Aleatët e Berishës nuk e njohin
Dy aleatët e Partisë Demokratike që kanë deklaruar më parë që, në rast se në Kodin Zgjedhor nuk respektohen interesat e tyre, do të dalin të vetëm në zgjedhje, republikanët dhe liberal-demokratët shprehin shqetësimin se nuk kanë akoma një kopje të draftit zyrtar, që do të paraqitet për votim nga dy partitë e mëdha. Republikani Arian Madhi, i cili ka paralajmëruar nëpërmjet deklaratave se duhej më shumë kohë për përfundimin e Kodit Zgjedhor, ngre shqetësimin se nuk është njohur me draftin zyrtar që është hartuar. “Unë nuk e kam parë draftin. Por për një gjë ju siguroj, që brenda kësaj jave është e vështirë të mbyllet Kodi Zgjedhor”, thotë Madhi. Sipas tij, është akoma herët për të folur nëse janë marrë parasysh kërkesat e aleatëve të djathtë, sepse akoma subjektet aleate nuk janë njohur me draftin final dhe nuk kanë diskutuar. “Me aq sa kemi arritur deri tani, ne kemi qenë në konsensus të plotë dhe nuk kemi pasur asnjë vërejtje”, thotë Madhi për dispozitat që janë miratuar deri tashmë në Kodin e ri Zgjedhor. Megjithatë, ai thekson se deri tashmë kanë qenë diskutime dhe qëndrime teknike, por për dispozitat mbi administratën zgjedhore dhe ndarjen e mandateve është i nevojshëm edhe qëndrimi politik. Ndërkaq, duke iu referuar edhe mundësisë që PR-ja të mos jetë me PD-në në zgjedhjet e ardhshme, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e saj, Madhi thotë se është ende herët për të mbajtur një qëndrim, përderisa nuk është diskutuar dhe miratuar akoma Kodi i ri Zgjedhor. Sipas tij, vetëm pasi të kenë kaluar këto procese, atëherë mund të jepet një qëndrim përfundimtar për këtë çështje në mënyrë përfundimtare. Ndërkohë, dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, arrijnë që të tejkalojnë numrin e nevojshëm të votave për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, edhe në rast se aleatët e të dyja palëve iu kundërvihen me votë. I pyetur për këtë çështje, Madhi thotë se nuk beson që kjo është çështje e mekanizimit të numrit të votave, por çështje konsensusi që beson se të dyja partitë do ta respektojnë. Ndërkohë, edhe aleati tjetër demokrat që nuk ka përjashtuar mundësinë e daljes vetëm në zgjedhjet e ardhshme, kryetari i Bashkimit Liberal-Demokrat, Arian Starova, shpreh shqetësimin që kryetarët e partive të vogla nuk kanë një kopje të draftit zyrtar të kodit, në një kohë kur diskutohet miratimi i shpejtë i tij. “Deri tani nuk kam draft zyrtar për kodin, që si kryetar partie duhej ta kisha unë dhe të tjerët. Çdo koment tjetër do të ishte i tepërt”, thotë Starova. Ndërkaq, deri tashmë në Kodin Zgjedhor janë përcaktuar një pjesë e mirë e dispozitave, por kanë mbetur dy dispozitat “problematike”, që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve dhe me ndarjen e mandateve parlamentare.