Parada gay, Spahiu: Do i kapim në hu. Reagon Totozani

Igli Totozani
TIRANË- Reagime pas deklaratës së zv.ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, kundër paradës së komunitetit homoseksual, planifikuar të mbahet në Tiranë, më 17 maj.
Avokati i Popullit, Igli Totozani në një reagim të sotëm e ka quajtur deklaratën, jo vetëm fyese, por si nxitëse të urrejtjes dhe dhunës, duke kërkuar prej tij ndjesë publike.
Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë. Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj, deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen duke përbërë kështu edhe një vepër penale- thuhet në reagim.
Zëvendësministri ishte cituar sot në Gazeta Shqiptare, pyetur pikërisht për paradën në fjalë, duke thënë se do ti kapin në hu.