Kodi Zgjedhor, gati projekti i ri

Data e zgjedhjeve do të mësohet 6 muaj përpara përfundimit të mandatit të Kuvendit. Të paktën kështu kanë vlerësuar ekspertët që kanë hartuar disa nene të kodit. Të gjithë përfaqësuesit e partive politike janë njohur me një material prej 18 faqesh, të hartuar nga grupi i ekspertëve, që do të ridiskutohet në mbledhjen e radhës. Në këto materiale të përpiluara, siç thonë burimet nga këshilltari i kryeministrit, Aurel Bylykbashi, zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi dhe një ekspert i PS-së, përcaktohet periudha zgjedhore, orari i votimit dhe listat e zgjedhësve. Në nenin 4 të projektligjit përcaktohet se zgjedhjet zhvillohen ditën e shtunë ose të diel në gjithë vendin, brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Jashtë këtyre afateve mund të zhvillohen vetëm zgjedhjet në rastet e ndërprerjes së parakohshme të mandatit të Kuvendit apo të organit të qeverisjes vendore. Ndërkaq, në nenin 8, pika 2, përcaktohet se Presidenti i Republikës duhet të nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhje për Kuvendin jo më vonë se 6 muaj para mbarimit të mandatit të tij. Mbyllja e legjislaturës dhe shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 60 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se tri ditë para kësaj date. Të njëjtët afate parashikohen edhe për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore. Neni 5 përcakton emërimin e një nëpunësi ndërlidhës, i cili do të jetë përgjegjës për shkëmbimin e informacionit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për veprimtaritë që kanë lidhje me administrimin apo zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Këshilli i Ministrave, prefekturat e bashkitë janë të detyruara të caktojnë nëpunës ndërlidhës. Në rast se ndonjë nga këto institucione nuk cakton nëpunësin e vet ndërlidhës, atëherë titullari i institucionit përkatës konsiderohet se ka marrë përsipër funksionin e nëpunësit. Ndërlidhësi detyrohet të informojë me shkrim KQZ-në për urdhrat e titullarit për çdo veprimtari që mund të ndikojë ose dëmtojë administrimin e zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërkaq, në kodin e ri parashikohet një afat jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të organeve për të cilat zhvillohen zgjedhjet, për përgatitjen e listave paraprake. Lidhur me këto afate vazhdimisht ka pasur debate në të shkuarën. Ndërkaq, lista përfundimtare e zgjedhësve u dërgohet e printuar jo më vonë se 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve Komisioneve Zgjedhore të Qendrave të Votimit. Një kapitull i veçantë u kushtohet institucioneve dhe zgjedhësve të posaçëm. Për çdo institucion të posaçëm do të ketë zonë të veçantë qendre votimi, mjafton që në to të ketë nga 15 deri në 100 zgjedhës. Në burgje, lista përgatitet 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Po ashtu, edhe në spitalet e institucionet e tjera shëndetësore që pranojnë pacientë më shumë se 10 ditë. Edhe repartet ushtarake do të mund të kenë lista të veçanta zgjedhësish. Jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, ministri i Mbrojtjes urdhëron përgatitjen e listave. Një tjetër problem që nuk është lënë në harresë, është votimi për studentët. Këta të fundit kanë të drejtë të votojnë në vendqëndrimin e tyre, mjafton të bëjnë një kërkesë për t’u regjistruar, që duhet të dorëzohet në dekanatin e fakultetit. Për diskutimin e këtyre materialeve, anëtarët e komisionit, kryesisht të partive të vogla, kërkuan më tepër kohë për t’u njohur. Mbledhja e djeshme zgjati rreth dy orë, ku u zhvillua me dyer të mbyllura e pas saj do të zhvillohet një seancë konsulte me drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjeve Civile, Armand Teliti, para se të votojnë kapitullin për listat e zgjedhësve në kodin e ri. Pas diskutimit të këtyre neneve, pritet të diskutohet mënyra e funksionimit të KQZ-së, një nga pikat në dukje nga më të nxehtat e punës së komisionit. Pjesë e diskutimeve të mëtejshme për kodin do të jenë edhe listat e kandidatëve, mënyra e funksionimit të koalicioneve etj.