E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia italiane, sekuestron 321 kg marijuanë që vinte nga Shqipëria

28/03/2009  Në kërkim tre personave, që trafikuan drogën me vlerë 700 mijë euro

Policia italiane ka sekuestruar rreth 321 kg marijuanë dhe një sasi të vogël kokaine që mendohet se ka ardhur nga brigjet shqiptare. Sipas të dhënave të hetimit që kanë kryer agjentët e policisë së Leçes, lënda narkotike ishte vendosur në 10 çanta të mëdha. Ato ishin vendosur në një gomone që sipas specialistëve sapo kishte mbërritur në breg. Pas konstatimit të lëndës narkotike policia ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në bordin e gomones, e cila është sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mediat italiane raportojnë se në momentin e zbulimit të gomones nuk është vënë re asnjë person i dyshimtë që mund të ketë lidhje me të. Duket se trafikantët e kanë “pikasur” më shpejt operacionin e policisë dhe për t’i shpëtuar prangave, ata janë larguar në drejtim të paditur. Ndërkohë që përveç sasisë prej 321 kg marijuanë dhe disa dozave të vogla kokainë, policia ka mundur të sekuestrojë edhe rroba e telefona celularë, të cilët dyshohet se i përkasin autorëve të trafikut të narkotikëve. Nga përllogaritjet e kryera rezulton se lënda narkotike e sekuestruar kap shifrën financiare të rreth 700 mijë eurove. Agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruan se aktualisht dyshimet e para të grupit hetimor bien mbi tre persona që mendohet se janë shtetas shqiptarë. Sipas specialistëve të hetimit, ka mundësi që tre personat e paidentifikuar të kenë bashkëpunuar me ndonjë grup kriminal, që kryesisht aktivitetin e tij e ka në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në territorin italian e më tej. Për të hedhur sa më shumë dritë mbi misterin e trafikimit të sasisë së sipërcituar, agjentët e policisë italiane pritet të kryejnë transkriptimin e bisedave telefonike që tre personat kanë kryer me njëri-tjetrin, por edhe me bashkëpunëtorët e tjerë. Mësohet se operacioni është përmbyllur në orën 4:30 të ditës së djeshme, ndërkohë që policia pretendon se ka në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme për të zbuluar personat përgjegjës të këtij trafiku. Aktualisht nga policia nuk është dhënë asnjë emër konkret i të dyshuarve, por dhe asnjë karakteristikë dalluese që mund t’i identifikojë ata.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›