E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mos i bllokoni shtëpitë e deputetit”



FIER/ MAJLINDA RAMA

“Nuk mund të kërkohet bllokimi i shtëpive të nipërve të mi, kur ata janë ende në shkollë dhe askush nuk është në gjendje të bëjë kryefamiljarin”. Ilir Xhindi, vëllai i deputetit të ekzekutuar nga autorë ende të paidentifikuar, bën apel për ndihmë. Sipas tij, vrasja e vëllait, Fatmir Xhindi, përfaqësues i Roskovecit në parlament, i ka shokuar jo vetëm moralisht, por sot po ndihet dhe kriza financiare. “Pamë në gazetë që deputeti Dritan Prifti i kërkoi kryetares së Parlamentit që të ndihmonte familjen e vëllait. Edhe vetë Dritan Prifti është interesuar tek ne, por nga ana e Topallit nuk patëm asnjë reagim. Momentalisht nipërit e mi dhe gruaja e vëllait tim po përballen me një tjetër vështirësi”, shprehet Iliri. Ai thotë se përveç dhimbjes së madhe të vrasjes së kryefamiljarit dhe braktisjes së çështjes nga politika dhe shteti, familja e Fatmir Xhindit po vuan edhe problemet ekonomike. Banka tek e cila janë marrë dy kredi, u kërkon shlyerjen e detyrimeve, të ndërprera që prej muajit maj, kohë kur ndodhi ekzekutimi. Por, asnjë mundësi për shlyerjen e saj nuk gjendet aktualisht në familjen Xhindi, çka rrezikon sekuestrimin e dy shtëpive të lëna “peng”, një në Tiranë dhe tjera në qytetin e Roskovecit, aty ku dhe u qëllua për vdekje deputeti. “Ata nuk kanë. Janë të gjithë në shkollë dhe të papërgatitur për të marrë në dorë stafetën e kryefamiljarit dhe të udhëheqësit të familjes”, flet i pikëlluar xhaxhai i tyre. Ndërsa akuzon herë pas here të gjitha strukturat shtetërore shqiptare, ai këmbëngul në kërkesën për drejtësi mbi ngjarjen. Sipas tij, do të kërkohet ndihma e diplomatëve ndërkombëtarë e konkretisht të Ambasadës Amerikane që t’i ndihmojë. E para është zbardhja e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ndërsa së dyti, kontributi i ambasadës së SHBA-së, sipas Ilirit do të ndihmonte që 3 nipërit e tij të mos mbeten në qiell të hapur. Nëse nuk do të ketë përkrahje në këtë apel që bën Ilir Xhindi në emër të familjes së të vëllait, atëherë gjykata do të realizojë vendimin e sekuestros. Pak ditë më parë, banka ku i ndjeri deputet mori kredi, një herë 5 milionë lekë dhe më pas 2 milionë lekë, i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të ndërhyjë, pasi nuk është bërë shlyerja sipas kontratës. Por, as e shoqja e deputetit dhe as djemtë e tij, dy prej të cilëve studentë dhe tjetri më i vogël, nuk kanë mundësi të ndryshojnë asgjë. Fatmir Xhindi u qëllua për vdekje mbrëmjen e 2 majit 2009, ndërsa po hynte në oborrin e shtëpisë. Asnjë emër autori apo motivi nuk janë zbardhur deri tani për këtë ngjarje të rëndë.

Vëllai i deputetit: Politika e shteti po na neglizhojnë
“Ambasada Amerikane të ndërhyjë për zbardhjen e vrasjes së Fatmirit”

“Kërkojmë ndërhyrjen e Ambasadës Amerikane, pasi shteti dhe politika shqiptare po na neglizhon”. Deklarata e vëllait të deputetit Fatmir Xhindi bëhet vetëm pak ditë përpara se të mbushet një vit nga vrasja misterioze e tij. Ilir Xhindi, u shpreh dje se, prej 1 viti qëkurse ka ndodhur vrasja, nuk ka parë asnjë impenjim nga strukturat përkatëse duke u ndjerë të zhgënjyer tej mase. Ai kërkon nëpërmjet gazetës “Panorama” drejtësinë, në emër të familjes së të ndjerit. Ilir Xhindi shprehet se e kanë pasur të vështirë të trokasin në çdo derë, pasi asnjëra prej tyre nuk ka qenë e hapur për ta. E vetmja shpresë për të zbardhur rrethanat e vrasjes së të vëllait, sipas tij, është Ambasada Amerikane. “I kërkoj Ambasadës Amerikane të na japë ndihmë. është dera e fundit ku ne mund të trokasim dhe të dëgjohemi. Ndihemi të braktisur nga shteti ynë, nga politika jonë. Asnjëri nuk na ka qëndruar pranë dhe askush nuk ka kërkuar të punojë për zbardhjen. Na janë mbyllur dyert kudo që kemi trokitur, prandaj detyrohemi sot që të kërkojmë vëmendjen dhe zgjidhjen nga Ambasada Amerikane. I lutem, i përgjërohem që të zbardhë vrasjen e vëllait tim, se nuk po mund të jetojmë dot të qetë derisa ta dimë se pse dhe nga na erdhi”, është shprehur vëllai i deputetit. Ai tregon se i kanë nisur një peticion prokurores së përgjithshme, ndërsa kanë bërë me dije edhe Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin, por edhe pse kanë kaluar 5 muaj, familjarët e deputetit nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata sot ndihen të rraskapitur dhe me xhepat bosh për të kërkuar çdo ditë në Tiranë, zyrat ku mund të përplasen për të kërkuar mbështetje. Kësaj radhe duket se zgjidhja e tyre e vetme shihet tek Ambasada Amerikane. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›