LSI, “ok” tryezës së PD-së për zgjedhjet e 8 majit

Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, për mbajtjen e një tryeze të përbashkët për të diskutuar mbi zgjedhjet lokale. Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama ka deklaruar në një konferencë për shtyp se, bashkëpunimi për zgjedhjet është në të mirë të qytetarëve. Ai ka vlerësuar kandidaturën e Lulzim Bashës për bashkinë e Tiranës dhe ka shprehur bindjen se koalicioni qeverisës do ta fitojë garën për kryeqytetin. “Kandidatura e zotit Basha është padyshim kandidatura më e gjetur për t’i ofruar Tiranës njeriun, që siç e tha dhe ai vetë ka të parën Tiranën dhe qytetarët e saj. Fjalimi i tij i dominuar nga mesazhe qytetarie, nga një angazhim dhe preokupim maksimal për të krijuar impaktin pozitiv të kandidatit për kryetar bashkie me qytetarët që do ta zgjedhin atë për të qenë kryetar bashkie, është e veçanta e performancës së tij të djeshme. Jo vetëm kaq, por më lejoni të theksoj që të gjitha strukturat e LSI në Tiranë, jo vetëm ndjehen të përfaqësuar në të nijetin nivel me kandidaturën e zotit Basha, por për shkak të asaj që ai përfaqëson ndjehen të motivuar të realizojnë një fushatë në përmbushje të aspiratës së qytetarëve të Tiranës, sepse pas dhjetë vitesh dominon arbitrariteti i një politike që për fat të keq është rudimenti më i shëmtuar e një politike të vjetër, kur ai që ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, për fat të keq vuri veten të parin dhe klanin e tij, është koha që të rikthejmë të parën Tiranën, qytetarët e saj dhe këtë gjë e garanton më së miri kandidatura qytetare e kandidatit Lulzim Basha”, ka deklaruar Rama.
...