BSH: Biznesi ndjehet i pasigurt, nguron të investojë
Biznesi është treguar i kursyer gjatë pjesës së parë të vitit, duke mos bërë investime afatgjata. Banka e Shqipërisë në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë thekson se ky nivel i ulët investimesh ka ardhur si rezultat i pasigurisë që ekziston lidhur me zhvillimet ekonomike në të ardhmen e afërt. BSH-ja vëren se, “sjellje të stepura për të bërë investime nuk kanë pasur vetëm bizneset, por edhe individët, gjithsesi kapacitetet më të mëdha dhe të pashfrytëzuara janë ato që i takojnë biznesit”. Sipas raportit, “ky fakt mbështetet edhe nga niveli i ulët i shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, duke mos përkrahur sipërmarrjen e investimeve afatgjata". Edhe pse shihet një kthim i besimit tek institucionet financiare në vend, dy grupet, biznesi dhe individët, duket se nuk shfaqin të njëjtin besim tek ekonomia apo e ardhmja. Kjo reflektohet tek kufizimi i shpenzimeve për të zgjeruar kapacitetet e biznesit. Konsolidimi i stabilitetit financiar apo përmirësimi i likuiditetit konsiderohen si dy nga hallkat që mund t'i japin zgjidhje situatës në muajt e ardhshëm për më shumë investime nga ana e biznesit. Përveç pasigurisë, kjo lidhet edhe me kreditimin dhe në këtë pikë BSH-ja ka përsëritur edhe një herë disa këshilla për qeverinë. Ajo ka sugjeruar se për t'i lënë më shumë hapësirë sektorit privat, qeveria duhet të kërkojë alternativat e financimit të deficitit buxhetor jashtë tregut vendës. "Konsolidimi i mëtejshëm fiskal, sikurse është planifikuar, do të ushtrojë më pak presion në përcaktimin e çmimit të parasë në tregjet financiare dhe njëkohësisht, do t'i lejojë më shumë hapësirë orientimit të fondeve financiare drejt sektorit privat. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duhet të luajë gjetja e burimeve të reja alternative për financimin e aktivitetit fiskal në tregun ndërkombëtar, duke kontribuar kështu edhe në rritjen e ndërmjetësimit financiar drejt sektorit privat",- thuhet në raport.
31 Gusht 2010