Aleatë dhe deputetë të PD-së, presion për ndryshime në qeveri
Kohët e fundit janë shtuar zërat brenda dhe jashtë Partisë Demokratike për domosdoshmërinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Jo vetëm aleatët, por edhe deputetë të Partisë Demokratike kanë vënë theksin te domosdoshmëria e rifreskimit të qeverisë, veçanërisht në disa poste në të cilat nuk është vërejtur e njëjta performancë qeverisëse. Kërkesa për ndryshime në qeveri bëhet pikërisht kur kabineti ka mëse një vit që është krijuar, kohë gjatë së cilës nuk janë bërë ndryshime. Po kështu, burime nga Grupi Parlamentar i PD-së bëjnë të ditur se ndryshimet në qeveri do të jenë të domosdoshme për t’u bërë jo vetëm për të parë funksionimin e qeverisjes në disa dikastere, por edhe për të afruar aleatë të rinj, siç është PDU-ja, dhe për të zëvendësuar ndonjë ministër, emri i të cilit lakohet se do të kandidohet nga PD-ja për Bashkinë e Tiranës.
Aleatët
Vetëm pak kohë më parë, kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi që zhvilloi me dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, ranë dakord që në të ardhmen të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi që përfshin dhe bashkëqeverisjen. Sipas burimeve, kreu i qeverisë pritet t’i japë një post ministri dhe disa poste të niveleve të tjera dytësore Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Sipas burimeve, riformatimi i qeverisë është i diktuar jo vetëm nga performanca e disa ministrave, por edhe nga nevoja për ruajtjen e maxhorancës prej 71 votash në Parlament. Pikërisht për të siguruar një maxhorancë solide prej 71 votash, kryetarit të Partisë Demokratike i duhet të “gostitë” të gjithë aleatët, në mënyrë që maxhoranca e tij të mos varet nga “oreksi” i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas burimeve të informacionit, kryeministri Berisha pritet të afrojë në qeverisje Partinë për Drejtësi dhe Unitet, që përfaqëson kryesisht interesat e komunitetit çam. Duke i dhënë PDU-së një post ministror dhe disa poste të nivelit të dytë dhe të tretë, atëherë Berisha siguron dy vota për maxhorancën e tij, duke e çuar pikërisht në 71 vota të sigurta, duke mos numëruar katër votat e LSI-së, parti kjo që ka vendosur të ruajë identitetin e saj të majtë në disa raste. Me afrimin e PDU-së në qeverisje, Berisha arrin të krijojë një frymëmarrje për qeverisjen e tij, duke garantuar numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, ashtu sikurse kërkon dhe projektligji i shumëdebatuar për Shërbimin Informativ Shtetëror. Po kështu, kreu i qeverisë i shpëton presionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndrimi i së cilës rrezikoi maxhorancën në votimin e projektit për SHISH-in, duke bërë që Berisha ta tërheqë nga votimi këtë draft.
Deputetët
Përveç aleatit Sabri Godo, janë dy deputetë të PD-së që kanë hedhur idenë e ndryshimeve në qeveri. Kështu, deputeti Mark Marku, pak kohë më parë u shpreh për nevojën e ndryshimeve në qeveri, që sipas tij, do të ishin më mirë të bëheshin pas zgjedhjeve lokale. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Luçiano Boçi, mendon se ndryshimet në qeveri do të jenë më mirë të bëhen para zgjedhjeve lokale në mënyrë që t’i jepet një freski qeverisjes në prag të fushatës zgjedhore. Ndërsa burimet bëjnë të ditur se ka shumë gjasa që ndryshimet të bëhen së shpejti, për shkak të afrimit të PDU-së në kabinetin qeveritar dhe për të siguruar sa më parë një maxhorancë solide, por edhe për të zëvendësuar, ashtu sikurse përflitet brenda radhëve të PD-së, Lulzim Bashën, i cili pritet të lërë karrigen e ministrit për të kandiduar për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Godo: “4-5 ministra duhet të largohen nga kabineti ‘Berisha’”
Vetëm pak ditë më parë, Presidenti i Nderit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikani, Sabri Godo, deklaroi se është i nevojshëm ndryshimi i kabinetit qeveritar. Madje Godo ka shkuar dhe më tej ndërsa ka bërë të ditur se sipas tij, duhet të largohen jo pak, por 5 ministra të kabinetit qeveritar. Sipas tij, kryeministri Berisha duhet të ndryshojë menjëherë 4-5 ministra, pasi ka një nevojë të menjëhershme për një reformim të qeverisë, në mënyrë që ajo të plotësohet më mirë, të jetë më solide, të jetë më kredibël dhe më eficiente. “Unë besoj se duhet të lëvizin 4-5 ministra. Në rast se them se cilët janë këta, ka të ngjarë të bëj ndonjë gabim, sepse ka një aparat të Këshillit të Ministrave dhe ai që është në krye të këtij Këshilli e di se ku nuk funksionon si duhet. Të gjykosh nga jashtë, mund të jesh subjektiv. Unë ndiej nevojën e një reformimi të qeverisë, të plotësohet më mirë, të jetë më solide, të jetë më kredibël dhe më eficiente”, - është shprehur Godo gjatë një interviste televizive dhënë pak ditë më parë.
31 Gusht 2010