E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka tri rrugë

Kandidimi, emërimi ose ndryshimi i statusit të PD-së mund ta bënin reformatorin të rimerrte postin që ka pasur para largimit të 9 viteve më parë

Ndërsa në radhët e Partisë Demokratike emri i reformatorit Genc Pollo ka nisur të përflitet për postin e nënkryetarit të PD-së, kanë filluar edhe diskutimet e para se cilat janë rrugët e mundshme që ai të arrijë një post të tillë drejtues. Burime brenda strukturave organizative të PD-së bëjnë të ditur se rruga e parë është kandidimi në zgjedhjet e brendshme të PD-së, pasi Pollo të jetë bërë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Po ashtu, një mënyrë tjetër do të ishte mënyra e kooptimit, pra emërimit të tij për postin e nënkryetarit të PD-së në rast se ky post mbetet bosh pas zgjedhjeve të brendshme, ose në rast se nënkryetarit i ofrohet një post tjetër, në mënyrë që të tërhiqet nga ky post. Një mënyrë tjetër, po ashtu e realizueshme, duket se është edhe ndryshimi i statutit të PD-së pas zgjedhjeve të brendshme, dhe ajo të bëhej me tre nënkryetarë, gjë që do të sillte edhe emërimin e Pollos në postin e nënkryetarit. Kështu, duket se marrja e një posti të tillë nga ana e reformatorit Pollo varet nga marrëveshja që mban firmat e dy kryetarëve dhe vullneti i kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe të strukturave të tjera drejtuese. Ndërkohë, vetë Pollo në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, nuk ka dhënë përgjigje nëse do të bëhet pjesë e kandidimeve dhe nuk ka treguar nëse ka synime për postet e larta të PD-së.

Marrëveshja

Reformatorët e Genc Pollos pritet që të bëhen pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike, nëpërmjet dy proceseve, të votimit dhe të kooptimit (përthithjes), duke garantuar kështu edhe postet që u përkasin në PD në sajë të marrëveshjes së bërë me kryetarin Sali Berisha. Burimet brenda strukturave të larta drejtuese të Partisë Demokratike bëjnë të ditur se plotësimi i kuotave të PDR-së në organet e zgjedhura të PD-së do të bëhet nëpërmjet emërimit të tyre në sajë të plotësimit të vendeve të lira, pasi të jenë bërë zgjedhjet. Kjo mënyrë do të aplikohet në rast se gjatë zgjedhjeve të brendshme në PD reformatorët nuk arrijnë që të fitojnë nëpërmjet procesit zgjedhor të gjithë vendet që u përkasin në sajë të marrëveshjes së nënshkruar. Po ashtu, edhe në disa nga pikat e marrëveshjes që u bënë publike dy ditë më parë, parashikohet që “procesi i bashkimit në të gjithë nivelet quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti”. Kështu, tre drejtues të PDR-së do të bëhen pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike, ndërsa në Këshillin Kombëtar do të përthithen më shumë se shtatë drejtues të reformatorëve, por kjo ka gjasa të ndodhë pasi të ketë përfunduar procesi i zgjedhjeve të brendshme të PD-së. Në këtë mënyrë, anëtarët e PDR-së kanë të drejta të barabarta me anëtarët e PD-së, duke mos përjashtuar kështu edhe pjesëmarrjen në fushatën e brendshme të zgjedhjeve në PD dhe kandidimin e tyre.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›