Skandali me çmimin e naftës, reagojnë bizneset

Sipas bizneseve prodhues dhe ofrues shërbimesh, tregu i karburanteve karakterizohet nga forma e tipit kartel, ndërkohë që abuzimi me çmimin është të paktën në masën 25 për qind
Mosreflektimi i rënies së çmimit të karburanteve në bursa edhe në tregun shqiptar, ka bërë që të reagojë biznesi vendas, i cili është i lidhur direkt me rritjen e kostos në prodhim, për shkak të çmimit artificialisht të lartë. Grupimet e bizneseve ndajnë të njëjtin mendim me redaksinë ekonomike të gazetës “Korrieri”, se në tregun tonë çmimi i naftës apo i benzinës është 25 për qind më i lartë nga sa duhet të ishte realisht, duke marrë për bazë këtu edhe deklarimet e grosistëve në Tatim-Taksa. Kështu, duke marrë shkak nga mospasqyrimi në tregun shqiptar i rënies së ndjeshme të çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, Konfindustria ka shprehur dje shqetësimin e saj dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme dhe afatgjata për rregullimin e gjendjes nga institucionet shtetërore. “Bazuar në analizat krahasuese të çmimeve të tregjeve, del se çmimi i karburanteve në Shqipëri është të paktën 25 për qind më i lartë sesa duhet të ishte në kushtet e funksionimit të një tregu normal. Analizat e mësipërme kanë mbajtur parasysh se brenda një periudhe pothuajse tremujore, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka rënë në më shumë se 100 për qind, njëkohësisht edhe vlerësimin e dollarit amerikan ndaj lekut, që nuk e kalon shifrën prej 25 për qindësh gjatë së njëjtës periudhë”, pohon Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë Shqiptare.
Ndikimet e çmimitSipas bizneseve, çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjithë prodhimeve dhe shërbimeve vendore, krahasuar me prodhimet dhe shërbimet e huaja, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive shqiptare, edhe kështu në shkallë të pakënaqshme. Gjithashtu, prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve shprehen se “çmimet e paarsyeshme të larta të karburanteve ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve shqiptare”.
Karteli i naftësNë fakt, edhe për Konfindustrinë duket sikur tregu i karburanteve nuk funksionon në mënyrë liberale, pasi kjo vihet re edhe në çmimet unike, pothuajse në të gjitha pikat e tregtimit me pakicë. Ndërkohë që kjo bëhet edhe më e dukshme në çmimin e shumicës, i cili është i njëjtë tek të gjitha kompanitë grosiste. “Keqfunksionimi i vazhdueshëm i tregut të karburanteve në Shqipëri, në kushtet kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit “kartel” ndërmjet operatorëve të fushës. Në kushte të tilla, roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme dhe për të parandaluar në kushte afatgjata rikrijimin e gjendjeve të tilla të pakënaqshme”, theksoi dje në njoftim e saj Konfindustria Shqiptare.
Enti Kombëtar i KarburanteveSipas grupimit të bizneseve, në kushtet kur shteti shqiptar me privatizimin e kompanisë publike “Armo” nuk ka më asnjë mjet për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik të karburanteve, kërkohet ngritja sa më shpejt e Entit Kombëtar të Karburanteve. Enti i mësipërm do të duhet të monitoronte në vazhdimësi dhe të ndërhynte për të rregulluar pikërisht çrregullimet subjektive të tregut të karburanteve, sikurse teorikisht bëhet edhe me tregje të tjera strategjike, siç janë telekomunikacionet dhe energjia. “Shembuj të institucioneve të tilla i gjejmë jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE-së dhe botës, por edhe në vende të rajonit tonë. Ndërtimi i një enti të tillë është domosdoshmëri, sidomos në kushtet e krizës së përgjithshme, që ka përfshirë tregjet ndërkombëtare dhe pas privatizimit të kompanisë publike të tregtimit të karburanteve “Armo”, pohon administratori i Konfindustrisë.