Dy vjet pavarësi për Kosovën, Parlamenti mban seancë solemne
Blerina Olldashi
Kosova dje ka festuar dyvjetorin e pavarësisë, e konsideruar si një ngjarje me rëndësi historike. Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar një seancë simbolike ku ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti Fatmir Sejdiu tha se pavarësia ka qenë kurorëzimi i një sërë përpjekjesh dhe sakrificash. “Pavarësia e Kosovës është rezultat i punës dhe sakrificës së madhe të qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar”, - ka pohuar Sejdiu. Presidenti tha se gjatë dy viteve të funksionimit, Kosova ka arritur të dëshmojë se pavarësia e saj i ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet rajonit. Megjithatë, sipas tij, detyrë për vitin e tretë lind nevoja e angazhimit për integrimin sa më të shpejtë të vendit në strukturat euroatlantike. “Ne jemi shteti më i ri në Europë dhe në botë. Kjo nuk është një përparësi, përkundrazi, një pengesë në udhën e vështirë dhe plot përgjegjësi për të ardhmen tonë. Ne na duhet të punojmë dyfish më shumë për të arritur shkallën e zhvillimit të vendeve të tjera. Na duhet të tregohemi dyfish më të kujdesshëm në procesin e përmbushjes së standardeve të kërkuara për integrime euroatlantike. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se asnjë veprim i yni nuk mbetet pa analizuar”, - tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se për të mbërritur deri në këtë ditë të festës së pavarësisë, është punuar dhe sakrifikuar nga gjenerata të tëra. “Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri, pavarësi dhe rend demokratik në atdheun tonë e realizuam së bashku me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar. Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe secili duhet të ndihet krenar kudo që jeton”, - tha kryeministri Thaçi. Në dyvjetorin e shënimit të pavarësisë, sipas kryeministrit Thaçi, shteti i Kosovës është më i konsoliduar, me një qeverisje të mirë dhe sundim të rendit dhe ligjit. Ndërkaq, sfidat e së ardhmes Thaçi tha se janë zhvillimi dhe integrimi në strukturat euroatlantike.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se nevojitet zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit. “Ne, qytetarët e Kosovës, tashmë kemi një armik të përbashkët të quajtur varfëri dhe interesin e lartë për jetë më të mirë, të sigurt e të dinjitetshme. Vlera e pavarësisë së Kosovës matet në radhë të parë me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve, por ne duhet ta ndërtojmë bashkë e me duart tona të ardhmen tonë“, - tha kryeparlamentari Krasniqi. Krerët e institucioneve të vendit përmendën edhe kontributin e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, pastaj familjet Jashari dhe Rugova, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për pavarësinë e vendit. Sejdiu, Thaçi e Krasniqi folën edhe për sukseset që janë shënuar gjatë këtyre dy viteve të funksionimit të shtetit. Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, mbajtja e zgjedhjeve të lira si dhe ngritja e institucioneve kushtetuese ishin disa prej arritjeve që u theksuan.
Kryeministri Berisha i dërgon mesazh urimi kryeministrit Thaçi
Me rastin e 17 shkurtit, dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi. Në letrën e tij Berisha shprehet se kremtimi i dyvjetorit të pavarësisë është një ngjarje me rëndësi historike për gjithë vendin, të cilën e përcjell me dashamirësi në emër të qeverisë shqiptare. “Kremtimi i përvjetorit të dytë të ngjarjes me rëndësi historike për mbarë kombin, Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më jep rastin e lumtur që, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, t’Ju përcjell Ju dhe, nëpërmjet Jush, të gjithë popullit të Kosovës, përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të mira e vëllazërore për përparimin e vazhdueshëm të shtetit më të ri të Europës, të lirë e demokratike, dhe për begatinë e qytetarëve të saj”, - shkruhet në letrën e urimit të kryeministrit Berisha.
Rama uron autoritetet kosovare për Ditën e Pavarësisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka uruar presidentin kosovar Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe të gjithë popullin kosovar për Ditën historike të Pavarësisë. Rama e ka konsideruar 17 shkurtin si ditën kur u firmos dokumenti i lindjes së shtetit më të ri. “Ashtu si 28 Nëntori 1912, 17 shkurti i vitit 2008, dita kur u firmos dokumenti historik i lindjes së shtetit më të ri në botë, është një datë e destinuar të ngulitet thellë në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve”, - tha Rama. Kreu socialist kujtoi se këto dy vite kanë dhënë përgjigjen më të mirë e të pakundërshtueshme për të gjithë jo vetëm nga njohja që i kanë bërë Kosovës fuqitë më të mëdha demokratike të botës, por edhe nga e vërteta e përditshme se Kosova e pavarur është faktikisht një faktor kyç në garantimin e sigurisë e të stabilitetit në Ballkan.
Kryeparlamentarja Topalli, mesazh urimi homologut Krasniqi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në mesazhin drejtuar kreut të Parlamentit, Dita e Pavarësisë së Kosovës konsiderohet si një ditë e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Zonja Topalli ka shprehur urimin e saj për gjithë popullin e Kosovës, qeverinë dhe institucionet e saj të pavarura, për dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë. “Më lejoni me këtë rast të përcjell urimet më të mira, në emrin tim dhe të Kuvendit të Shqipërisë, për këtë ditë të madhe të ngadhënjimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë,
aq shumë të dëshiruara nga shqiptarët në shekuj.
Në këtë dyvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, populli kosovar dhe ne të gjithë ndihemi krenarë për historinë tuaj të suksesit dhe të arritjeve drejt forcimit të institucioneve dhe shtetit ligjor në Kosovë”. Topalli ka shprehur impenjimin e saj për bashkëpunim mes dy parlamenteve, në funksion të përshpejtimit të integrimit europian të dy vendeve.
Haradinaj kritikon: “Formimi i shtetit ka mbetur në vend”
Në dyvjetorin e pavarësisë të Kosovës janë vënë në dukje edhe të metat e qeverisjes dhe mangësitë për funksionimin e shtetit të ri. Kryetari i AAK-së në opozitë, Ramush Haradinaj, në një intervistë për BBC-në shprehet se në dy vjet të funksionimit si shtet, Kosova i ka shkaktuar vetes disa humbje. Për shkak të cilësisë së keqe të qeverisjes ai konsideron se procesi i zhvillimit të shtetit ka mbetur në vend, po ashtu edhe njohja nga shtetet e tjera si pasojë e angazhimit jo serioz të diplomacisë kosovare, ndërsa si arritjen më të madhe në këto dy vjet të funksionimit shtet ka veçuar integrimin e serbëve në pjesën qendrore të vendit. “Mendoj se gjatë këtyre dy viteve si shtet, kemi munguar për të gjetur zgjidhje për shumë prej këtyre temave dhe jo vetëm kaq, por i kemi shkaktuar vetes disa humbje. Ajo që vlen për t’u lavdëruar ose për të sjellë një lajm të mirë është integrimi i serbëve në pjesën qendrore të vendit, por që duhet të ndodhë edhe në pjesën veriore. Mendoj se sa i përket cilësisë së qeverisjes, formimit të shtetit, kemi qenë të dobët”.
Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, nuk mund të zgjidhej çdo çështje që kërkon vëmendje, por mund të evitohej shkatërrimi i arritjeve.
18 Shkurt 2010