E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës prej 4 vitesh ka lënë në mëshirë të fatit qytetarët

27-03-2011 / Gazeta 55

Tregu, produktet e shportës tregtohen në mes të rrugës

Produktet e shportës konsumatore sot në tregje i gjen të ekspozuara në tokë, në ambiente aspak të përshtatshme, në buzë të rrugës mes pluhurit, plehrave, në kushte vërtet skandaloze. Por më e keqja është se edhe pse janë konstatuar këto parregullsi nga ana e inspektoriatit të higjienës me qindra herë janë dërguar ankesa për marrjen e masave, njësive vendore përkatëse. Ky problem që prek shëndetin e qytetarëve të Tiranës është pritur me një indiferencë të plotë. Qytetarët detyrohen t’i blejnë produktet jashtë çdo kontrolli. Mungesa e tregjeve të mirëfillta është kthyer në një problematikë të vërtetë. Qytetarët e Tiranës shprehen të pakënaqur me kushtet e tregtimit të produkteve ushqimore. “Kushtet me thënë të drejtën janë shumë të dobëta, në çdo vend që të shkosh sheh  zarzavate në rrugë, sheh mish duke u shitur në rrugë, sheh duke u shërbyer qytetarëve në mënyrë të pakulturë fare, me plehra, më pisllëqe etj. Kjo është një katastrofë e vërtetë, por Bashkia e Tiranës këtë katër vjeçar s’është marrë fare me këtë qytet. Dhe populli është shumë i pakënaqur në përgjithësi me këtë shërbim që jep Bashkia. S’kemi ku shkojmë. Duhet të jetë kultura dhe edukata e njerëzve. Kushtet nuk janë të mira, ka shumë papastërti, ka pluhur, lëvizje makinash dhe produktet tregtohen jashtë. Duhet të ketë pastërti dhe kushte të sigurta. Produktet janë të shtrenjta dhe kushtet janë të papërshtatshme. Bashkia duhet të marrë masa që të jetë sa më mirë. Duhej të ndërtonte ambiente të mbyllur, t’i jepte kushte këtyre që rrinë gjithë ditën jashtë, i zë dielli, i zë shiu kështu që masat duhen marrë nga Bashkia e Tiranës”, shprehen qytetarët.
Shefi i Shërbimit të Higjenës, Vladimir Janushi shprehet vërtet i zhgënjyer që duhet të veprohet me mjete të tjera për diçka e cila duhej të ishte zbatuar me kohë nga ana e njësive Bashkiake që i mbulojnë këto tregje. Me rritjen e temperaturave disa nga produktet siç janë produktet e mishit apo bulmetrat rrezikojnë vërtet shëndetin e qytetarëve. “Inspektoriati Sanitar Shtetëror ka pasur në qendër të vëmendjes kontrollin në tregjet e lira dhe rezulton që gjatë viteve 2007 – 2011 ka vendosur në tregje dhe në objektet që janë në territorin e tregjeve rreth 63 gjoba dhe janë mbyllur me dhjetëra objekte që mund të jenë rreth 16. por me gjithë masat e marra, rezulton që në disa tregje kushtet higjieno-sanitare nuk janë të favorshme dhe veçanërisht tregtimi në rrugë. Për vite me radhë Bashkia e Tiranës ka neglizhuar ndërtimin e tregjeve të mirëfillta për tregtarët një pjesë e mirë e të cilëve ambulantë tregtojnë të pa licencuar dhe jashtë një pjesë e mirë e të cilëve ambulantë tregtojnë të pa licencuar dhe jashtë çdo kushti hijeno-sanitari”, u shpreh shefi i Shërbimit të Higjienës, Vladimir Janushi.
Sipas tij, në këto tregje punohet, tregtohet dhe shitet nga subjekte të cilat nuk janë subjekte por janë ambulantë dhe nuk janë të licencuar. “Për këtë arsye ne vazhdimisht kemi tentuar të  kemi bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me Bashki të tjera. Në disa raste kemi pasur marrëdhënie mjaft të mira me bashkitë e qarqeve kurse me Tiranën kemi gjetur një mos përgjigje nga ana e tyre dhe asnjë nga shkresat tona apo kontakteve tona. Këto tregje në përgjithësi që janë pronë e Bashkisë së Tiranës dhe ato tatim pagues që shesin produkte ushqimore ato paguajnë taksa te Bashkia e Tiranës apo të Bashkitë të tjera”, deklaroi më tej ai. Mungesa e tregjeve të mirëfillta rëndon jo vetëm në xhepin e konsumatorit por mbi të gjitha në shëndetin e tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›