E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zguri: Raporti final për 8 majin objektiv dhe mbron KQZ-në

22/08/2011  KQZ shprehet për herë të parë në lidhje me raportin përfundimtar të ODIHR-it

Për anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, “Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit është i qartë dhe objektiv.” Është ky komenti i parë nga ana e KQZ-së që i bëhet raportit të publikuar një javë më parë nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët ndoqën nga afër situatën politike para dhe post-zgjedhore. Në një intervistë dhënë për “ABC News”-in një ditë më parë Klement Zguri, theksoi se “Raportet e ODIHR-it kanë koherencë brenda tyre. Rekomandimet në raport, u referohen zgjedhjeve dhe ai është mjaft objektiv”, deklaroi anëtari i KQZ-së, duke shtuar më pas se pikërisht ky raport, i ka cilësuar zgjedhjet si kompetitive dhe transparente. Gjithashtu Zguri është ndalur ndër të tjera edhe mbi kritikat e ODIHR-it në lidhje me polarizimin që karakterizoi vendimmarrjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “ODIHR-i ka konstatuar se tek anëtarët e KQZ-së ka ekzistuar një ndarje politike. Partitë politike kanë pasur të drejtën për propozime të anëtarëve të tyre në KQZ. Presioni politik i partive mbi KQZ-në ka qenë i madh”, shtoi Zguri. Duke theksuar më tej se braktisja nga ana e përfaqësuesve të opozitës në KQZ ka ndodhur për shkak të urdhrave politikë të kreut të opozitës Edi Rama. Ndërsa sa i përket vendimit 709, me anë të të cilit KQZ-ja vendosi hapjen e kutive të votimit dhe numërimin e fletëve të votimit të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar nga zgjedhësit më 8 maj, Zguri u shpreh se “Vetë raporti i ODIHR-it thekson se KQZ-ja është vënë në vështirësi gjatë punës së saj. Ai nuk ka asnjë fjalë brenda tij ku KQZ të akuzohet për shkelje. Vetë klima politike në kohën e zgjedhjeve, nuk ka qenë aspak bashkëpunuese. Kushtetuta urdhëron leximin e votave të qytetarëve. Ligji e thekson se cilat vota duhet të konsiderohen si të pavlefshme. Votat në kutitë e gabuara janë të vlefshme në bazë të ligjit. KQZ-ja u detyrua të bënte edhe rolin e KZAZ-së për Tiranën. Ajo ka respektuar ligjin duke lexuar të gjitha votat e qytetarëve”, tha mes të tjerash anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në përfundim të intervistës së tij, Klement Zguri duke iu rikthyer rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it, pohoi se Kodi Zgjedhor ka nevojë për përmirësime.

Numërimi i fletëve të gabuara

“Vetë raporti i ODIHR-it thekson se KQZ-ja është vënë në vështirësi gjatë punës së saj. Ai nuk ka asnjë fjalë brenda tij ku KQZ të akuzohet për shkelje. Vetë klima politike në kohën e zgjedhjeve, nuk ka qenë aspak bashkëpunuese. Kushtetuta urdhëron leximin e votave të qytetarëve. Ligji e thekson se cilat vota duhet të konsiderohen si të pavlefshme. Votat në kutitë e gabuara janë të vlefshme në bazë të ligjit. KQZ-ja u detyrua të bënte edhe rolin e KZAZ-së për Tiranën. Ajo ka respektuar ligjin duke lexuar të gjitha votat e qytetarëve”, – tha anëtari i KQZ-së, Klement Zguri.

Raporti dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

Në raportin përfundimtar Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it thekson se zgjedhjet vendore të 8 majit u vlerësuan për përputhshmërinë e tyre me kushtet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar. OSBE/ODIHR i jep politikës shqiptare 27 rekomandime të reja për t’i zbatuar deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pasditen e të hënës, një javë më parë dhe rreth 3 muaj larg zgjedhjeve lokale të 8 majit u publikua raporti final i OSBE/ODIHR-it. Raporti e cilëson transparent mënyrën e votimit dhe numërimit në të 12 qarqet e vendit dhe shton se numërimi në Tiranë eci me ritme të ngadalta. Gara elektorale e 8 majit u cilësua në këtë raport si konkurruese, por në të u pasqyrua edhe polarizimi politik që i parapriu zgjedhjeve lokale nga bojkoti i Kuvendit dhe demonstratat anti-qeverisë. Në raport citohet se gjykatat në Shqipëri i dhanë të drejtë vendimeve të KQZ-së. Në rekomandimet e tyre, OSBE/ODIHR-i kërkon një formulë të re në përbërjen e KQZ-së në mënyrë që të rritet besimi në pavarësinë e saj. Po kështu, ODIHR-i sugjeron ndryshimin e ligjit elektoral për të trajtuar vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuara, duke përfshirë edhe procedurat për fletët e votimit në tabelën e rezultateve, si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast të mospërputhjeve kur numri i votave të hedhura tejkalon numrin e nënshkrimeve në listën e zgjedhësve. “Këto zgjedhje ishin kompetitive dhe transparente. Zgjedhjet lokale të 8 majit u zhvilluan në një mjedis politik që shndërrua në një krizë pas demonstratës antiqeveritare më 21 janar të 2011. Kodi Zgjedhor nuk e rregullon vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar. Kodi Zgjedhor nuk përmend në mënyrë eksplicite se këto fletë votimi të hedhura në kuti të gabuara janë të pavlefshme, por as nuk parashikon ndonjë procedurë për numërimin e fletëve të votimit të pavlefshme dhe për përfshirjen e tyre në rezultatet. Ky hendek çoi në polemika të konsiderueshme dhe një zgjatje të apelimeve në zgjedhjet për kryetar të Bashkisë të Tiranës”, thuhet në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Pas publikimit të tij një javë më parë, dy liderët e partive më të mëdha në vend, Berisha dhe Rama janë shprehur për bashkëpunim në realizimin e reformës zgjedhore, një rekomandim thelbësor ky i kërkuar edhe nga ndërkombëtarët në raportin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›