PD: 1/3 e Këshillit Kombëtar, me anëtarë të rinj
Partia Demokratike zyrtarizoi paraditen e djeshme emrat e rinj të Këshillit Kombëtar, organit të saj më të lartë vendimmarrës. Kryetari i komisionit të numërimit, Igli Cara, bëri publik edhe emrat e 100 anëtarëve të rinj të këshillit, pas katër ditësh pune numërimi intensiv. Sipas Carës, në procesin e votimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar morën pjesë 1218 delegatë nga i gjithë vendi dhe votuan për 400 kandidaturat, nga të cilat u arritën të përzgjidheshin vetëm 100. Ajo çfarë bie menjëherë në sy në përbërjen e re të këshillit demokrat është futja e anëtarëve me moshë më të re dhe plotësimi i kuotës për përfshirjen e 30% të femrave në këtë organ. Kështu, janë 42 anëtarë që futen për herë të parë në këtë forum të lartë vendimmarrës të PD-së. Po kështu, jashtë këshillit kanë ngelur 74 anëtarë, të cilët ishin pjesë e tij për katër vitet e shkuara.
Por ashtu si edhe pritej, futja e anëtarëve të rinj në këtë këshill u shoqërua me entuziazëm. Në këtë kuadër mirënjohje dhe falënderime për delegatët që i kanë votuar, shprehen dje në një prononcim për "Shqip", dy prej anëtareve të reja të këshillit, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, dhe zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Juela Meçani. Sipas Meçanit, pjesëmarrja në këtë forum të lartë, përveç një lajmi të mirë është edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Meçani e sheh zgjedhjen në këtë forum si një hap të sigurt drejt një jete aktive dhe kontribuuese në PD. Por, ashtu siç edhe pritej, anëtarët që nuk patën shansin të ishin më pjesë e këshillit, patën qëndrime dhe këndvështrime të ndryshme. I ashpër në qëndrimin e tij për ngeljen jashtë këshilli ishte Aleksandër Biberaj. Sipas tij, procesi i numërimit të votave nuk ka qenë transparent dhe i manipuluar. Ndërsa një nga themeluesit e PD-së, Mitro Çela, emri i të cilit nuk arriti të merrte numrin e duhur të votave, theksoi se përgjegjësinë fillimisht e kërkonte te vetja. Por, sipas tij, PD-ja mund të kishte gjetur mënyrat e duhura që të arrinte të ruante si pjesë e këshillit pjesën e themeluesve të partisë. Por, Kryeministri Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp të pasdites se ai i falënderonte të gjithë kandidatët që kishin marrë pjesë në garë dhe theksoi se askush nuk duhet të ligështohej, pse nuk ishte pjesë e listës fituese. "Nëse nuk zgjidhesh në Këshill Kombëtar nuk do të thotë se mundësitë e tua kanë shteruar, nuk ka asnjë element për të qenë zemërthyer", deklaroi Berisha. Sipas tij, përfaqësuesit e PD-së kanë shumë mundësi për të qenë pjesë e strukturave të tjera të partisë. Po kështu, Berisha u shpreh entuziast, për faktin se një pjesë e mirë e fituese i përkasin brezit të ri. Sipas tij, një parti e ka të nevojshme ripërtëritjen e saj.