Amnisti veç për qytetarët e bizneset, jo për krimin dhe politikanët
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj sqaron kategoritë e përfituesve nga amnistia fiskale. Falje për gjobat e kamatëvonesat
Amnistia fiskale do të jetë vetëm për qytetarët dhe bizneset. Zëvendësministri Financave Alfred Rrushaj, deklaroi se kjo nismë do i japë mundësi shqiptareve që të legalizojnë kapitalet e tyre, si dhe të zerojnë detyrimet tatimore të papaguara, të gjitha këto kundrejt disa tarifave minimale. Amnistia fiskale nuk do të vlejë për zyrtarët dhe ish zyrtarët, për të cilët deklarimi i pasurisë është detyrim ligjor.
Zëvendësministri, i Financave Alfred Rrushaj, ka sqaruar se nga kjo amnisti do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset, për të cilët do të ketë falje të detyrimeve të papaguara deri në dt 31 dhjetor 2010.
Sipas zëvendësministrit Rrushaj kjo nismë do përfshijë rivlerësim të pasurive të paluajtshme për qytetarët, falje të gjobave të biznesit të vogël për mos pajisjen me kasa fiskale, falje të detyrimeve tatimore për biznesin e madh për vitet 2009 dhe 2010, të gjitha këto kundrejt disa tarifave simbolike, sipas Rrushajt.
Për sa i përket biznesit të madh në vend Rrushaj deklaroi se falja për këto biznese, do bëhet për periudhën kohore 2009-2010. Ndër të tjera zëvendësministri i Financave, sqaroi se të gjithë qytetaret që kane sjellë automjete nga jashtë, për te cilat nuk kane paguar detyrimet doganore, do të përfitojnë falje të gjobave dhe interesave të tyre, si dhe 50 për qind të principalit të detyrimit doganor.