar një ngjarje suplementare për t’u bërë interesant”, thotë ai. Mark Marku, deputet i Lezhës, deri diku e “justifikon” protestat e lezhjanëve, duke iu referuar mentalitetit, por fesë. “Nuk duhet harruar edhe fakti se protestuesit vijnë nga një zonë katolike, dhe homoseksualizmi është i papajtueshëm si me katolicizmin, ashtu edhe me pjesën dërmuese të të gjitha besimeve”, thotë Marku, duke shtuar se gjithsesi reagimi i protestuesve është i ekzagjeruar, po aq sa edhe reagimi ndaj protestuesve. Një tjetër lezhjan, studiuesi i letërsisë, Agron Gjekmarkaj thotë se “është naivitet të mendosh që në vendin tonë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë të tillë. Klodi ndoshta është thirrur në këtë program edhe për faktin që është homoseksual, sepse si i tillë është një “gjah” shumë interesant për show mediatik. Por shoqëria në këtë rast shfaqet në dy këndvështrime, në atë tradicionale të jetës, ku një “prani” e tillë është e keqgjykuar dhe e përbuzur, si dhe me ata zëra, ku e shohin fenomenin e homoseksualitetit si diçka ndryshe, krejt personale e individuale, si çështje e lirive të njeriut. Kështu që debati në këtë pikëpamje është i dobishëm deri në masën, që nuk keqpërdoret për qëllime interesi”. Piktori i njohur Pashk Përvathi, kujton ndjesitë e atypëratyshme që i krijuan zërat e protestuesve. Ai e quan një “autogol” të bashkëqytetarëve të tij. Nëse ajo protestë nuk do të ishte zhvilluar, ndoshta do të ishte folur më pak për këtë çështje. Protestat nuk i mbështet as kryekomunari i Kallmetit, Petrit Marku, ndonëse ai është më i prerë se bashkëqytetarët e tjerë, mbi këtë çështje. Ai thotë se shqiptarët i japin një rëndësi të veçantë familjes dhe trashëgimisë dhe kjo duhet promovuar. çdo gjë tjetër është një show televiziv. Ai thotë se mendimin e tij e mbështesin edhe shumë intelektualë të tjerë lezhjanë, të cilët kanë më tepër për zemër të respektojnë ca “rregulla” që janë vendosur shumë më herët. E duket se pavarësisht karrierës e pozicioneve, të gjithë janë në një mendje, kur thonë se “jeta lind vetëm prej marrëdhënies mashkull - femër dhe kjo është arsye e mjaftueshme për ta sjellë si argument, në favor të formës tradicionale të marrëdhënieve seksuale”. Në të vërtetë, i këtij mendimi janë edhe shumica e shqiptarëve, veçse askush nuk e di nëse kjo deklaratë do të kishte ngjallur të njëjtin reagim, në një tjetër qytet të Shqipërisë.

“Big Brother”
Klodi, djali i debatit

Djali që nxiti debatin e homoseksualizmit, është një nga pjesëmarrësit e edicionit të tretë të “Big Brother Albania”, reality show-t që realizohet nga “Top Media”. është 35 vjeç dhe ka lindur në Lezhë. Në vitin 1993 largohet drejt Italisë, në kërkim të një jete të re. Një histori e ngjashme me shumë shqiptarë të tjerë, të cilëve u është dashur të kalojnë shumë vështirësi në emigracion. Arrin të gjejë një vend të mirë pune në një nga diskotekat më të famshme të Milanos, ku momentalisht menaxhon marrëdhëniet me publikun. Duke qenë se diskoteka ku punon frekuentohet nga njerëz të famshëm, një pjesë e miqve të tij janë njerëz të njohur të botës së artit dhe modës italiane. Madje në klipin e tij prezantues në BB, u shfaq edhe balerini Kledi Kadiu. Pjesëmarrja në “Big Brother” ishte një nga sfidat e Klodit. Vetëm pas dy javësh pjesëmarrjeje, përmes një letre drejtuar së ëmës, Klodi pranoi publikisht prirjen e tij seksuale. Ai pranoi homoseksualitetin e tij dhe njëkohësisht i kërkoi nënës, por edhe publikut shqiptar, ta pranonin për atë që ishte. Në shtëpinë e BB, deklarata e Klodit u prit me lot dhe përqafime, por shumë shpejt nisën ndarjet, ashtu siç në të vërtetë ka ndodhur edhe jashtë shtëpisë së “vëzhguar”. Ka nga ata që e gjykojnë, ka nga ata që janë tërësisht indiferentë, por dhe nga ata që po “luftojnë” për të drejtat e Klodit e të tjerëve si ai.

