FMN-ja apel BSH-së: “Mos kreditoni qeverinë, rrezikoni thellimin e borxhit”
Ervin KOÇI
Banka e Shqipërisë është ndodhur ditët e fundit “mes dy zjarresh”. Nga njëra anë qëndron qeveria që me anë të Ministrisë së Financave po i kërkon BSH-së që të hapë thesarin dhe ti jap hua një sasi parash për të përballuar mungesën e likuiditetit. Nga ana tjetër kanë qenë ekspertët e Fondit Monetar të cilët i kanë tërhequr vëmendjen Autoritet Qendror Bankar që të mos bëjë lëvizje të pamatura pasi do të kishte pasoja në thellimin e borxhit publik. Këto dy takime janë zhvilluar dy ditë më parë në ambientet e BSH-së, ku edhe pse janë mbajtur sekrete nga autoritet, përsëri qëllimi i tyre arriti të merrej vesh. Gazeta “Albania” mundi të mësojë disa detaje në lidhje me takimet që kreu i BSH-së, Guvernatori Ardian Fullani, pati me të dyja palët që kundërshtonin njëra tjetrën. Sipas burimeve, “ekipi i FMN-së ishte i pranishëm në BSH-ë dhe u takua me Guvernatorin Fullani vetëm pak çaste para se në zyrën e tij të mbërrite vet ministri i Financave, Ridvan Bode, për të negociuar mbi dhënien e huas për qeverinë”. Sipas të njëjtave burime, “edhe pse takimi ndodhi në formën e një koincidence, të dyja palët diskutuan dhe me të ‘zotin e shtëpisë’, Guvernatorin Fullani, për të paktën një orë”. Por burimet zyrtare nga BSH-ja kanë sqaruar se ekipi i FMN-së ishte në Bankë për zhvillimin e një seminari, duke hedhur poshtë pretendimet se ata kishin ardhur për të biseduar me Guvernatorin dhe Ministrin e Financave. Takimi që zgjati rreth dy orë, vjen në një moment kur qeveria po rrit presionet ndaj institucionit monetar për më shumë para.
Takimi sekret
Në takimin i cili u mundua të mbahej jashtë vëmendjes së medieve, përveç kreut të MF-së, atij të BSH-së dhe përfaqësuesve të FMN-së, ishte dhe një shpurë e tërë ekspertësh dhe këshilltarësh të palëve. Burime nga Financat duke dhënë për gazetën detaje rreth takimit, thanë se “në takim përveç ministrit dhe guvernatorit ishin të pranishëm zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda (ish-drejtori i Thesarit), si dhe shefi i Borxhit në MF-ë, të shoqëruar nga këshilltari amerikan i huamarrjes, i cili punon prej disa kohësh në Shqipëri, në kuadër të një marrëveshjeje”. Të tjera burime nga Financat thanë se, “aktualisht BSH-ja e ka ndërprerë financimin direkt me kredi, pas huas së marrë në janar me 3 miliardë lekë. Shkak është bërë plani i ardhshëm i qeverisë për të marrë dhe 5 miliardë të tjera borxh, e cila në rast se realizohet, cenon realisht rezervat e shtetit”.
Presioni i qeverisë
Rritja e presionit nga qeveria për të prekur rezervën valutore është tashmë një fakt që pranohet, ndon se jo drejtë për drejtë edhe nga Guvernatori i BSH-së, Fullani. Burime pranë BSH-së thonë se gjatë vitit 2009, rruga Rrëshen-Kalimash është paguar me euro, të marra nga Banka Qendrore, duke shkelur rregulloren e kursit të këmbimit. Nevoja për para gjatë vitit të krizës ka detyruar qeverinë të përdorë të gjitha skemat e mundshme që të siguronte valutë, duke pasur parasysh volumin e lartë të punës në fushatën elektorale. Tjetër shqetësim për guvernatorin është kapaciteti i qeverisë për të shlyer borxhet dhe nëse ka ndonjë skenar, në rast se dështon projekti i emetimit të eurobondit. Por paralajmërimet e guvernatorit duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi qeveria e rriti borxhit, pavarësisht krizës. Ajo që mbetet për t’u parë është pozicioni i Fullanit, nëse do të vijojë të jetë thjesht rekomandues, duke aprovuar në heshtje hua, apo të zbatojë ligjin, i cili nuk lejon huamarrje më të lartë se 3 për qind të mesatares së të ardhurave në tre vitet e fundit.
Borxhi
Vetëm në muajin janar qeveria ka marrë nga BSH-ja rreth 3 miliardë lekë në formë borxhi, duke rrezikuar tejkalimin e kufirit të lejuar me ligj, si dhe duke shtuar nga ana tjetër rrezikun e luhatjes së inflacionit. Vitin e kaluar, nga BSH-ja, u arrit të merreshin kredi direkte rreth 7 miliardë lekë, duke qëndruar pranë limitit të lejuar, por këtë vit, kufiri prej 3 përqindësh, rrezikon të shkelet që në dy muajt e parë të vitit. Të dhënat e fundit tregojnë se borxhi i brendshëm dhe i jashtëm i qeverisë shqiptare u rrit me 86 miliardë lekë (623 milionë euro) gjatë vitit 2009, duke shënuar rritjen më të lartë të shënuar në shumë vite. Treguesit i konfirmon Ministria e Financave, sipas së cilës, stoku i borxhit të brendshëm, i cili përbën rreth 60 për qind të totalit të borxhit, u rrit me 15 miliardë lekë, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm u rrit me 71 miliardë lekë. Nga ana tjetër as raportet mes qeverisë dhe FMN-së nuk janë më si më parë, për shkak të stadit ekonomik të vendit, por kriza ekonomike dhe mungesa e disiplinës financiare detyrojnë palët të rishohin mundësinë e një marrëveshjeje të re, e cila pritet në muajin mars.
Statistikat, përdorimi i kartave bankare bie me 20 për qind
Përdorimi i kartave bankare të debitit apo të kreditit pësoi një rritje të lehtë gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, por mbetet ende 20 për qind më i ulët sesa një vit më parë, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Shoqata e Bankave. Në dhjetor 2009, shqiptarët përdorën 567 mijë karta, nga 557 mijë karta që qenë në shtator të vitit të kaluar. Një vit më parë, numri i kartave në përdorim arriti kulmin në 718 mijë njësi. Shkaku kryesor i rënies së numrit të kartave të përdorura lidhen me vendosjen e komisioneve nga ana e bankave për mbajtësit e tyre. Nën stresin e krizës, shumë banka filluan të aplikojnë për herë të parë komisione mujore, ndërsa disa të tjera i rritën deri në dyfish komisionet. Për pasojë, një pjesë e shqiptarëve i dorëzuan ose nuk i përdorën kartat. Shumica dërrmuese e kartave bankare në qarkullim janë karta debiti dhe përdorin vetëm paratë që gjenden në llogarinë e klientit. Një pjesë e vogël e tyre, vetëm 24 mijë, klasifikohen si karta krediti, me anë të së cilave qytetarët marrin hua te bankat.
18 Shkurt 2010