E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare pranon ekstradimin në Itali

 

Trazhgim Sokolaj

Aldo Bare i konsideruar si kapoja i “Bandës së Lushnjës” shfrytëzon një mundësi ligjore, për të shmangur ekstradimin në Shqipëri.
Personazhi i konsideruar si kreu i grupit kriminal ka realizuar një manovër “të ligjshme”, e cila nuk dihet nëse do ta shpëtojë nga gjykimi për akuzat e shumta, që janë ngritur në adresë të tij nga Prokuroria shqiptare. Përmes një deklarate të dhënë në paraburgimin turk, ku mbahet në izolim, Alfred Shkurti, i njohur edhe me emrin Aldo Bare, ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar e gjykuar në Itali, duke refuzuar transferimin në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga burime të Interpolit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, autoritetet turke kanë kërkuar një deklaratë nga Aldo Bare, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Antimafies italiane për ekstradimin dhe gjykimin e kreut të “Bandës së Lushnjës”, në Gjykatën e Torinos. Kjo e fundit disa muaj më parë, dënoi me 16 vjet burg Enver Dondollakun, krahun e djathtë të Aldo Bares në tetë vitet për të cilat ai akuzohet se ka drejtuar një nga grupet kriminale më të fuqishme në vend. Për shkak të akuzave për trafik ndërkombëtar droge dhe krime të tjera, Prokuroria e Antimafies italiane ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Ankarasë në Turqi, për ekstradimin e Alfred Shkurtit. Qindra fashikuj përgjimesh telefonike e kanë nxjerrë zbuluar kreun e “Bandës së Lushnjës”, teksa komunikonte me telefon nga Turqia me anëtarët e grupit të tij në Itali, duke drejtuar veprimtarinë kriminale. Autoritetet italiane, pretendojnë madje se edhe arrestimi i Alfred Shkurtit në mars 2005 në Ankara, ishte meritë e tyre pasi Shërbimi Sekret italian, SISMI, kishte vendosur në përgjim ndërkombëtar të shumëkërkuarin për llogari të Antimafies së Torinos. Gjykata e Shkallës së Parë në Ankara, i dha përgjigje pozitive kërkesës shqiptare për ekstradimin e Aldo Bares në Tiranë, por dosja u rikthye nga Gjykata e Apelit dhe në këtë kohë, në kryeqytetin turk mbërriti një kërkesë e dytë për ekstradimin e të akuzuarit si drejtues i “Bandës së Lushnjës”.
Kërkesa e Bares
Në bazë të ligjit vendas, autoritetet turke kërkuan edhe një qëndrim nga vetë i arrestuari lidhur me kërkesat për ekstradim. Në seancë gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë por edhe në Apelin e Ankarasë, Aldo Bare dhe avokati i tij Çemil Çan, kundërshtuan ekstradimin në Tiranë, duke thënë se akuzat e ngritura në Shqipëri ishin të motivuara politikisht. Në shqyrtim të kërkesës për ekstradimin e Alfred Shkurtit në Itali, autoritetet turke bazuar në ligjet vendase, kanë pyetur të arrestuarin dhe ai ka pranuar ekstradimin në Itali, duke pretenduar se është i pafajshëm për akuzat e ngritura. Një fakt i tillë mësohet se u është komunikuar edhe autoriteteve shqiptare, edhe pse Turqia ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me ekstradimin e të dyshuarit si kryesues i “Bandës së Lushnjës”. Me urdhër të Antimafies së Torinos, policia italiane ndaloi gjatë viteve 2005-2006, rreth 27 persona që bënin pjesë në grupin e drejtuar nga Enver Dondollaku, i cili kishte vepruar për llogari të Alfred Shkurtit. Ky i fundit ishte përgjuar gjatë bisedave të tij telefonike nga Turqia, teksa fliste me Dondollakun në Itali dhe e udhëzonte atë për mënyrën si duhej të vepronte. Sipas hetimeve italiane, ky grup kriminal i arrestuar në disa qytete të vendit fqinj ka trafikuar rreth 300 kilogramë heroinë. Për këto akuza autoritetet italiane shpallën në kërkim Alfred Shkurtin dhe i kërkuan Turqisë ekstradimin e tij. 

Prokuroria: Bare do gjykohet

Organi i akuzës tha dje se çështja e ekstradimit të Alfred Shkurtit nuk do të pengojë gjykimin e tij për krimet që ai akuzohet se ka kryer. “Deri tani nuk kemi të dhëna zyrtare nëse pala turke ka dhënë vendim përfundimtar për ekstradimin e të pandehurit. Cilido të jetë vendimi i autoriteteve turke, dosja penale ndodhet në gjykatë për disa episode, ndërsa pjesa tjetër është ende në hetim. Fashikulli penal i dërguar në gjykatë do të gjykohet me ose pa praninë e të pandehurit dhe më pas do të ndiqet rruga ligjore për ekzekutimin e vendimit penal”, thanë burimet nga organi i akuzës, të pyetura rreth pranimit nga Alfred Shkurti të kërkesës për ekstradim në Itali.

Bare, akuza në Shqipëri për disa vrasje
Alfred Shkurti, ish-oficer i forcave speciale të policisë, është akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprat penale “drejtim të organizatës kriminale”, “vrasje”, “shkatërrim të pronës me zjarr”, “dhunim të varreve” dhe “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”. Sipas Prokurorisë, këto krime dyshohet se janë kryer gjatë viteve 1998-2002. Për këto akuza Bare është i pandehur në gjyq, por gjykimi është pezulluar në pritje të ekstradimit.
 

“Vjehrra”, zbulohen pagesat për të fejuarën

TIRANE – “Vjehrra” e Alfred Shkurtit, e cila u ndalua dy ditë më parë në Rinas për rreth dy orë, është personi që ka telefonuar një punonjëse të agjencive të transfertave në Lushnjë, duke i kërkuar shuma financiare, të cilat janë marrë nga Denada Kodra, studentja e degës së Mjekësisë, e cila në dokumente, rezulton të jetë e fejuara e kreut të “Bandës së Lushnjës” Aldo Bare. “Pas telefonatave të nënës së Denada Kodrës, e cila ishte fejuar me Mikel Kodrën (emër i rremë i Aldo Bares), një punonjëse e agjencive të transfertave në Lushnjë, duke përdorur dokumente të personave të panjohur, që kishin bërë transferta parash dhe që i kishte mbajtur certifikatat e tyre, ka bërë edhe dërgesat e parave për në Turqi, Maqedoni dhe Rumani, të cilat janë marrë nga Denada Kodra, e cila takohej rregullisht me Alfred Shkurtin”, tha Prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›