E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet Fazliç

Biznesmeni serbo-boshnjak do të ndjekë çështjet e firmave të bllokuara nga prokuroria

Burime thanë se biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazliç mund të mbërrijë këto ditë në Tiranë, meqenëse një proces gjyqësor që lidhet me pronat e tij ka nisur në Gjykatën e Faktit në kryeqytet. Zoti Fazliç, i cili u vu në epiqendër të një serie kritikash, akuzash dhe dyshimesh për afera të nivelit të lartë, po interesohet direkt lidhur me procesin gjyqësor që ai ka hapur kundër vendimit të prokurorisë për bllokimin e firmave të tij, ndaj për këtë arsye nuk përjashtohet që ndonjërën nga këto ditë, të asistojmë në një skenë të ngjashme me atë të 8 tetorit, kur ai zbriti krejt papritur në Rinas dhe u shoqërua nga forca të shumta policore gjatë një qëndrimi të blinduar prej pak orësh në Shqipëri. Burime konfidenciale të “Korrierit” thanë se ai mendohet të mbërrijë në Tiranë përpara datës 5 nëntor, kur është parashikuar të zhvillohet seanca e parë e këtij procesi. I kontaktuar në telefon, avokati i tij, Genc Gjokutaj, nuk saktësoi ndonjë datë kur mund të vijë biznesmeni. Por ai deklaroi se Fazliçi nuk i trembet ligjit, pasi nuk ka bërë asnjë shkelje. Ai, megjithatë, shtoi se klienti i tij do të vijë në Shqipëri kur të jetë i bindur se në këtë vend ka drejtësi. Ndërkaq, sipas informacioneve të marra nga autoritetet e aeroportit të Rinasit, sot është parashikuar të mbërrijnë shtatë avionë tip çarter nga shtete të ndryshme, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se në ndonjërin prej tyre do të jetë edhe Fazliçi. I njohur si miku i kryeministrit shqiptar dhe i shumëakuzuar nga opozita si një njeri që ka pastruar para nëpërmjet rolit të sekserit, Fazliçi ishte në Tiranë për vetëm 4 orë në fillim të këtij muaji. Vizita e tij e parashikuar të zgjaste dy ditë, u ndërpre për shkak të një fletë-thirrjeje që prokuroria lëshoi, dhe biznesmeni u largua me shpejtësi me avionin e tij çarter. Veprimi i prokurorisë shkaktoi reagimin e ashpër të qeverisë, e cila nëpërmjet Ministrisë së Brendshme deklaroi se do të hetonte dy prokurorët, të cilët nëpërmjet telefonit kishin urdhëruar ndalimin e Fazliçit. Megjithatë, prokuroria nisi procedimin penal ndaj serbo-boshnjakut dhe urdhëroi bllokimin e 6 firmave të tij. Dy avokatë amerikanë mbërritën në Tiranë dhe të shoqëruar nga Gjokutaj u paraqitën në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, por nuk u pranuan të përfaqësonin Fazliçit, pasi legjislacioni shqiptar nuk ua lejonte këtë gjë. Avokati Genc Gjokutaj tha dje, se veprimet e Prokurorisë Shqiptare ndaj klientit të tij ishin arbitrare. “Si mundet që Fazliç të ketë besim tek Prokuroria Shqiptare, kur atij i janë bllokuar pa asnjë argument ligjor firmat që janë ngritur konform të gjithë ligjeve të këtij shteti”, deklaroi avokati. Hetimet e prokurorisë lidhur me aktivitetin e firmave të biznesmenit serbo-boshnjak nuk duket se kanë nxjerrë ndonjë të dhënë të rëndësishme që mund ta inkriminojë atë. Madje, organi i akuzës u tërhoq edhe nga urdhrat për bllokimin e firmave të Erion Isufit, administratorit të kompanive të Fazliçit, e nëse prokuroria nuk paraqet argumente bindëse përpara gjykatës në datën 5 nëntor, edhe kompanitë e Fazliçit mund të lirohen. Burime të pakonfirmuara thanë se pikërisht kjo situatë e favorshme ligjore mund të ndikojë në vendimin e serbo-boshnjakut për të ardhur sërish në Shqipëri, ku siç ka deklaruar edhe vetë, ka biznese mjaft të rëndësishme me kapitale prej miliona eurosh.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›