E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bumçi drejtuesi i ri i demokratëve të kryeqytetit

19/05/2009  Zgjidhet kreu i ri i PD-së së Tiranës

Berisha sulmon drejtimin klientelist të kryeqytetit nga Edi Rama

Kryetari i ri i demokratëve të Tiranës është Aldo Bumçi. Procesi i votimit të delegatëve në konferencën e degës së Partisë Demokratike të Tiranës ka zgjatur për mbi nëntë orë. Konferenca e degës së Tiranës është mbledhur pas një periudhe të gjatë organizimi, prej së cilës në fund u përballën tre kandidatët. Ndërkohë në garë ishte edhe deputeti Besnik Mustafaj, por ai deklaroi tërheqjen e tij, duke argumentuar se vuri re cenim të normave statusore. Gjatë konferencës së djeshme kandidatët gjatë shpalosjes së alternativave dhe programit të tyre për drejtimin e degës më të madhe e më të rëndësishme të vendit emërues të përbashkët kanë pasur oponencën dhe kritikat e ashpra ndaj kreut të Bashkisë së kryeqytetit, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama. Për Bumçin, Përnaskën dhe Bojaxhiun demokratët duhet të kundërshtojnë politikat e ndjekura nga kryebashkiaku dhe kundërshtari kryesor politik Edi Rama. Sipas tyre, duhet t’i bëhet një oponencë dhe nuk duhet lejuar më që lejet e ndërtimit të jepen në bazë të interesave klienteliste të kryebashkiakut. Të njëjtën linjë të fortë ka mbajtur kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i PD-së. Ai i kërkoi Ramës të dorëzojë sa më parë projektin e unazës së madhe të kryeqytetit, e cila do të lehtësonte qarkullimin. “Qeveria është e vendosur t’i japë kryeqytetit infrastrukturën më moderne. Kjo mazhorancë është e gatshme ta përfundojë unazën brenda një viti”, - ka deklaruar Berisha. Ai theksoi se qeveria që drejton ka mundësuar pesëfishimin e grantit për qytetarët e kryeqytetit, ku nuk përfshihen ndërtimet e mëdha, si nyja hyrëse e Kamzës, një nga më të bukurat që mund të ekzistojë dhe as rrethrrotullimi te sheshi “Rilindja”. Berisha theksoi se Rama duhet t’u japë fund vendimeve të tij për dhënie lejesh ndërtimi mbi baza klienteliste. Duke shfrytëzuar konferencën e degës së Tiranës, Berisha vuri theksin në fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që e cilësoi Tiranën si udhëheqësen e kësaj fitoreje. Ai tha se kryeqyteti i vendit është i vetmi në Europë që nuk njeh krizën ekonomike për shkak të qytetarëve të saj dhe politikës së ndjekur nga qeveria. “Jemi këtu për t’u zotuar se 28 qershori do të shembë edhe murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, murin e ndërtuar me lejet e ndërtimit dhe korrupsionin e tyre”, - tha Berisha. “Nga kjo konferencë ne zotohemi se do ta bëjmë Tiranën në çdo qelizë të saj blu dhe fitimtare. Zotohemi se fitoren e 2005-s do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme dhe se Tirana e 28 qershorit për sa i përket votës do të jetë Tirana e vitit ’92”, - deklaroi kreu i qeverisë. Gjatë kësaj fjale ai nuk ka lëshuar asnjë mesazh në thelb të së cilës të tregonte preferencën e tij ndaj njërit prej tre kandidatëve. Gjithsesi, pak kohë më parë në një intervistë televizive Berisha u shpreh se Aldo Bumçi ishte i preferuari i tij në këtë garë të brendshme zgjedhore.

Lajla Përnaska

“Me PD-në e Tiranës maxhoranca do t’i çojë më tej arritjet, për ta bërë degën e kryeqytetit forcën që ne duam. Me platformën tonë elektorale ne do të certifikojmë edhe një herë fitoren e madhe të zgjedhjeve të vitit 2005, e cila do t’i shërbejë jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Shqipërisë. Edi Rama tashmë është përfshirë nga fobia e zgjedhjeve.”

Gjergj Bojaxhi

“PD-ja e Tiranës do të ofrojë modelin konkret të qeverisjes së qytetit, i cili në ndryshim nga modeli klientelist ‘Rama’ do të bazohet në aftësitë drejtuese dhe në integritet të pacenueshëm. Kryesia e PD-së së Tiranës duhet të jetë në vijën e parë të sulmit kundër lejeve të ndërtimit që kryebashkiaku Rama i jep në mënyrë jotransparente dhe klienteliste.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›