Petrit Marku
“Promovojmë trashëgiminë”
Petrit Marku, kryetari i komunës së Kallmetit, është inxhinier, babai i katër fëmijëve, të cilët thotë se dëshiron t’i edukojë mbi baza të shëndosha morale. Reagimi ndaj “çështjes së Klodit” bëhet disi më i ashpër, duke iu larguar qytetit. Banorët e komunave janë më radikalë lidhur me çështjen e homoseksualizmit. “Në konceptin tim, po në përgjithësi të shqiptarëve, thelbësore është ruajtja e trashëgimisë. Baza e shoqërisë sonë është familja dhe ne kemi për detyrë që ta mbrojmë atë. Deklarata e djalit në “Big Brother” dhe gjithçka që pasoi më tej është një show televiziv. Komuniteti homoseksual është në minorancë, jo vetëm në Shqipëri, por sipas informacioneve që kam, edhe në të gjithë Mesdheun dhe praktikisht nuk ishte e nevojshme që t’i bëhej kaq shumë jehonë”, thotë kryetari i komunës së Kallmetit. Duke iu referuar besimit fetar, ai thotë se marrëdhënia mashkull-femër, është ajo që duhet “promovuar”. “Ne i përkasim kryesisht besimit katolik dhe detyrimi ynë është të krijojmë familjen e të ruajmë trashëgiminë. Sigurisht që protesta mund të quhet një reagim momental, e cila edhe mund të mos ishte bërë. I kuptoj shumë mirë parimet e të drejtave të njeriut, të cilat duhet të zbatohen, por më së pari ne kemi për detyrë të edukojmë fëmijët tanë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të zbatojmë ato rregulla, që janë vendosur shumë kohë përpara nesh. Ky nuk është vetëm mendimi im, por edhe i shumë intelektualëve të tjerë në Lezhë”.

Pashk Përvathi, piktor
“Protesta, një autogol”
Piktori i njohur lezhjan, Pashk Përvathi do të kishte preferuar më së shumti të fliste mbi artin, mbi pikturën, por kur bëhet fjalë për një çështje që ka prekur edhe qytetin e tij. Siç ndodh rëndom, ishte në një moment krijimtarie, kur dëgjoi zërat e protestuesve, që vinin nga sheshi. “Ishte buzë mbrëmje. Koret zanore të të rinjve vinin deri në studion time. “çka ndodhur?”, thashë me vete. Fushata elektorale ishte larg. Koncert nuk ishte lajmëruar më parë. KUTITë! Po, po. KUTITë.! Njerëzit kanë dalë në shesh për “Kutitë”. E ashtu, me penela në dorë dola në ballkonin e pasmë të shtëpisë, me front nga vinin zërat. Por jo. Fjalori nuk ishte politik. Ishte tjetër e me zor dalloheshin shprehjet. “Nxirreni jashtë k.... italiane!!” “është nga Vlora s’është nga Lezha”... Më erdhi keq për Klodin”, thotë piktori. Duke qenë njeri i artit, ai është kundër protestave e manifestimeve që denigrojnë një komunitet shoqëror. Por jo vetëm për këtë. Ai është i bindur se, nëse të rinjtë protestues nuk do të ishin treguar të nxitur, do ishte folur më pak për këtë çështje e më pak për Lezhën.
“AUTOGOL. I madh bile.. Kjo qe bindja ime në atë moment dhe doli se qe i vërtetë arsyetimi im. Këta djem sot do ndjeheshin më pak të fyer, ngjarja do ishte harruar e jeta në këtë qytet të vogël do vazhdonte si më parë, nëse ajo protestë atë natë nuk do ishte bërë”, thotë piktori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›