E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët: Takimi Berisha-Rama, Kryeministri më parë të tërheqë akuzat

Ndërsa ditët e fundit është përfolur mjaft për një takim midis dy liderëve kryesorë në vend Sali Berisha dhe Edi Rama, aleatët e selisë rozë mbeten skeptikë në mundësinë një takimi të tillë. Në tërësi, ata pranojnë se dialogu është i domosdoshëm, por në pozicionet që kanë marrë dy palët e mbi të gjitha me akuzat e ditëve të fundit, kjo është e vështirë.

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha dje se nuk beson në një takim mes Ramës dhe Berishës, madje komentet mbi këtë mundësi janë hipotetike. "Ndoshta nga këndvështrimi juaj janë interesante, por për mua nuk duket kështu. Takimet duhet të jenë në një moment të caktuar, por pas atij vreri, që është hedhur, unë nuk e di si mund të ulen në një tryezë. Unë nuk besoj se do ndodhë", tha Milo. Ndërsa kreu demokristian, një parti që mbështet protestat e Partisë Socialiste, Nard Ndoka, konsideroi se dialogu është i nevojshëm në çdo moment, por duhet parë pozicioni i Berishës karshi kësaj opozite dhe akuzat që u janë bërë drejtuesve të saj. "Normalisht, dialogu, është i nevojshëm në çdo moment. Ajo çka është e rëndësishme lidhet me moralin e Partisë Demokratike dhe direkt të Kryeministrit Berisha, i cili duhet të tërheqë akuzat. S‘e di a do mundet Sali Berisha të ulet në një tryezë me Edi Ramën, pasi e ka quajtur mafioz", tha Ndoka. Në të njëjtën vijë u shpreh edhe kreu i G99, Erjon Veliaj, i cili e vë theksin tek morali i debatit publik. "Nëse z.Rama, sipas Sali Berishës, është kreu i mafies, duhet të dënohet dhe jo të ftohet për bisedime. Ose Berisha duhet të heqë thundrën nga varret e prindërve tanë, të lidhë gjuhën nga përgojimi i nënave tona e të kuptojë se koha kur mund të thuash gjithçka për gjithkënd e të justifikohesh se kështu e ka politika. Unë besoj te politika e virtytshme dhe civile. Nëse nuk ka transparencë të zgjedhjeve e tërheqje nga gjuha e urrejtjes takimet bëhen pantonimë e pavlerë", nënvizoi Veliaj.

Prej disa ditësh po përflitet mjaft për një takim mes Ramës dhe Berishës që do ta çtensiononte mjaft situatën. Në të njëjtën kohë janë shtuar zërat e faktorit ndërkombëtar që kërkojnë më çdo kusht zgjidhjen e situatës të paktën deri në muajin janar.

Pak ditë më parë, numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta, bëri thirrje për një takim Rama-Berisha, pasi dialogu është i nevojshëm për shkak të reformave integruese të vendit. Njëkohësisht, ka dhe zëra që janë ofruar edhe si negociues siç është rasti i kreut të LDK-së, Nikollë Lesi. Këtyre ftesave Rama iu përgjigj në protestën e Fierit dhe Vlorës. Rama tha se do të pranojë dialog pasi të hapen kutitë dhe Berisha të tërheqë akuzat e bëra ndaj tij dhe drejtuesve të tjerë të selisë rozë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›