E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare më kërcënoi për tenderin e pastrimit

28/03/2009  Dëshmia e plotë e Zyber Meçes për kontaktet me bandën e Lushnjës e deputetin demokrat

Tashmë i vdekur, por për Prokurorinë Zyber Meçe ka rrëfyer para disa vjetësh fakte, të cilat hedhin dritë mbi veprimtarinë keqbërëse të bandës së drejtuar nga Aldo Bare. Ai është rrëmbyer së bashku me vëllain e tij Pëllumbin nga kjo bandë vetëm për të hequr dorë nga tenderi i pastrimit të qytetit. Po kështu Meçe tregon edhe për debatin që anëtarët e bandës kanë bërë me deputetin e Lushnjës Ilir Bano.

Kontaktet me Aldo Baren

Ai e nis dëshminë e tij me fjalët “Më kujtohet që ka qenë muaji maj i vitit 1999, si datë dhe ditë nuk më kujtohet, ka qenë ora 21:00 tek shtëpia e vëllait Pëllumbit në lagjen “S. Starova” Lushnjë, po ecja në këmbë në errësirë. Rreth 200 metra pa mbërritur tek unaza, rreth orës 21:30, kur unë isha në afërsi të shtëpisë së Zenel Guçës dhe unë isha duke ecur në këmbë, shikoj që pas meje po vinte një makinë me drita të ndezura. Kjo makina sa më parakalon, ndalon 2-3 metra larg meje. Ishte një makinë furgon me ngjyrë të bardhë. Sa e pashë unë e njoha që ishte Benzi furgon i blinduar që përdorte grupi i Fredi Shkurtit në Lushnjë”. Më tej prokurorët e pyesin “Nga e njihje që ishte makina e Fred Shkurtit?”. Ai përgjigjet: “Këtë makinë nuk e njihja vetëm unë, por e dinin të gjithë që makina ishte e komisariatit të policisë nr. 2 me shef Alfred Shkurtin. Sa ndalon furgoni shoh që hapet dera anësore në krahun e djathtë. Nga kjo derë nxjerr gjysmën e trupit një person dhe më thotë: “O Bele hip lart se kemi punë me ty”. Nuk bëra asnjë lloj kundërshtimi pasi e dija nëse bëja kundërshtim ata do të më vrisnin. Personi që më thirri ishte Arjan Aliçka, person që e kisha parë të lëvizte me këtë furgon. Furgonin e ngiste Arben Boriçi dhe në vendin e pasagjerit ishte ulur Maksim Çela, ndërsa Arjan Aliçaj u ulë në sediljet e pasme dhe kishte një automatik”.

