Aleatët-Berishës: Duam post ministror
Neritan Ceka shprehet i kënaqur edhe me post zv/ministri, ndërsa PDI-ja dhe PR-ja kërkojnë post ministror
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha nuk do ta ketë aspak të lehtë të formojë një kabinet të ri qeveritar, ku përpos oreksit të madh të LSI-së, xhelozisë së shfaqur
nga PR-ja, në tavolinën e tij të punës, do të depozitohen edhe kërkesat e dy partive të koalicionit "Aleanca e Ndryshimit", PAD-së dhe PDI-së. Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, partia e të cilit mori vetëm 0.31% të votave, në zgjedhjet e fundqershorit, i kërkon Kryeministrit Sali Berisha që ta përfshijë në kabinetin e tij qeveritar, qoftë edhe në një nivel të dytë qeverisës.
Ceka deklaroi se Kryeministri Sali Berisha duhet të respektojë marrëveshjet paraelektorale të nënshkruara me secilën prej partive të koalicionit "Aleanca e Ndryshimit".
"Kur është bërë marrëveshja për koalicion të përbashkët, është thënë se do të dalim bashkë në zgjedhje, pastaj do ndajmë edhe pushtetin. I takon Kryeministrit tashmë që të shikojë se cila është pjesa e Aleancës Demokratike",- tha Ceka, i cili nuk nguron t'i kujtojë edhe njëherë Berishës se votat janë ndarë majtas dhe djathtas dhe se vetë partia që ai drejton, ka kontribuar në fitoren e së djathtës.
Por, përpos dëshirës së madhe të aleancistit Ceka për t'u përfaqësuar në nivel ministri apo zv/ministri, gjasat për të ndodhur një gjë e tillë, janë shumë të pakta, edhe pse vetë Kryeministrit Sali Berisha do t'i duhet një argumentim i mirë për ta bërë një gjë të tillë.
Në anën tjetër, edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, e drejtuar nga Tahir Muhedini, ka kërkesat e saj. Ndryshe nga aleancistët, Muhedini kërkon përfaqësim të partisë së tij në nivel ministror, pasi në zgjedhjet e 28 qershorit, ai mori votat e mjaftueshme, për ta kërkuar një gjë të tillë.
Sipas Muhedinit, ministria që do t'i kërkohet Berishës do të bëhet publike, me fillimin e negociatave. "Jemi e vetmja forcë politike në këtë koalicion, që i ka bërë thirrje elektoratit të vet, që vota t'i jepet PD-së. Ne e kemi kërkuar fort në Qarkun e Fierit dhe Vlorës", - tha Muhedini. Në fakt, PDI-ja ka fituar një mandat deputeti, ose 0.95% të votave në zgjedhjet e qershorit.
Edhe pse e përfaqësuar vetëm më një deputet, nisur nga rezultati i fundit zgjedhor, ku ka vlerë edhe një votë në Kuvend, Kryeministri Berisha pritet që ta marrë në konsideratë një kërkesë të tillë. Përpos kërkesës së PDI-së dhe PAD-së, edhe PR-ja, tashmë me një deputet në Kuvend, kërkon patjetër post ministror, ndërkohë që LSI-ja, e cila ka katër deputetë, e ka listën më të gjatë, duke kërkuar plot katër prej tyre.