E Diel, 1 Nëntor 2026

“Aleanca për Qytetarin” prezanton në Gjirokastër, kandidatin fitues Genci Sinoimerin

27-03-2011 / Gazeta 55

Meta: “Do i kthejmë Gjirokastrës vlerat e humbura të qytetarisë nga bashkiaku i shkatërrimit”


Genc Ruli: “Aleanca për të Ardhmen”, është aleanca për të shkuarën e bllokut


Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka prezantuar ditën e djeshme, në qytetin e Gjirokastrës, kandidatin e mazhorancës për kryetar bashkie Genc Sinojmerin. Të pranishëm në prezantimin e kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie të qytetit të Gjirokastrës ishin kreu i LSI-së, Ilir Meta, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, Vangjel Tavo,  si dhe drejtues të tjera të partive të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Gjatë kësaj ceremonie kreu i LSI-së, Ilir Meta në fjalën e tij u shpreh se me zgjedhjet e 8 majit do i kthehen Gjirokastrës vlerat e humbura të qytetarisë nga bashkìaku i shkatërrimit. Gjithashtu Meta u shpreh me optimizëm për fitoren e kandidatit për kryetar bashkie të Gjirokastrës, Genc Sinoimerin në Gjirokastër. Ai deklaroi se jo vetëm që ky është një koalicion i fitores dhe këtë gjë do e tregojë në 8 maj, por ashtu sikurse është Genc Sinoimeri që përfaqëson qytetarin e denjë të këtij qyteti, ashtu janë të gjithë kandidatët e zgjedhur nga kjo mazhorancë.  Më tej kreu i LSI-së theksoi se motoja jonë është qytetari dhe për qytetarin, ndaj dhe koalicioni ynë quhet “Aleanca për Qytetarin”. Ndërsa ministri i Bujqësisë Genc Ruli gjatë fjalës së tij vlerësoi me nota të larta  qytetarinë e  kandidatit për kryetar Bashkie të Gjirokastrës, Sinoimerin por edhe për përkushtimin dhe humanizmin që po tregon ndaj komunitetit të tij në punët e deritanishme. Ministri Ruli theksoi se “Aleanca për Qytetarin” do të fitoj këto zgjedhje sepse është aleancë që ka në plan të parë interesat e qytetarëve. “Ne kemi dalë përpara elektoratit me një emër të drejtpërdrejtë Aleanca për Qytetarit. Që do të thotë se të gjithë partitë tona i ofrohen qytetarit shqiptarë si forcë politike që marrin përsipër të përmbushin kërkesat që ka qytetari shqiptar ashtu sikurse kemi dëshmuar me qeverisjen tonë. Ne kemi përballë aleancën për të ardhmen politike të Edi Ramës”, u shpreh ministri i Bujqësisë Ruli. Ndërsa kandidati i “Aleancës për Qytetarin” i cili vjen nga radhët e LSI-së, Genci Sinoimeri, falenderoi qytetarët e vet për përkrahjen e dhënë si dhe shpalosi disa pika nga programi i  i tij për qytetin e Gjirokastrës. Në fjalën e tij Genc Sinojmeri deklaroi se “ne do të fitojmë sepse jemi një brez që përfaqësojmë energji dhe vrull të ri, kemi dëshirën për të ecur përpara ndryshe përballë ne kemi një të kaluar, kemi mentalitetin udhëheqës i cili po kufizon jetën tonë çdo ditë”. “Ne do të fitojmë sepse qendra e programit tonë do të jetë rimëkëmbja ekonomike e qytetit. Ne jemi të bindur se vetëm zhvillimi i turizmit familjar në këtë qytet mund të na çojë përpara. Ne do të kthejmë taksat e qytetarëve në ndriçim, gjelbërim dhe jo në betonizim. Qyteti ynë është një vlerë e UNESCO-s, dhe këto vlera janë unikale në të gjithë botën. Programi ynë do të jetë i tillë që të promovojnë vlerat turistike të këtij qyteti dhe jo vetëm do të rrisim numrin e turistëve por do të bëjmë që këta turistë të shpenzojnë paratë e tyre në Gjirokastër dhe këto para të shkojnë në xhepat e qytetarëve të Gjirokastrës”, u shpreh kandidati i mazhorancës për bashkinë e Gjirokastrës, Genc Sinoimeri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›