Komisariati nr. 2

Në dëshmi ai thotë se “Makina përshkroi rrugën nga “klubi i morrit”, tek shtëpia e Ilir Banos, mori kthesën djathtas tek tregu i zarzavateve dhe doli në qendër për t’u drejtuar më pas tek Alftred Shkurti, në komisariatin nr. 2 të qytetit Lushnjë. Ky komisariat ndodhej ngjitur me komisariatin e policisë. Unë sa hipa në furgon nuk thashë asnjë fjalë dhe nuk fola rrugës dhe isha shumë i stresuar pasi mendoja se ata do të më vrisnin. Gjatë rrugës Arjan Aliça i thoshte Arben Boriçit dhe Maksi Çelës se “Që si do ngopen krimbat me këtë, se ky ka dhjamë shumë”, ndërsa ata të dy qeshnin. Komisariati ishte një godinë njëkatëshe para shtëpisë së Idai Shkurtit e rrethuar me një mur të lartë. Prej oborrit futem në një korridor ku lëviznin shumë persona të armatosur dhe kam njohur njërin prej tyre që ishte Flamur Vilën. Sa hyj në një dhomë shoh që në fund të tij ishte një tavolinë, mbi ketë tavolinë ishte një aparat telefoni, ndërsa ulur në karrige në afërsi të kësaj tavoline ishin vëllai im Pëllumb Meço, Ilir Bano, në atë kohë deputeti i PD-së për Lushnjën dhe Ylli Sefa, kryetar i PD-së për Lushnjën. Unë shkova për t’u ulur tek tavolina, ndërsa Arjani dhe Maksi nuk u ulën, por lëvizën sa në një dhomë në tjetrën. Gjatë gjithë kohës këta mbanin në dorë automatik dhe pistoleta në brez. Kur Arbeni po shkonte për t’u ulur në tavolinë e pashë shumë mirë që kishte pistoletë në brez. Pistoletat nuk i dalloja dot se çfarë tipi ishin. Më ulën mua në krah të vëllait tim Pëllumbit. Sa ulemi Arben Boriçi i drejtohet deputetit të PD-së, Ilir Bano, duke i thënë: “Ilir përse nuk flet mirë ti për ne në Parlament”. Iliri i thotë që unë nuk jam pjesëtar në qeveri që të flasë mirë për ju, unë nuk kam punë me ju, ne kemi punë partie, ato tuajat janë punë qeverie. Në bisedë e sipër Arben Boriçi merrte dikë me telefonin që ishte në tavolinë dhe i thotë: “O shef, o shef i kam këtu ata”. Se ç’përgjigje mori prej këtij që i fliste shef nuk mora vesh dhe se kush ishte shefi me të cilin fliste. Këtu na mbajtën mbi një orë dhe gjatë gjithë kësaj kohe që na mbajtën aty ai debatonte me Ilirin dhe herë pas herë merrte në telefon personin që i fliste shef. Rreth orës 23:00 ata na nxorën nga godina ku ishim. Sa dolëm ikëm në shtëpi. Ka qenë muaji mars i vitit 2000 dhe në një mëngjes unë isha duke punuar në zyrë, pranë ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Lushnjë. Në zyrë hyjnë Arben Boriçi së bashku me Arjan Aliçën. Sa u përshëndetën më thonë që do të na japësh botin e ujit për në lagunë dhe do të caktosh shoferin dhe do ta paguash vetë. Unë nuk kundërshtova fare duke e ditur se me kë persona po merresha. U thashë merreni. Fola me shoferin dhe i thashë do të punosh me këta të dy. Kjo makinë është edhe sot që spërkat rrugët e qytetit. Dua të sqaroj se ka qenë data 17 shtator i vitit 2001. Në zyrë takoj Tan Sulën, i cili ishte ulur vet i dytë në një tavolinë të lokalit. Sa më pa më thotë ku je Bele se për ty kam ardhur këtu. I them që më pritë se kam pak punë me supervizorin e bashkisë.

Pasi mbaroj punë dalë nga zyra. Tani përsëri më thotë Bele dale të mbarojmë punë bashkë e pastaj ik. Unë e dija përse kishte ardhur pasi më kishte një milion e ca lekë borxh. Unë i them mi jep ato dhe ik, por ai nguli këmbë që të hipja në makinën e tij dhe të hanim një drekë. Pranova dhe hipa në makinën e tij.

Autori Dritan Vila

Rrëfimi për atentatin

Në dëshmi thuhet “Në momentin sa unë futem në makinë dhe ulem në sedilje menjëherë dëgjoi një breshëri arme me zhurmë të mbytur. Në këtë kohë hap derën e makinës ku isha ulur dhe dalë jashtë. Kur dola jashtë ndiej dhimbje në krahun e majtë dhe rrëzohem në tokë. Ngrihem dhe iki me vrap 100 metra ku ishte një makinë ndaluar me pronar Sali Markon. Hipi në makinë dhe i them më ço në spital. Nuk kundërshtoi dhe kur mbërrita në spital humba ndjenjën. Ata që më qëlluan ishin Tan Vila së bashku me një person tjetër, i cili mu duk si “Çibuku”. Tan Vila doli nga krahu i shoferit dhe gjuajti mbi Tan Sulën. Më mbas në Spitalin Ushtarak Tiranë mora vesh që kishte vdekur Tan Sula dhe ishte plagosur personi që ishte me Tanin. Unë me Dritan Vilën nuk kam pasur asnjë konflikt. Por dyshoj se gjitha sulmi ndaj meje ishte pjesëmarrja ime në tenderin e pastrimit të qytetit, të cilin unë e mbaroja në prill të vitit 2002. Në muajin nëntor të vitit 2001 ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë, Ylli Myftiu, më bllokoi tetëmbëdhjetë milion lekë të vjetra. Në muajin dhjetor dhjetë milionë lekë, në muajin janar, shkurt, mars, të vitit 2002 nga pesë milionë për çdo muaj. Kjo gjë ishte presion që unë mos të hyja në tenderin e pastrimit. Fakt tjetër është se mbas konfliktit të Shytajve me grupin e Aldo Bares, nuk më kujtohet si ditë dhe muaj, por më mori në telefon Rexh Gina dhe më tha se Bele ne u vramë prandaj ti po deshe mos konkurro në tenderin e pastrimit. Unë duke marrë parasysh të gjitha këto që më kishin ndodhur nuk hyra më në tenderin e pastrimit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›